- Si nënçmohet bujqësia dhe roli i saj zhvillimor? -

Inspirimin për këtë shkrim e mora nga web-faqja zyrtare e Kuvendit Komunal të Prizrenit. Derisa po analizoja funksionimin e sektorit të bujqësisë në komunën e Prizrenit, përfundimisht u binda për katastrofën më të madhe zhvillimore të Prizrenit: në një komunë ku bujqësia duhet të jetë zbutëse kryesore e varfërisë dhe luftuese efektive e papunësisë, ajo mbetet një nga JOPRIORITETET kryesore të Kuvendit Komunal. Kërkoni dëshmi? Urdhëroni linkun (adresën) dhe binduni vetë: https://www.komuna-prizreni.org/?page=1,126. Derisa analizoni për shembull Raportin e Punës 2008 dhe Planin e Punës 2009 të Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural ballafaqoheni me arkaizmin më të madh zhvillimor të Prizrenit: në këto dokumente edhe më tutje flitet me mburrje për projekte prioritare të tipit “rehabilitimi i kanaleve”, “eliminimi dhe vaksinimi i qenve”, “ndërtimi i stallave”, “mbjelljet vjeshtore”, “pikat grumbulluese të qumështit”, etj. Nuk kam asgjë kundër këtyre projekteve. Përkundrazi, mendoj se të gjitha këto veprime janë të nevojshme dhe të domosdoshme në sektorin e bujqësisë. POR... Jam thellësisht i bindur që në kohën që jetojmë, bujqësia kërkon një trajtim shumë më strategjik dhe prioritar. Sidomos në një komunë me potencial të hatashëm bujqësor si Prizreni. Dhe në të njëjtën kohë, jam thellësisht i hidhëruar nga fakti që Komuna e Prizrenit, si në raportet e punës ashtu edhe në planet e punës në sektorin e bujqësisë vazhdon të veprojë dhe të mburret me këta lloje projektesh të përmendur më lartë dhe përdor një gjuhë të viteve të 70-ta (ju kujtohen kronikat televizive për popullin punëtor e bujkun e palodhshëm!). Por, ka diçka në emër të “zhvillimit” në këtë sektor dhe ai është dokumenti i titulluar “Strategjia Zhvillimore Lokale”, i cili në fakt është një dokument më i vogël se emri i tij, pasi që në brendi përmban strategjinë e zhvillimit rural të komunës. Por, problemi nuk qëndron në këtë pikë. Shqetësimi im lidhet pikërisht me cilësinë, qartësinë dhe vizionin e përmbajtjes së kësaj strategjie. Edhe me një lexim të shpejtë, lehtësisht mund të konstatohet fakti se ky dokument është përgatitur ngutazi. Përveç kësaj, në te kanë punuar “ekspertë” vendorë, të cilët janë mjaft anonimë për opinionin. Së treti, gjuha mjaft e komplikuar, teknike dhe e paqartë dëshmon edhe për një fakt: përgatitjen e kësaj strategjie bazuar në modelet (dhe tekstet) ekzistuese nga komunat, apo edhe shtetet tjera. Dhe këtë e them me plot kompetencë, edhe pse shihet që strategjia është punuar në bazë të Programit LEADER (standard i BE-së), por pa u analizuar mirë konteksti lokal i infrastrukturës dhe resurseve tjera të komunës.

Pothuajse në të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit, varfëria rurale e tejkalon varfërinë urbane. Papunësia sot në Kosovë sillet në nivelin 40-45 përqind, ndërsa në zonat rurale ky nivel vlerësohet të jetë 10 përqind më i lartë. Në këtë mënyrë, fshati jeton nga anëtarët e familjes të punësuar në sektorit publik apo privat, dërgesat e diasporës dhe të ardhurat nga aktivitetet bujqësore (të cilat përbëjnë vetëm 10% të totalit te të ardhurave). Studimet tregojnë që familjet rurale nuk kanë mjete të mjaftueshme për të investuar në bujqësi. Nivelet e larta të varfërisë në zonat rurale të Prizrenit pasqyrojnë zhvillimin më të ngadalshëm të bujqësisë. Kjo për faktin se bujqësia mbetet burim qendror i jetesës në zonat rurale. Kjo gjendje kryesisht shkaktohet nga mungesa e investimeve në bujqësi dhe industrinë e ushqimit gjatë dy dekadave të fundit, mungesa e strategjive kombëtare të zhvillimit, infrastruktura e degraduar dhe e dobët në zonat rurale (rrugë, ujitje, kanalizim), furnizimi jo i rregullt me energji elektrike, kamatat e larta të kredive bankare dhe faktorë tjerë. Tashmë studimet për potencialin ekonomik dhe zhvillimor të Kosovës kanë treguar që bujqësia dhe industria e ushqimit mund të luajnë rol qendror në zhvillim dhe krijim të shpejtë të të ardhurave për të papunët që kryesisht jetojnë në zonat rurale.

Për një zhvillim rural te qëndrueshëm në Prizren, duhet të kemi investime më të mëdha si publike ashtu edhe private ne zonat rurale. Bujqësia duhet të jetë kryefjala e zhvillimit rural në komunën e Prizrenit, ku më tepër se 50% e popullatës jeton në zonat rurale. Qasja e duhur për zhvillimin rural në komunën e Prizrenit duhet të synojë zvogëlimin e shkallës së lartë të papunësisë në zona rurale, zhvillimin e planifikuar të vendbanimeve, përmirësimin e infrastrukturës në vendbanime dhe zona rurale, përmirësimin e cilësisë së jetës dhe lehtësimin e qasjes në banim dhe shërbime publike për të gjithë. Me këtë qasje mund të luftohet varfëria, përmirësohen mundësitë komplementare të zhvillimit të zonës rurale përballe zonës urbane dhe ngriten kapacitetet afariste në bujqësi, blegtori dhe peshkatari. Qeveria lokale e Prizrenit duhet të prioritizojë zbutjen e fenomenit të lëvizjeve të forta demografike fshat-qytet, duke e shndërruar pjesën rurale të komunës në mjedis të jetueshëm, dhe mundësi të favorshme për zhvillim të bizneseve. Paralelisht, duhet investuar në programe speciale që synojnë ngritjen e kapaciteteve të ndërmarrësve (fermerëve), në mënyrë që ata të njihen dhe t’i zbatojnë metodat bashkëkohore të kultivimit dhe prodhimtarisë bujqësore dhe blegtorale dhe t’u mundësohet qasja në fonde stimuluese dhe incentiva lehtësuese për arritjen e përfitimeve më të larta financiare. Një nga iniciativat kreative në këtë sektor duhet të jetë edhe themelimi i Inkubatorit për Promovim dhe Zhvillim të Agrobizneseve, si mekanizëm i intervenimit direkt të komunës në zhvillimin e bujqësisë.

Fshati i Prizrenit është në gjendje mjaft të rëndë. Madje ka pësuar vdekje klinike. Drejtoria për Bujqësi nuk po e luan rolin e mjekut të kujdesshëm dhe po e toleron vdekjen përfundimtare të pacientit. Seriozisht, nuk mund t’ia lejojmë vetes luksin e humbjes së kohës.

(Autori është kandidat për kryetar të Komunës së Prizrenit nga AAK)