eksperti-banner

“Top Arena”, emisioni i dedikuar Botërorit 2026, ka sjellë momente interesante në natën e dytë të transmetimit, ku i ftuar ishte këngëtari i njohur Blero.

Artisti, i cili së fundmi i është përkushtuar edhe menaxhimit të futbollistëve dhe ka realizuar transferimet e para në këtë fushë, u përball me një intervistë të veçantë nga Brikena, ish-banore e Big Brother VIP Albania.


Gjatë bisedës, Brikena e pyeti Bleron për karrierën e tij, jetën familjare dhe eksperiencat personale, ndërsa në një moment këngëtari vendosi të këmbejë rolet dhe t’i drejtojë vetë një pyetje që ka ngjallur kuriozitet te publiku.

Pasi foli për martesat e tij, përvojat jetësore dhe raportin me familjen, Blero e pyeti Brikenën nëse lidhja e saj me Mateon kishte marrë fund.

“Ka marrë fund mes teje dhe Mateos?”, ishte pyetja direkte e këngëtarit.

Fillimisht, Brikena reagoi me humor duke e pyetur: “Ke nisur të bësh pyetje edhe ti?”, por përgjigjja e saj la të kuptohej se marrëdhënia mes saj dhe Mateos nuk vazhdon më.

“Çdo kujtim që kam krijuar deri më sot ka qenë i bukur. Do të kem gjithnjë respekt për Mateon dhe gjithçka që kemi bërë bashkë”, u shpreh ajo.

Nga ana tjetër, Blero tha se do të dëshironte që dyshja të ishin ende bashkë, duke zbuluar se edhe fansat i shkruajnë shpesh për këtë temë.

“Do të doja shumë të ishit bashkë. Edhe fansat më shkruajnë dhe më thonë të ndërhyj që të ktheheni bashkë. Unë nuk e dija që nuk jeni më bashkë”, tha ai.

Përveç jetës private, Blero foli edhe për kapitullin e ri profesional si menaxher futbollistësh.

“Futbolli ka qenë gjithmonë dashuria ime. Gjithnjë i kam ndihmuar të rinjtë në muzikë dhe tani po mendoj t’i ndihmoj edhe në sport”, deklaroi ai.

Artisti u ndal gjithashtu te familja, duke folur për faktin se së fundmi është bërë baba për herë të dytë.

“Vajza ime do të mbesë gjithmonë numri një në jetën time, pavarësisht sa fëmijë do të kem. Djali është ende i vogël, por fëmija është i shenjtë”, u shpreh Blero.

Në fund të intervistës, ai u pyet edhe për mundësinë e një bashkëpunimi muzikor me Gjestin.

“E njoh prej kohësh dhe e kam mbështetur, por ende nuk kam marrë asnjë falënderim prej tij”, tha këngëtari, duke lënë të hapur mundësinë e një dueti në të ardhmen. /Telegrafi/