LAJMI I FUNDIT:

Brexit në udhëkryq, May: Pa marrëveshjen futemi në “territor të panjohur”

Brexit në udhëkryq, May: Pa marrëveshjen futemi në “territor të panjohur”

Kryeministrja britanike ka paralajmëruar kundërshtarët e Brexit për pasojat që do të sjellë votimi kundër marrëveshjes me BE mbi procesin e shkëputjes nga unioni. Britania do të largohet zyrtarisht nga BE-ja më 29 mars të këtij viti, por si politikianët edhe publiku anglez, shprehen se marrëveshja aktuale nuk përfaqëson vendimin e referendumit të vitit 2016.

Britania e Madhe rrezikon të futet në “rrugë të panjohura” nëse ligjvënësit e saj nuk votojnë marrëveshjen e propozuar për daljen e vendit nga Bashkimi Europian.


Ky ishte paralajmërimi që kryeministrja angleze Theresa May u drejtoi kundërshtarëve të saj politikë të dielën, pak ditë përpara mbledhjes së parlamentit për të diskutuar marrëveshjen e Brexit.

Në një intervistë për rrjetin publik anglez të lajmeve BBC, kryetarja e qeverisë premtoi një sërë masash që do të bindin më skeptikët të votojnë pro marrëveshjes rreth javës së dytë të janarit.

Qëndrimi i May ka ardhur vetëm pak ditë pas reagimit të krerëve më të lartë të BE, të cilët paralajmëruan realizimin e Brexit pavarësisht votimit në parlament.

“Nëse nuk arrijmë që ta votojmë marrëveshjen për Brexit, rrezikojmë të hyjmë në një territor të panjohur. Prandaj në ditët në vijim do të ofrojmë disa garanci, disa masa. Masa e parë ka të bëjë me Irlandën e Veriut, masa e dytë me rolin e parlamentit në stadin e mëtejshëm të negociatave me aleatët tanë. Ndërsa masa e tretë, dhe për këtë jemi ende duke punuar, lidhet me garancitë që do i kërkojmë Bashkimit Europian për të adresuar problemet që ne kemi ngritur”.

Kryeministrja Theresa May u shpreh se ajo është kundër përsëritjes së referendumit për çështjen e daljes së vendit nga BE-ja, edhe pse shumë parlamentarë konservatorë në Britani besojnë se marrëveshja e propozuar nuk përfaqëson atë çka u votua në vitin 2016.

Kundër marrëveshjes duket se janë edhe gjysma e popullit anglez, i cili në një sondazh të fundit tregoi se publiku duhet të thotë fjalën e fundit për Brexit, ndërsa 54 për qind do të votonin për të qëndruar në BE nëse do u jepej rasti për një tjetër referendum.