E vendosur në një prej qendrave më të mëdha të vaksinimit në Rumani, një bredh i lartë mbi tri metra është punuar nga shishet e zbrazëta të vaksinës së Pfizer kundër COVID-19.

Pema ka në total 19 mijë shishe të zbrazëta që i ndriçojnë dritat LED. Ideja për dekorimin lindi qysh në mars të këtij viti, e ekipi punoi në këtë projekt nga nëntori, transmeton Telegrafi.

Ekipi që punoi në këtë bredh thonë se ka pasur raste kur kanë punuar deri në ora dy të mëngjesit, me qëllim që ta përfundojnë në kohë.

“Bredhin që e kemi bërë me shishe të vaksinave të Pfrizer i kemi mbledhur nga 1 marsi. Për ndërtimin e saj janë shpenzuar afro 19 mijë shishe. Pjesa e poshtme është bërë nga shishet e Moderna, e dhuratat nga Johnson & Johnson”, tha për AP mjeku Radu Kristian, koordinator i qendrës për vaksinim.

“Falënderojmë të gjithë ata që janë këtu dhe kanë marrë vaksinën. Kështu duam të tregojmë se jemi falënderues që kanë përzgjedhur qendrën tonë për vaksinim, e mbi 200 mijë prej tyre e kanë bërë këtë”, shtoi mjeku rumun. /Telegrafi/