LAJMI I FUNDIT:

Brechtit fiktiv dhe real në kinema: Dokudrama si formë e hapur kundër iluzionit

Brechtit fiktiv dhe real në kinema: Dokudrama si formë e hapur kundër iluzionit

Filmi “Brecht” i regjisorit Heinrich Breloer u shfaq për herë të parë gjatë Berlinales. Tani vjen në televizionin francez dhe gjerman. Filmi flet për jetën e poetit dhe dramaturgut Bertolt Brecht

Breloer dhe kolegu i tij që ka vdekur më 2013, Horst Konigstein, shihen si zbuluesit e dramës dokumentare, të ashtuquajturës dukudrama – një formë e përzier me pjesë të filmit dokumentar dhe të filmit artistik. Breloer e ka kthyer këtë zhanër në mjeshtëri dhe ka prodhuar shumë filma për personalitete dhe ngjarje politike, historike e kulturore, që janë vlerësuar e kanë marrë çmime.

Dokudrama vlerësohet nga specialistët për shkak të formës së saj “të hapur”. Filmat tregojnë “të vërtetën” që fshihet pas fiksionit ose, thënë ndryshe: pasurojnë filmin dokumentar nëpërmjet shtesave filmike. Ndaj, nuk është çudi që Breloer e merr në dorë Brechtin, për të bërë një film për të.

Edhe Brecht ka qenë luftëtar i “formës së hapur” artistike dhe kulturës së skenografisë së inskenuar.

“Si Brechti që i vë aktorët të flasin për rolin e tyre, duke ua hequr iluzionin, po ashtu ky lloj distancimi luan rol edhe në dokudrama, kur unë alternoj dokumentacionin me lojën artistike”, thotë regjisori.

Shikuesi e përjeton Brechtin për herë të parë në një dokudrama tri orëshe, gjatë periudhës së Republikës së Vajmarit, periudhë gjatë së cilës ai ngjitet mes yjeve të teatrit gjerman, fillimisht si djalë i ri në gjimnaz ku shkruan tekste jopatriotike, pastaj si poet gjeni në moshë të re, dhe më pas me pjesën “Baal” ku e inaguron veten dhe teatrin si makinë emocionale. Më pas Brecht shihet si autor i etabluar në skenë, si shkrues i pjesës “Daulle natën” dhe “Opera trigroshëshe”. Kjo e fundit kthehet në sukses të madh teatral gjatë Republikës së Vajmarit.

Në fund të pjesës së parë të filmit për Brehtit, shënohet viti 1933, kur nacionalsocialistët erdhën në pushtet dhe Brechti merr rrugën e ekzilit për Pragë. Pjesa e dytë e filmit e tregon poetin në periudhën e Gjermanisë së pasluftës. Në Gjermaninë Lindore, Brechti vlerësohet prej disave si një nga inovatorët më të mëdhenj dhe prej disa të vjetërve shihet me sy skeptik.

Broeler tregon në filmin e tij se Brechti ka miq dhe armiq në të dy kampet politike: tek dashamirësit dhe publiku nga njëra anë, por edhe tek burokratët dhe kujdestarët e mendimit të njëtrajtshëm socialist, nga ana tjetër. Sepse, Brechti nuk ka qenë dikush për të cilin të gjithë kanë të njëjtin mendim. Edhe në Gjermaninë Perëndimore, të orientuar nga ekonomia e tregut, Brechti ka pasur në periudhën e pasluftës si përkrahës ashtu edhe kundërshtarë të fortë, të cilët e shihnin si “komunist”.

Ajo çka Heinrich Breloer nxjerr në pah në filmin dypjesësh është jeta private e lirikut, autorit të pjesëve teatrale dhe aktivistit politik. Si një zinxhir perlash, tema “Brecht dhe gratë” përshkon 180 minutat e filmit. Poeti ndriçohet si mik i grave dhe njeri të cilit nuk i intereson shumë morali dhe mëshira.

“Miqtë dhe punonjësit që e kanë parë filmin”, thotë Heinrich Breloer, mendojnë se “kur sheh filmin të bën të mendosh për #MeToo”!

Kjo është e pashmangshme. Elisabeth Hauptmann, Ruth Berlau, Marianne Zoff, Paula Banhölzer, Regine Lutz dhe aktorja Helene Weigel… e kanë shoqëruar poetin në vitet e jetës së tij. Shpesh ato jetonin paralelisht bashkë me të. Dhe, të gjitha vuanin me Brechtin. Broeler nuk e heq vëmendjen nga këto gjëra, por i ndërthur ato me njëra-tjetrën, jetën dhe veprën, dashurinë dhe finesën poetike.

Megjithatë, filmi nuk do t’ju pëlqejë të gjithëve. Disa mendojnë se vështrimi në pjesën private është shumë intim e shumë personal. Të tjerët mendojnë se filmi e ul Brechtin nga piedestali. Por, siç thotë regjisori: “Unë mendoj se ne të gjithë kemi mendime të ndryshme për Brehtin”! /DW/