Banka Qendrore e Kosovës ka paralajmëruar qytetarët për një fushatë mashtruese që po qarkullon përmes mesazheve SMS, të cilat paraqiten në mënyrë të rreme si njoftime nga bankat komerciale.

Sipas njoftimit, këto mesazhe synojnë mashtrimin dhe vjedhjen e të dhënave financiare, duke përfshirë lidhje të rreme dhe kërkesa urgjente për veprim.


BQK ka theksuar se qytetarët duhet të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos bien pre e këtyre tentativave mashtruese, të cilat shpesh imitojnë komunikimet zyrtare të institucioneve financiare.

Institucioni ka rekomanduar që të dhënat e kartelave bankare të ruhen me kujdes dhe të mos ndahen përmes SMS-ve, e-mailit apo telefonit me persona të paautorizuar. Po ashtu, qytetarët këshillohen të mos hapin lidhje të dyshimta dhe të shmangin klikimin në mesazhe që kërkojnë veprim të menjëhershëm.

Në njoftim bëhet e ditur se nuk duhet të kryhen pagesa apo të vendosen të dhëna bankare përmes lidhjeve të dërguara në SMS, ndërsa përdorimi duhet të kufizohet vetëm në faqet zyrtare dhe aplikacionet e verifikuara të bankave.

BQK gjithashtu u bën thirrje qytetarëve që të aktivizojnë njoftimet për çdo transaksion dhe të kontrollojnë rregullisht historinë e llogarive të tyre, si dhe të raportojnë menjëherë çdo mesazh të dyshimtë te bankat përkatëse.

Ky paralajmërim vjen pas rasteve të fundit të raportuara për SMS mashtruese në emër të bankave në vend, duke ngritur shqetësime për sigurinë digjitale dhe mbrojtjen e të dhënave financiare të qytetarëve. /Telegrafi/