Vazhdojnë SMS-të mashtruese në emër të bankave, qytetarët paralajmërohen të mos ndajnë të dhëna personale

Mesazhet mashtruese përmes SMS-ve, të cilat pretendojnë se dërgohen në emër të bankave, po vazhdojnë të shfaqen, duke rritur shqetësimin për sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve.
Së fundmi, Raiffaisen Bank ka njoftuar klientët për një SMS të tillë mashtrues, i cili synon të mashtrojë përmes kërkesave për ndarjen e informacioneve të ndjeshme.
Sipas njoftimit, këto mesazhe paraqiten si komunikime zyrtare dhe shpesh kërkojnë veprime urgjente nga pranuesit, duke pretenduar se ekziston një problem me llogarinë bankare apo duke ofruar shpërblime të rreme.
Banka u ka bërë thirrje klientëve që të mos ndajnë asnjë të dhënë personale apo bankare me faqe dhe burime që nuk janë kanale zyrtare, duke theksuar se mashtrime të tilla synojnë vjedhjen e të dhënave dhe keqpërdorimin e tyre.
“Mesazhet telefonike që pretendojnë se dërgohen nga kompani legjitime janë një metodë e shpeshtë mashtrimi dhe kanë për qëllim t’i nxisin qytetarët të klikojnë në lidhje të rrezikshme ose të japin informacione të ndjeshme”, thuhet në njoftim.
Ky fenomen nuk është i ri, pasi më herët janë raportuar edhe raste të SMS-ve mashtruese në emër të Postës, çka tregon për një trend në rritje të tentativave për mashtrim përmes komunikimeve elektronike.
BQK po ashtu ka ftuar qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos bien pre e këtyre tentativave mashtruese, të cilat shpesh imitojnë komunikimet zyrtare të institucioneve financiare. /Telegrafi/























































