LAJMI I FUNDIT:

BQK shpall konkurs për video nga fusha e edukimit financiar

BQK shpall konkurs për video nga fusha e edukimit financiar

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), si institucioni më i lartë financiar në vend, organizon aktivitete të ndryshme me qëllim të ngritjes së njohurive ekonomike, financiare dhe informimit të publikut mbi funksionet dhe përgjegjësitë e saj.

Për të shënuar ‘Java Ndërkombëtare e Parasë 2018’, BQK fton studentët e universiteteve/kolegjeve të nivelit bachelor/master, të marrin pjesë me video edukative të animuara, video klipe, audio klipe me qëllim të ngritjes së njohurive, inkuadrimit, zgjimit të interesimit dhe shpërndarjes së informatave nga fusha e edukimit financiar, ekonomisë, kursimet, përdorimi parasë në mënyrën e duhur, funksionet e BQK-së dhe tema të ngjashme, shkruan Telegrafi.


Rregullat për kualifikim:
– Punimi duhet të jetë i përgatitur nga një ose më shumë studentë që ndjekin studimet bachelor/master;
– Mesazhi i punimit të jetë i kuptueshëm dhe të ketë lidhshmëri me temat e lartpërmendura
– Punimi duhet të jetë edukativ dhe të përcjellë mesazhe të sakta mbi edukimin financiar;
– Punimi duhet të jetë kreativ;
– Punimi duhet të jetë në gjuhën shqipe dhe i kuptueshëm për publikun;
– Punimi duhet të jetë origjinal, jo i kopjuar;
– Punimi nuk duhet të jetë i publikuar më herët apo të ketë marrë pjesë në ndonjë konkurs tjetër;
– Të ruhet në CD- Room ose DVD;
– Kuliteti min. Full HD ( 1920×1080);
– Formati i punimit të jetë avi,.mov,.mpeg,.wmv;
– Video të jetë jo më pak se 2 minuta dhe jo më shumë se 7 minuta;
– Të mos përfshihet emri i autorit në video;
– Në fillim të videos të vendoset logoja e BQK-së.
– Autorët duhet të jenë qytetarë të Republikës së Kosovës.
– Punimet duhet të dorëzohen në formë fizike në arkivin e BQK-së dhe të vendosura në një zarf 3 kopje të Cd, DVD, dhe informatat mbi autorin (emir, mbiemri, emri i Universitetit, fusha e studimeve, email-adresa kontaktuese, kopjen e ID të studentit, kopjen e letërnjoftimit).

Tre punimet më të mira do të shpërblehen si më poshtë:
Punimi më i mirë: 500 euro
Punimi i dytë më i mirë: 400 euro
Punimi i tretë më i mirë: 300 euro

Punimet e përzgjedhura si punime fituese do të kalojnë në pronësi të BQK-së dhe do të përdoren si material edukativ.

Afati i fundit për dorëzimin e punimeve është 30 prill 2018.

Të interesuarit për informata shtesë mund të shërbehen nga faqja zyrtare e BQK-së ose mund të na kontaktojnë në e-mail. /Telegrafi/