Në kuadër të pjesëmarrjes në Takimet Pranverore 2026 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), që po mbahen në Washington DC, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga Anëtarja Joekzekutive e Bordit, znj. Latifi-Jashari, Zëvendësguvernatori z. Fusha me bashkëpunëtorë, zhvilloi një takim bilateral me Zëvendësdrejtorin Menaxhues të FMN-së, z. Bo Li.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili prezantoi zhvillimet më të fundit në ekonominë e Kosovës, duke përfshirë performancën e sektorit financiar, progresin në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe avancimin e reformave strukturore. Ai paraqiti gjithashtu zhvillimet financiare dhe monetare në vend, me theks të veçantë në indikatorët kryesorë që dëshmojnë qëndrueshmërinë e sistemit financiar.


Në këtë kuadër takimit të përbashkët me pjesëmarrjen e Ministrit Murati, të mbajtur në formatin e FMN-së, Guvernatori Ismaili e njoftoi z. Li mbi zhvillimet financiare në vend, ndërsa theksoi forcimin e kornizës rregullative, reformat e ndërmarra dhe stabilitetit financiar. Ai gjithashtu nënvizoi mbështetjen e BQK-së për iniciativat rajonale, përfshirë iniciativën e FMN-së për Qendrën Rajonale të Asistencës Teknike (SEETAC), me synim ngritjen e kapaciteteve institucionale. Po ashtu, ai vuri në pah progresin në reformat për fuqizimin e integritetit të sistemit financiar me kontributin e asistencave teknike të FMN-së.

Guvernatori Ismaili vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së në forcimin e kapaciteteve institucionale të BQK-së dhe në zbatimin me sukses të rekomandimeve nga misionet e saj, përfshirë atë të Artikullit IV.

Nga ana e tij, z. Li vlerësoi progresin e arritur nga ana e BQK, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të reformave dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional, me mundësinë e zgjerimit me programe të reja.

Ky takim konfirmoi përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e partneritetit institucional ndërmjet BQK-së dhe FMN-së, në funksion të përmbushjes së objektivave zhvillimore.