LAJMI I FUNDIT:

Borxhi qeveritar në vendet e Eurozonës arrin në 86.8%

Borxhi qeveritar në vendet e Eurozonës arrin në 86.8%

Në fund të tremujorit të parë të vitit 2018, raporti i borxhit qeveritar ndaj Produktit të Brendshëm Bruto në vendet e Eurozonës ishte 86.8 për qind, krahasuar me 86.7 për qind që ishte në fund të tremujorit të katërt të vitit 2017, ndërsa në vendet e Bashkimit Evropian ky borxh ishte 81.5 për qind.

Sipas Eurostat, përcjell Telegrafi, në këtë tremujor, borxhi i Letrave me Vlerë në vendet e Eurozonës ishte 80.8 për qind, ndërsa në vendet e Bashkimit Evropian ishte 81.7 për qind. Kreditë në vendet e Eurozonës përbënin 16.2 për qind të borxhit qeveritar, kurse të vendeve të Bashkimit Evropian kjo normë ishte 14.2 për qind.


Pjesa e huadhënies ndërqeveritare në Produktin e Brendshëm Bruto në fund të tremujorit të parë të vitit 2018 arriti në 2.1 për qind në Eurozonë dhe në 1.5 për qind në vendet e Bashkimit Evropian.

Raporti më i lartë i borxhit qeveritar ndaj Produktit të Brendshëm Bruto në këtë tremujor u regjistrua në Greqi me 180.4 për qind, Itali me 133.4 për qind dhe Portugali me 126.4 për qind, ndërsa më e ulëta u regjistrua në Estoni me 8.7 për qind, Luksemburg me 22.2 për qind dhe Bullgari me 24.1 për qind. /Telegrafi/