LAJMI I FUNDIT:

Bordi i shkarkuar i Trepçës do ta shqyrtojë mundësinë për ankesë dhe padi ndaj ministres Hajdari

Bordi i shkarkuar i Trepçës do ta shqyrtojë mundësinë për ankesë dhe padi ndaj ministres Hajdari

Anëtarët e Bordit Mbikëqyrës të Trepçës të shkarkuar një ditë më parë nga Qeveria e Kosovës, kanë vlerësuar se Qeveria e mori këtë vendim duke mos bërë as edhe një analizë të vetme të gjendjes në ndërmarrje dhe punës së Bordit Mbikëqyrës, me një arsyetim të pakuptimtë, tendencioz dhe me qëllime puro politike.

Përmes një reagimi anëtarët e Bordit thonë se arsyetimi për shkarkimin e Bordit të Trepçës, kishe dy pretendime: pretendimi i parë se janë lëshuar prona me qira, si dhe pretendimi i dytë kishte të bëjë me konkursin e fundit në ndërmarrje.


Sipas reagimit ministrja e re, së pari do të duhej ta vizitonte Ndërmarrjen Trepça, t’i takonte udhëheqësit e ndërmarrjes, të bënte një analizë të mirëfilltë për të gjithë situatën, e më pastaj të mendonte lidhur me hapat që duhet ndërmarrë.

Reagimi i plotë i Bordit Mbikëqyrës të Trepça, i shkarkuar nga Qeveria e Kosovës:

Të nderuar minatorë,

Të nderuar qytetarë,

Dje, përmes medieve e kuptuam se Qeveria e Republikës së Kosovës, mori vendim për shkarkimin e Bordit Mbikëqyrës të Trepça sh.a. pa asnjë paralajmërim dhe pa asnjë takim paraprak të ministrisë përgjegjëse me anëtarët e bordit mbikëqyrës,  për të kuptuar për së afërmi gjendjen në ndërmarrjen Trepça.

Qeveria e mori këtë vendim duke mos bërë as edhe një analizë të vetme të gjendjes në ndërmarrje dhe punës së Bordit Mbikëqyrës, me një arsyetim të pakuptimtë, tendencioz dhe me qëllime puro politike.  Se kishte tendenca ndaj bordit të Trepçës e dëshmon edhe presioni i ministres përmes emailave të dërguar zakonisht në mesnatë duke tentuar që të përfshihet në mënyrë flagrante në punët menaxheriale të ndërmarrjes.

Prandaj, duke mos pasur edhe asnjë arsye të vetmen për shkarkimin e Bordit Mbikëqyrës të Trepça sh.a. , ministrja arsyetoj propozimin për shkarkim me kinse “shkelje e detyrave fiduciare” term të cilin në mbledhjen e kaluar të Qeverisë e përdorën si “detyra financiare”.

Arsyetimi për shkarkimin e Bordit të Trepçës, kishe dy pretendime; pretendimi i parë se janë lëshuar prona me qira, si dhe pretendimi i dytë kishte të bëjë me konkursin e fundit në ndërmarrje. Por, ministrja e re znj Hajdrari, duke mos ditur kompetencat e Bordit Mbikëqyrës dhe menaxhmentit të ndërmarrjes, ajo me tendencë dhe e ndikuar nga petku politik, aludoj në gjëra të pavërteta si arsyetime për shkarkim të anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës.

Sa i përket pretendimit të parë të ministres  Hajdrari, lidhur me qiratë, e informojmë ministren dhe të gjithë opinionin publik, se të hyrat primare të ndërmarrjes Trepça janë nga përpunimi dhe shitja e xehes, kurse menjëherë pas të hyrave nga shitja e koncentratit, si të hyra sekondare ndërmarrja numëron pronat dhe depot e lëshuara me qira të cilat nuk shfrytëzohen nga ndërmarrja. Trepça që nga paslufta ka të lëshuara dhjetëra prona dhe depo me qira nga të cilat gjeneron të hyra. Qiradhënia dhe menaxhimi i patundshmërive është edhe aktivitet biznesor i ndërmarrjes Trepça sh. a., aktivitete që dëshmohen edhe në certifikatën e biznesit të lëshuar nga Agjencia për Regjistrimin e Biznesve, si dhe parashihet me Statutin e Trepça sh.a.

Kështu që, arsyetimi për shkarkim të bordit se janë lëshuar prona me qira nga ndërmarrja, është tendencioz dhe i pa qëndrueshëm, pasi është kompetencë ekskluzive e menaxhmentit.

Pretendimi i dytë nga ana e ministres, kishte të bëjë me konkursin e shpallur nga ndërmarrja Trepça për punësimin e më shumë se 200 të rinjve dhe të rejave, në mënyrë që të ripërtërimë moshën shumë të vjetër të punësuarave në ndërmarrjen Trepça.

Edhe në këtë rast, ministrja duket se nuk e ka të qartë mënyrën e funksionimit të ndërmarrjeve publike për shkak që ky numër i punëtorëve të rijnë ka qenë i paraparë në Planin e Biznesit të Trepça sh.a., plan ky i propozuar nga menaxhmenti dhe miratuar nga Bordi Mbikëqyrës. Për më shumë, edhe kjo është kompetencë ekskluzive e menaxhmentit për mbarëvajtjen e punës operative dhe në qëllim të rritjes së kapaciteteve prodhuese. Gjithashtu, është e çuditshme se si një ministre e cila përfaqëson Ministrinë e Ekonomisë dhe Punësimit të del kaq hapur kundër punësimit te të rinjve në Republikën e Kosovës. Po bëhen gati 10 vite që në ndërmarrjen Trepça nuk s’ka pas punësime, veprim ky që ka ngulfatur zhvillimin e ndërmarrjes, si dhe nuk janë krijuar mundësi punësimi.

Ministrja e re, së pari do të duhej ta vizitonte Ndërmarrjen Trepça, t’i takonte udhëheqësit e ndërmarrjes, të bënte një analizë të mirëfilltë për të  gjithë situatën,  e më pastaj të mendonte lidhur me hapat që duhet ndërmarrë. Por, si duket, Qeveria e Re nga ngutia për të kapur institucionet dhe ndërmarrjet publike merr vendime të pa matura të cilat do t’i kushtojnë operimit të mirëfilltë të këtyre institucioneve.

Gjithashtu, kjo ministre nga ngutia për shkarkime nuk e ka lexuar Ligjin për Trepçën dhe nuk e din që Trepça është e rregulluar me Ligj të veçantë me dy aksionarë, kështu duke propozuar edhe shkarkimin e përfaqësuesit të dytë në Bord. Shkarkimi i Bordit bëhet nga aksionarët dhe përfaqësuesin e aksionarit të dytë, kanë mundur ta shkarkojnë vetëm punëtorët si aksionarë me 20% të aksioneve të Trepçës, por jo edhe ministrja.

Këshilli i Protestave kërkon edhe shkarkimin menaxhmentit të 'Trepçës'
Lexo po ashtu Këshilli i Protestave kërkon edhe shkarkimin menaxhmentit të 'Trepçës'

Bordi Mbikëqyrës i Trepça sh.a. është emëruar me 4 Prill të vitit 2018-të, duke u bërë kështu Bordi i parë i Ndërmarrjes Trepça sh.a. Gjatë periudhës për më pak se dy vite, Bordi Mbikëqyrës i Trepçës ka kryer me dinjitet dhe me përgjegjësi të plotë morale e penale gjitha obligimet karshi Ligjit për Trepçën, Ligjit për Ndërmarrjet Publike, si dhe legjislacionit tjetër në fuqi.

Gjatë kësaj periudhe, Bordi Mbikëqyrës ka arritur që të bëjë transformimin e ndërmarrjes Trepça nga ndërmarrje shoqërore në ndërmarrje shoqëri aksionare sipas Ligjit për Trepçën,  duke propozuar dhe miratuar Statutin e Trepçës. Ky ka qenë momenti më i rëndësishëm në periudhën e pasluftës për ndërmarrjen Trepça. Regjistrimi i Ndërmarrjes Trepça ka ndodhur me gjitha njësitë biznesore duke përfshirë edhe njësitë biznesore në veri të vendit.

Ky ka qenë hapi i parë drejtë zbatimit të Ligjit për Trepçën, ligj i miratuar në tetor të vitit 2016 dhe i pa zbatuar deri në emërimin e Bordit Mbikëqyrës. Pas regjistrimit të ndërmarrjes Trepça pranë institucioneve të Republikës së Kosovës, ndërmarrjes Trepça i’u është hapur rruga për zgjedhjen e menaxhmentit të ndërmarrjes, detyrë gjithashtu e kryer sipas procedurave ligjore në fuqi, duke e bërë kështu Trepçën për herë të parë me menaxhment funksional.

Ky menaxhment dhe bordi, kanë arritur që të sjellin prodhime rekorde në tre mujorin e fundit, prodhime të cilat kanë arritur të stabilizojnë operimin e ndërmarrjes dhe për herë të parë të krijojnë rezerva të koncentratit të plumbit dhe zinkut, rezerva që nuk mbahen mend në historinë e pasluftës të ndërmarrjes.

Gjatë kësaj periudhe, Trepça është përfaqësuar me dinjitet në nivelet më të larta të organizimeve kombëtare e ndërkombëtare, kemi pritur shumë organizata të ndryshme ndërkombëtare, investitor të interesuar në sektorin minerar, si dhe organizata të fokusuara në mbrojtjen e ambientit.

Gjithsesi, Bordi Mbikëqyrës do ta shqyrtojë mundësinë për ankesë dhe padi ndaj ministres Hajdari lidhur  me prezentimin e arsyetimeve të pavërteta, si dhe tentimin për të njollosur punën e Bordit Mbikëqyrës të Trepçës.

Krejt në fund, falënderojmë të gjithë punëtorët e Trepçës që me punën e tyre bëjnë që Trepça të ekzistoj, menaxhmentin e ndërmarrjes, ish ministrin e Zhvillimit Ekonomik z. Valdrin Lluka, ish kryesuesen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik znj. Sala Berisha Shala, Sindikatat e Trepçës, mediat, si dhe përfaqësuesit e gjitha institucioneve të Kosovës me të cilët kishin bashkëpunim.

Trepçën e presin shumë sfida!

Me Fat!