LAJMI I FUNDIT:

Këshilli i Protestave kërkon edhe shkarkimin menaxhmentit të ‘Trepçës’

Këshilli i Protestave kërkon edhe shkarkimin menaxhmentit të ‘Trepçës’

Pas shkarkimit të djeshëm të gjashtë anëtarëve të Bordit të ish gjigantit metalurgjik ‘Trepça’ nga ana e qeverisë së vendit, ka reaguar menjëherë Arsim Musa, nga këshilli i protestave, i cili u shpreh i lumtur për vendimin e qeverisë, duke e quajtur atë si një vendim shumë të drejtë.

Ai ka bërë të ditur se pas takimit me kryeministrin, ka marrë premtime se deri të hënën do të bëhet shkarkimi edhe i menaxhmentit të kësaj ndërmarrje, si dhe anulimi i konkursit.

Sipas tij, protestat nuk do të ndalen deri në shkarkimin e menaxhmentit dhe anulimin e plotë të konkursit.

“Është marrë një vendim shumë i drejtë, një vendim pak me vonesë, por i duhur. Ne jemi falënderues ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Zhvillimit Ekono mik, Rozeta Hajdari, të cilët kanë bërë në mënyrë të ligjshme shkarkimin e Bordit të Trepçës…Ne dje kemi qenë në takim prej rreth 40 minutash te kryeministri Albin Kurti së bashku me këshillin protestues. I kemi shpjeguar disa gjëra, materiale dhe faktet që i kemi, me përpikëri të gjitha…Kryeministri ka premtuar që më së largu deri të hënën në mëngjes, të shikohet ana ligjore e procesit, që të shkarkohet menaxhmenti dhe konkursi të bihet në zero… Protestat nuk do të ndërpriten deri sa ky menaxhment me konkurs të largohet prej aty”, ka thënë Musa për KosovaPress.

Esat Peci, Feriz Fetahu, Xhafer Nuhi, Shyqeri Sadiku, Ardian Syla dhe Naser Peci janë anëtarët e bordit të Trepçës, të cilët u shkarkuan nga Qeveria Kurti.

Ky vendim ka ardhur pas propozimit të ministres së Ekonomisë, Rozeta Hajdari.

”I propozoj qeverisë që të shkarkojë drejtorët në ndërmarrjen Trepça. Sipas ligjit, qeveria duhet t’i shkarkojë drejtorët kur ka arsye që i kanë shkelur detyrat. Në rastin e Trepçës, bordi ka lejuar veprime që bien ndesh me interesin e ndërmarrjes”, ka deklaruar Hajdari, derisa ka përmendur edhe konkursin e fundit, për të cilën janë mbajtur protesta.