LAJMI I FUNDIT:

Bohemët e “rokënrolit” që tronditën Britaninë viktoriane

Bohemët e “rokënrolit” që tronditën Britaninë viktoriane
Dante Gabriel Rossetti, piktura “La Ghirlandata” (1873)

Nga: Matthew Wilson / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Njihuni me [familjen] Rossettis: me Christinan, me vëllain e saj Dante Gabriel dhe me gruan e tij Elizabeth. Arti dhe poezia e tyre e mahnitën Britaninë viktoriane, por a mund të gjendet trashëgimia e madhe e tyre kryesisht në veprat apo në shpirtin e tyre të bohemizmit? The Rossettis, ekspozitë kjo e re në Tate Britain, na fton të futemi në botën e një familjeje shumë atipike viktoriane. Është një botë ku moda avangarde takohet me çlirimin e grave, me varësinë nga droga, me radikalizmin politik dhe vombatët [gjitar i Australisë].


“Në çdo gjë ata ishin të çuditshëm dhe ekstremë”, thotë për BBC Culture, Carol Jacobi – kuratore e ekspozitës. “Ishin shumë të padurueshëm me rregullat konvencionale të artit dhe të letërsisë. I kërkonin përreth heronjtë alternativë: ishin lëvizja e parë e artit të avangardës të Britanisë”.

Për disa, pikturat e Dante Gabriel Rossettit (dhe të Vëllazërisë Para-Rafaelite, lëvizje që ai e bashkëthemeloi) janë shumë të përpikta dhe kryesisht moralizuese, veçanërisht kur krahasohen me lëvizjet bashkëkohore të artit francez – si impresionistët dhe post-impresionistët, me eksperimente më të guximshme formale dhe me përshkrimin më të sinqertë të jetës moderne. Por, kësaj të fundit i mungon aspekti më i rëndësishëm i gjeneratës Rossetti të Britanisë. Kontributi i tyre kryesor ishte qëndrim i ri radikal për artistet dhe për krijueset gra të vendit – “bohemizmi”.

Me origjinë si term nënçmues për udhëtarët romë në Francë, termi [bohemian] që atëherë është përdorur për të përshkruar individët me sjellje jokonvencionale dhe për zgjedhjet eksperimentale të modës: ata që i prishin rregullat e shoqërisë dhe që shkojnë drejt aventurës dhe lirive shprehëse. Fryma bohemiane e modës së çuditshme dhe e sjelljes së shfrenuar është thelbësore për muzikën, dizajnin, veshjen dhe artin e ditëve të sotme. Kapardisja e saj kundërkulturore është pjesë përbërëse e qëndrimit shpërfillës të interpretuesve si Patti Smith dhe Matty Healy i [grupit] The 1975, i modës së pazakonshme të David Bowiet dhe Lady Gagas dhe të hedonizmit të Keith Richardsit dhe Kate Mossit. Në thelb, bohemianizmi është sulm ndaj çdo vlere që perceptohet të jetë e klasës së mesme. Kjo përfshin rolet konvencionale gjinore, qëndrimet konservatore ndaj dashurisë, vlerat tradicionale të familjes, konformitetin në veshje dhe shtypjen e kënaqësisë sensuale.

Si e nisën Rossettis këtë mënyrë jetese që kishte ndikim mes artistëve të Britanisë viktoriane? Dhe, si shfaqen vombatët në këtë mes? Gjithçka nisi me një familje jokonvencionale. Rossettis ishin londinezë të gjeneratës së parë: babai i tyre ishte luftëtar i lirisë dhe poet italian, ndërsa nëna e tyre ishte studiuese, gjithashtu nga një familje italiane. Rossettis si të rinj u rritën në një mjedis unik, ku politika përparimtare dhe krijimtaria artistike kishin vlerën më të lartë.

MIRAZH
Lexo po ashtu MIRAZH

Christina Rossetti (1830-1894) la gjurmë të hershme – poezia e saj u botua për herë të parë kur ishte vetëm 16 vjeçe. Ndoshta poema e saj më e njohur është Goblin Market (e shkruar në 1859), një alegori befasuese origjinale – e seksualitetit të korruptuar në një botë materialiste. Këto tema më vonë do të pasqyrohen në pikturat e Gabrielit dhe të Elizabethas. Christina ishte radikale e qetë, duke bërë jetë jokonvencionale për një grua të asaj kohe. E krijoi një karrierë shumë të suksesshme dhe të paguar mirë – pa e pasur varësinë borgjeze të ndonjë bashkëshorti si kujdestar financiar.

Nëse ende e pyesni veten për vombatët, janë të rëndësishëm për vëllain e Christinas, Dante Gabriel Rossetti (1828-1882). Ai ishte po aq i parakohshëm, bashkëthemelues i një lëvizjeje revolucionare të artit të ri – të Vëllazërisë Para-Rafaelite [PRB], që në moshën 20-vjeçare. “PRB” përkushtohej për ta shkatërruar autoritetin e Akademisë Mbretërore të Arteve të Britanisë. Besonte në një art që e ofronte të vërtetën e bazuar në saktësinë perceptuese dhe në guximin moral, të cilat Gabrieli besonte se i mungonin artit akademik të favorizuar nga klasa e mesme. Ai i udhëhoqi me karizëm bashkëkohësit e tij artistë, me frymëzim dhe një këndvështrim revolucionar që mund të ishte jashtëzakonisht i çuditshëm dhe shpeshherë në kufi me skandalozen.

“Gabrielii e la shkollën e artit – nuk bëhesh më shumë bohem se kaq”, shpjegon Carol Jacobi. “Vishte fustanin e mbrëmjes gjatë ditës dhe ishte i pari nga këta njerëz që dilte me të zeza për të qenë më interesant”.

Në qëndrimin e tij ndaj dashurisë, Gabrieli ndoshta e shihte veten si një libertin që i shtynte kufijtë. Por, edhe miqtë e tij ishin gjithashtu të pavëmendshëm ndaj emocioneve të dikujt, përveç emocioneve të veta. Teksa ishte në lidhje të gjatë me Elizabeth Siddalin (lidhje që zgjati 10 vjet para se ai t’ia propozonte martesën), Gabriel pati një lidhje me Fanny Cornforthin, një modele e njohur Para-Rafaelite. Më vonë pati një lidhje me Jane Morrisin, gruan e mikut të tij William Morris.

Pasi Siddal vdiq më 1862, Gabrieli u zhvendos në një shtëpi në Çejni Uok në Çelsi. U bë lider i teprimeve të veta me “rokënrol”, veçanërisht me fiksimin për kafshët shtëpiake ekzotike. Vombatët ishin fiksim i veçantë, por ai gjithashtu mbante armadillot, pallonj, kangurët, një urith dhe një zagar pomeranez të quajtur Punch. Manari i tij, një zog tukan u mësua të lëvizte nëpër shtëpi mbi një lamë. Këto kafshë shpesh futeshin nëpër shtëpi ose iknin për të terrorizuar fqinjët e respektuar të Gabrielit. Sipas piktorit amerikan Whistler, një natë vonë, Gabrielit e solli vombatin e vet në tryezë së bashku me kafenë dhe me purot, në mënyrë që të mund t’i shijonte leximet nga një tjetër mysafir – poeti skandaloz Algernon Charles Swinburne.

Tragjedia e modeles më të njohur në art
Lexo po ashtu Tragjedia e modeles më të njohur në art

Këto rrëfime nxjerrin në pah aspektet kryesore të personazhit bohem – përbuzjen për normat borgjeze, një prirje për vetëmitologjizim dhe ndoshta kryesorja është ideja se arti nuk duhet të futet në një galeri apo muze. Për Gabrielin, vetë jeta u bë një formë e artit. Teprimet e Gabrielit shkuan thellë e më thellë më 1869, kur e zhvarrosi kufomën e Siddalit nga varri i saj në varrezat Hajgejt, për të marrë dorëshkrimin me poezi që e kishte lënë poshtë flokëve të saj. Fletat duhej të pastroheshin për dy javë me dezinfektues, para se Gabrieli t’i transkriptonte për botim. Ashtu si Siddali, Gabrieli do të vdesë relativisht i ri më 1882, nga varësia ndaj alkoolit dhe hidratit kloral – qetësues i përshkruar nga mjekësia.

Elizabeth Siddal (1829-1862), e dashura dhe gruaja e fundit e Gabrielit, ishte grua pioniere e shekullit XIX, duke e krijuar modën e saj të pazakontë dhe duke e krijuar pavarësinë si artiste. “E ripërcaktoi krejtësisht veshjen e grave”, thotë Jacobi. “Ajo thjesht nuk mund të lëvizte me krinolin dhe me korse dhe me të gjitha ato gjërat, kështu që ajo që bëri ishte ridizajnimi i rrobave të punës. Dilte me modën që për përshtatej me flokët. Ajo liri e veshjeve ishte kaq frymëzuese. U bë model – nëse donit ta shihnit veten si grua e re progresive, ashtu do të visheshit”.

Siddali ishte grua e klasës punëtore, që u punësua në një dyqan kapelash përpara se të miqësohej me artistët Rara-Rafaelitë – më 1849. Shërbeu si modele në pikturat e tyre dhe më pas u bë vetë artiste. Gabrieli dhe Elizabetha bashkëpunuan dhe ndikuan te njëri-tjetri. Lidhja e tyre e dashurisë dhe martesa eventuale ishin të trazuara dhe problematike dhe që atëherë janë mitizuar. Por, ka aspekte të karakterit bohem që shfaqen fuqishëm në historinë e saj.

“Nuk e bëri jetën e saj sipas rregullave”, shpjegon Jacobi. “I kaloi vitet me Rossettin para se të martoheshin, dhe së fundmi është mësuar se nuk ishte puna që ajo priste nga Gabriel që të martohej me të, por se qëllimisht e ruante pavarësinë e saj”.

Elizabeth Siddall, muza fatkeqe e piktorëve
Lexo po ashtu Elizabeth Siddall, muza fatkeqe e piktorëve

Siddali në thelb ishte autodidakte; e sfidoi kategorizimin shoqëror dhe çlirimin e kishte si simbol krenarie. Këto karakteristika ishin novatore në Londrën viktoriane, por u bënë përkufizim i bohemizmit në shekullin e ardhshëm dhe më tej. Tragjikisht, ashtu si Gabrieli, Elizabetha ishte viktimë e varësisë: vdiq nga një mbidozë e laudanumit, një opioid që u përdor si qetësues dhimbjesh në shekullin XIX.

Historia e [familjes] Rossettis përmban sa triumfe aq edhe tragjedi. Por, dhurata e tyre më e madhe për historinë e artit (e lënë trashëgimi në tri histori shumë të veçanta të jetës) ishte shpikja e subkulturës së parë artistike të Britanisë, që jetonte në konflikt të drejtpërdrejtë me standardet viktoriane. Christina i shkatërroi stereotipat gjinorë rreth krijimtarisë femërore, dashurisë dhe jetës familjare; Gabrieli i shpërfilli normat borgjeze të çdo brezi dhe e bëri jetën e përditshme si ngjarje artistike; dhe Siddali e krijoi një pavarësi unike krijuese dhe sartoriale. Në vend që të jetonin me stilet e jetesës të diktuar nga shoqëria, e zgjodhën rrugën e vet – dhe u bënë bohemët origjinalë të artit britanik. /Telegrafi/