LAJMI I FUNDIT:

BMW njofton për teknologjinë e re të ndryshimit të ngjyrave e cila është zhvilluar nga një inxhiniere australiane

BMW njofton për teknologjinë e re të ndryshimit të ngjyrave e cila është zhvilluar nga një inxhiniere australiane

BMW ka zbuluar veturën e saj më të fundit Art: një i5 elektrik që përdor teknologji dinamike për ndryshimin e ngjyrave.

Teknologjia e zhvilluar nga inxhinierja australiane e BMW, Stella Clarke, është përdorur për të rikrijuar modelet e artistes afrikane, Esther Mahlangu, e cila projektoi veturën e 12-të të BMW Art në vitin 1991.


BMW i5 Flow Nostokana Art kombinon teknologjinë me dizajne të ndryshme gjeometrike të krijuara nga artistja tashmë 88 vjeçare, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Arti i saj më frymëzoi vite më parë, atëherë kur koncepti i ndryshimit të ngjyrës së një veture ishte vetëm një ide në kokën time”, tha Stella Clarke.

BMW ka njoftuar se Clarke ka udhëtuar drejt Afrikës së Jugut për t’i paraqitur zonjës Mahlangu teknologjinë e BMW-së “me ngjyra”.

“Është magjepsëse për mua të shoh se si teknologjia moderne mund ta zgjerojë artin tim dhe ta bëjë atë të qasshëm për një audiencë krejtësisht të re”, tha Mahlangu.

Ndryshe, Clarke prezantoi për herë të parë këtë teknologji në konceptin e BMW iX Flow në fillim të vitit 2022, me SUV-in që tregon aftësinë e tij për të ndryshuar nga e bardha në të zezë. /Telegrafi/