LAJMI I FUNDIT:

Bllokimi i liberalizimit të vizave për Kosovën

Bllokimi i liberalizimit të vizave për Kosovën
Ilustrim

Ermir Gjinishi

Në pritje të lajmit, të gjithë i kthyem sytë nga Brukseli këto ditë. Nuk ndodhi. Në të tilla “vaki” zakonisht njerëzit rreken së kërkuari arsye dhe nxitojnë së gjeturi justifikime, brenda dhe jashtë vetes. Mënyra më e mirë për ta mbajtur fjalën është të mos e japësh atë, thoshte Napoleoni dikur. Them dikur, se sot përgjithësisht ngrënia e fjalëve nuk ia prish apetitin shumëkujt. Sigurisht, ndonjë makiavelist endemik ethshëm do të nxitojë të thotë se politika nuk është moral, por nuk mund ta mohojë se morali ka aftësi të mëkojë çdo endemi politike. Ndonjë marksisti i ka ardhur dita të na kujtojë me krekosje se politika përbëhet nga dy fjalë, “poli” (greqisht) që do të thotë shumë, dhe “tik” një lloj insekti gjakpirës. Në një rast si ky i yni, përgjigjet e irrituara për të hipotekuar lavdinë intuitative, janë më të dëmshme se çdo dështim. Lavdia është helm që duhet marrë me doza të vogla thotë Balzaku.


Rrokupuja e shfryrjeve nga habia apo zhgënjimi, nuk është e duhura në të tilla momente. Por, disa gjëra vlen të thuhen ashtu siç janë. I nisur në vitin 2012, procesi i dialogut për liberalizimin e vizave mori dritën jeshile nga Komisioni Evropian në maj të vitit 2016, dhe në korrik të vitit 2018, Komisioni konfirmoi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. Nga ana e tij, Parlamenti Evropian vazhdimisht ka konfirmuar mbështetjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Megjithatë, pas katër vitesh, qytetarët e Kosovës janë në të njëjtën situatë. Shtyrja e liberalizimit të vizave, do të ketë ndikim negativ në vlerësimin e korrektësisë dhe kredibilitetit të BE-së, jo vetëm për opinionin shqiptar. Nuk mund të ketë dëm më të madh ndaj një shoqërie, sesa të përdorësh kriter-ligjin si kamxhik që mbush me hematoma perspektivën aspirante të saj.

Kosova mbeti i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që akoma nuk e ka prekur liberalizimin e vizave me BE-në. Kosovarët, qytetarë të një vendi evropian, e kanë të pamundur të lëvizin pa viza në Evropën e tyre. Ironikisht, vendet anëtare të BE-së e kanë më të lehtë ta ngrenë traun e vizave për Kolumbinë bie fjala, sesa për Kosovën. Komisioni, Këshilli dhe Parlamenti Evropian, meriton vlerësime maksimale për pohimet mbështetëse, bashkë me kujtesën se një sistem politik i suksesshëm triumfon, sepse ka një pakicë të bashkuar në vlera, kundër një shumice të ndarë në interesa.

Është rasti të rilexojmë saktë, sinqerisht dhe pa ekuivokë, realitetin e krijuar, për të parë çfarë nuk shkon dhe si duhet ndrequr. Kosova ka vite që i ka përmbushur kushtet teknike, prandaj jemi përballë një vendimi politik, jo teknik. Zhgënjimi më i madh është insistimi për ta “justifikuar” atë me qëndrimin e Spanjës. Spanja e komisionerit Borel, anëtare e hershme e NATO-s dhe BE-së, është një nga pesë vendet e BE-së që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Por, kontingjenti ushtarak spanjoll në KFOR është prezent në Kosovë që prej vitit 1999. Ajo e njeh kontekstin e brendshëm të Kosovës dhe nuk ndikohet nga Serbia. Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, pak kohë më parë deklaroi se vendi i tij ishte i hapur për miratimin e liberalizimit të vizave. Spanja nuk ka arsye të bllokonte liberalizimin e vizave.

Ky është një sinjal i dyfishtë që vjen nga Franca dhe Gjermania, të dyja me qeverisje të majtë, të cilat ushtrojnë presion për asociacionin, pika kyçe e planit franko-gjerman. Duke ja lënë Spanjës refuzimin, Franca dhe Gjermania i çojnë qeverisë Kurti mesazhin se pa zgjidhur problemet politike me Serbinë, të dy vendet nuk do kenë hapa të mëtejshëm në BE. Në kushtet e reja gjeopolitike, nëpërmjet Spanjës dhe disa vendeve të tjera skeptike, pa qëndrim zyrtar, Serbisë i dërgohet indirekt mesazhi se mjafton të mos afrohesh me Rusinë, dhe ne jemi në gjendje të tolerojmë qëndrimin tënd ndaj Kosovës. Kjo është pika më nevralgjike që e mban kolateral perspektivën e Kosovës, në këmbim të joshjes serbe.

Qëndrimi heshtës apo refuzues i disa vendeve të BE-së, me kriza të brendshme politike dhe ekonomike, vjen edhe për shkak të eksperiencave të mëparshme të liberalizimit të vizave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ato realisht rezultuan problematike nga numri i madh i të rinjve që lanë vendet e tyre dhe migruan drejt BE-së, kryesisht në Gjermani, Itali, vendet nordike dhe së fundmi me kaosin në La Mansh. Kjo retrospektivë rrit shqetësimin euroskeptik për frenimin e zgjerimit të mëtejshëm. Ekziston një bindje në disa vende të BE-së, se nëse realizohet qarkullimi i lirë, një numër i madh i qytetarëve të Kosovës do emigrojë drejt BE, gjë që do rriste shqetësimin për emigracionin brenda unionit. Mjafton të shohim përplasjen e fortë politike mes Melonit dhe Makronit, ditët e fundit, për çështjen e emigrantëve. Pritet që dimri problematik, kriza energjetike, ajo e drithërave apo emigracioni, do ta rrisin dozën e skepticizmit brenda BE-së.

Prandaj, procesi i zgjerimit dhe qasja gjeopolitike e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor ka nevojë për sinjale të qarta e të besueshme, të cilat mbi të gjitha shprehin solidaritetin politik të unionit. Përndryshe, do të ishte vërtetë ironike që pas kaq shumë kohësh BE ta ketë të pamundur ti ikë aforizmës degoliane “Nuk ka lider evropian që ta bashkojë Evropën. Evropa do të bashkohet nga kinezët”.

Politikisht, shtyrja e liberalizimit mund të interpretohet edhe si ndëshkim i disa vendeve të BE-së për qëndrimin refraktar të Kosovës ndaj Open Ballkanit. Ky është rasti kur polemikat refuzuese në nivele lokale marrin peshë rajonale, për shkak të qëndrimeve të përsëritura kundërshtuese dhe përjashtuese mes palëve, pa ofruar një zgjidhje të pranueshme. Në mungesë të besueshmërisë për një marrëveshje të drejtë, e cila realisht kushtëzohet nga faktorë krejtësisht të tjerë, analogjia mes lokales dhe rajonales, mbetet shëmbëlltyra më e dobët e këtij e arsyetimi.

Kemi nevojë për një diplomaci të zhdërvjelltë, pa komplekse. Qeveria e Kosovës, në këtë pozitë të vështirë, duhet të jetë e kujdesshme në hapat diplomatikë dhe politikë me Serbinë, duke mos i trajtuar vendet e BE si aktore të dorës së dytë dhe se prioritetin politik e kanë vetëm ShBA-në. Më troç, nuk është nevoja t’i kujtojmë Brukselit, në çdo moment, aleatin tonë të vërtetë strategjik, ShBA-në. Ndjenja e xhelozisë apo e inferioritetit të BE-së ndaj ShBA-së, nuk ka pse të ushqehet me sinqeritetin e aleancave tona strategjike. Ajo ka ditur të ekzistojë edhe pa ne.

Qeveria e Kosovës të mos mjaftohet vetëm me qëndrimet e Komisionit Evropian, ku aktualisht ekziston një përplasje e fortë mes burokratëve të Brukselit dhe vendeve anëtare. Tekefundit, vendet anëtare janë vendimmarrëse, jo Komisioni. Diplomacia direkte me vendet anëtare është një dobësi e cila kërkon reagim të menjëhershëm. Ne nuk e kemi as luksin, as forcën, t’i japim leksione optimizmi burokratëve në Bruksel.

Në mesin e kësaj krize të madhe, jo për shkak të Kosovës, ky ishte një lajm tjetër i keq që merr Kosova. Ai paralajmëron kohë të vështira dhe vendimmarrje akoma më të vështira. Qartësia dhe vlerësimi racional i faktorëve ndërveprues, shoqëruar me strategji diplomatike efikase direkte ndaj vendeve skeptike, i mbështetur nga shtetet mike aleate, do të ishte qasja e duhur për të balancuar firot e një procesi me shumë turbulenca interesash.

Në trend

Më shumë
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

Lajme
Tërmet i fuqishëm në Turqi - raportohet për dëme materiale

Tërmet i fuqishëm në Turqi - raportohet për dëme materiale

Turqia
Emiliano Martinez shmang përjashtimin gjatë gjuajtjes së penalltive falë një rregulli pak të njohur – ai ngacmoi tifozët e Lille

Emiliano Martinez shmang përjashtimin gjatë gjuajtjes së penalltive falë një rregulli pak të njohur – ai ngacmoi tifozët e Lille

Ligat tjera
“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

“Vetëm një skuadër në Evropë është më e mirë se Bayern Munich” – legjenda e bavarezëve flet për Tuchel dhe ecurinë e klubit

Liga e Kampionëve
Ai është më i rëndësishëm se sa mendojnë tifozët e futbollit  - djali i Ancelotti kyç në dhomën e Real Madridit

Ai është më i rëndësishëm se sa mendojnë tifozët e futbollit - djali i Ancelotti kyç në dhomën e Real Madridit

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori