LAJMI I FUNDIT:

Bizneset austriake të interesuara për investime në Kosovë

Bizneset austriake të interesuara për investime në Kosovë

Ministri i Financave Hamza gjatë vizitës zyrtare në Austri përveç takimit Bilateral me ministrin e Financave të Qeverisë së Austrisë, mori pjesë edhe në forumin e bizneseve austriake për ti njoftuar me mundësitë e investimit në Kosovë.

Ai me këtë rast informoi bizneset austriake për politikat e favorshme që ka Kosova për investime, si sistemin tatimor më të thjeshtë, tatimin më të ulët në korporata vetëm 10 %, tatimi në të ardhura personale maksimumi është 10%, ndërsa tatimi i vlerës së shtuar është më i ulëti në Ballkan vetëm 18 %.


Po ashtu, ministri Hamza i informoi bizneset austriake se në këtë 9-mujor të mandatit ka marrë vendim për lirim nga tatimi doganor lëndën e parë, gjysmë produktet, linjat e prodhimit dhe pajisjet e TI-së.

“Po ashtu kemi liruar nga tatimi i akcizës të gjitha lëndët ndihmesë që marrin pjesë në procesin e prodhimit”, tha ai, duke shtuar se Kosova posedon një sistem shumë të avancuar financiar.

Në fund të forumit, ministri Hamza në bazë të kërkesës së madhe të bizneseve austriake pati takime bilaterale me një numër të madh të bizneseve që ishin të interesuar për të marrë informata më konkrete për të investuar në Kosovë.

Me këtë rast Oda Ekonomike Austriake në Vjenë e falënderoi ministrin Hamza në emër të bizneseve austriake, që u ndanë shumë të kënaqura me lajmet që morën për mundësinë e investimit në Kosovë. /Telegrafi/