Biografi i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, Michael Wolff, ka deklaruar se ai dhe pedofili i ndjerë, Jeffrey Epstein kanë qenë "miq shumë të ngushtë" nga viti 1989 deri më 2004.

Në një intervistë për Sky News, Wolff tha se nuk është e pazakontë që ata të kenë qenë kaq të afërt.


Wolff, i cili pretendon se ishte personi i fundit që mori një mesazh nga Epstein, tregoi se miqësia e tyre përfundoi në vitin 2004 për shkak të një konflikti rreth një prone në Palm Beach.

“Me shumë gjasë, ata e shihnin veten si beqarë të vjetër. Trump ndonjëherë ishte i martuar, ndonjëherë jo, dhe edhe kur ishte, nuk dukej se martesa kishte shumë rëndësi për të,” tha Wolff.

Ai komentoi edhe mbi fundin e miqësisë mes Trumpit dhe Epsteinit.

“Epstein mendonte se do ta blinte një shtëpi për 36 milionë dollarë dhe e mori Trumpin për t’i dhënë këshilla, përfshirë edhe për zhvendosjen e pishinës. Miku i tij, Trump, e anashkaloi dhe bëri një ofertë prej 40 milionë dollarësh,” tha ai.

I pyetur se si po përballet Trump me skandalin e Epsteinit, Michael Wolff tha se ai e bën këtë përmes "mohimit dhe mjegullimit".

"Njerëzit që më së shumti kërkojnë transparencë janë vetë njerëzit e tij," tha Wolff, duke shtuar se "historia e Epsteinit është kthyer në teorinë kryesore të konspiracionit të lëvizjes MAGA. Ata hynë në një mandat të ri presidencial duke besuar se do të zbulohej e vërteta, pa e marrë parasysh që një pjesë e asaj të vërtete është edhe miqësia e Trump-t me Epsteinin."

Jeffrey Epstein ishte financier amerikan dhe i dënuar për krime seksuale, i njohur për lidhjet e tij me figura të fuqishme nga politika, biznesi dhe bota e argëtimit. Ai u akuzua për abuzim seksual me të mitura dhe drejtimin e një rrjeti trafikimi njerëzor, por vdiq në rrethana të dyshimta në një qeli burgu në vitin 2019, duke nxitur shumë teori konspirative.

Epstein kishte lidhje me figura si Donald Trump, Bill Clinton, Bill Gates dhe princin britanik Andrew. /Telegrafi/