Manuel Neuer pritet të rikthehet si portieri i parë te Kombëtarja e Gjermanisë për Kampionatin Botëror, ndërsa trajneri i përfaqësueses tashmë ka marrë vendimin përfundimtar dhe ka informuar edhe portierin aktual titullar, Oliver Baumann.

Sipas raportimeve të Sport Bild, Baumann është njoftuar nga trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann se Neuer do të jetë zgjedhja e parë nëse rikuperimi i tij përfundon pa probleme. Megjithatë, ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga federata.


Pavarësisht lajmit, Baumann raportohet se i ka garantuar stafit teknik se do të jetë i gatshëm të udhëtojë në Kampionatin Botëror edhe në rolin e portierit rezervë.

Megjithatë, ekzistojnë ende dyshime rreth gjendjes fizike të Neuerit. Portieri veteran u detyrua të largohej nga ndeshja e fundit e Bayern Munich kundër Koln për shkak të problemeve në pulpë.

Sipas raportimeve të Bild, kontrollet mjekësore nuk kanë zbuluar ndonjë dëmtim strukturor serioz, por stafi mjekësor po vazhdon të tregojë kujdes maksimal.

Neuer mund të luajë si titullar edhe në finalen e Kupës së Gjermanisë kundër VfB Stuttgart, por portieri nuk dëshiron të marrë rreziqe të panevojshme në stërvitje, sidomos me Kampionatin Botëror që po afrohet.

Lista zyrtare e Gjermanisë për turneun pritet të publikohet të enjten në orën 13:00. /Telegrafi/

telegrafi sport app