LAJMI I FUNDIT:

Biden ecën vetëm, në sulmin tregtar kundër Kinës

Biden ecën vetëm, në sulmin tregtar kundër Kinës

Nga: Alan Beattie / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Administratat e njëpasnjëshme të ShBA-së, për shumë kohë janë ankuar në lidhje me rrethimin, tejkalimin ose vënien në pozitë të keqe nga ekonomia e Kinës, saqë duket befasi kur dikush këtë përnjëmend e mendon. Njoftimi i 7 tetorit i administratës Biden për kontrollet e reja të eksportit të gjysmëpërçuesve, arriti tek ajo që Donald Trump dështoi gjatë katër vjetëve të angazhimit në politikat tregtare – kërcënoi në mënyrë të sigurt se ShBA-ja dhe Kina, të paktën sektorët e tyre të teknologjisë së lartë, do të shkëputen me forcë. Arritëm te parashikimi i “ndërvarësisë së armatosur”, shfrytëzimi i lidhjeve tregtare dhe financiare për të ushtruar presion gjeopolitik.


Shkalla e lartë e kontrolleve ishte hap i madh, në raport me masat e mëparshme të Trumpit. Në veçanti, ndalesat për qytetarët amerikanë dhe për mbajtësit e lejeve të qëndrimit që punojnë në industrinë e gjysmëpërçuesve në Kinës, nënkuptojnë që qindra punonjës, përfshirë prodhuesin holandez lider në botë, ASML, të ndalojnë punën brenda disa ditëve.

Lëvizja e Bidenit është e rrezikshme, jo vetëm për shkaqet që ashiqare shihen si hakmarrje e drejtpërdrejtë. Pekini me të vërtetë mund t’i bllokojë eksportet e materialeve kritike në ShBA, si metalet e rralla, ose ta vërshojë botën me çipa të lirë vendorë për të ndërtuar një treg tjetër dhe për të inkurajuar varësinë ndaj vetes. Rrezik kryesor është se ShBA-ja, duke vepruar kryesisht pa aleatë, po nxit konflikt të madh tregtar dhe teknologjik të cilin mund të mos e fitojë përgjithmonë. Kina tashmë po e ndërton kapacitetin e brendshëm teknologjik, përmes strategjisë së qarkullimit të dyfishtë të Xi Jinpingut – lëvizje në ekonominë kineze që shkon drejt mbështetjes te vetvetja.

ShBA-ja tradicionalisht ka pasur parasysh kontrollet e eksportit, duke i lejuar kompanitë amerikane që të sigurojnë të ardhura jashtë shtetit dhe duke e lënë Kinën, në aspektin teknologjik, një brez apo më shumë prapa. Nëse Uashingtoni e braktis këtë për kontrolle të rrepta dhe për një garë gjithëpërfshirëse teknologjike, duhet të maksimizojë efikasitetin në rrjetet ndërkombëtare të furnizimit – për shembull, duke përfshirë avancimin e Evropës në hulumtimet për çipat e fazës e hershëm dhe të prodhimit të makinerive.

Nëse doni ta filloni një përleshje, më mirë të jeni pjesë e një bande. Zinxhirët e furnizimit të gjysmëpërçuesve janë shumë kompleks. Ndërprerja e Kinës mund t’i zbulojë papritur dobësitë që ShBA-ja nuk dinte se ekzistojnë.

Në mënyrë jo të dobishme, strategjia më e gjerë tregtare e Bidenit që ndërlidhet me sigurinë, ka një element shumë të fortë ngushëllues për kthimin e kompanive në vend. Akti i çipave të ShBA-së, megjithëse supozohet se është i koordinuar me versionin e BE-së, duket se do të krijojë dyfishim përmes krijimit të zinxhirëve paralelë të furnizimit.

Për të qenë të drejtë, ShBA-ja ka kaluar muaj të tërë me përpjekjet për ta bindur BE-në dhe aleatët tjerë që të miratojnë kontrolle të ngjashme të eksporteve, në mënyrën e njëjtë se si u bashkërenduan ndalesat tregtare për Rusinë. Megjithatë, qasja e BE-së ndaj kontrolleve bazohet në shënjimin e saktë të produkteve, gjë që del nga lista multilaterale e teknologjive të kufizuara dhe jo në qasjen spektrit të gjerë të SHBA-së. Pasi dështoi, Uashingtoni shkoi vetë para.

Ndoshta për shkak të asaj përpjekjeje diplomatike, janë zbutuar klithmat e tradhtisë nga ana e BE-së. Kontrollet e ShBA-së në disa mënyra mund të dëmtojnë kompanitë evropiane, përfshirë kufizimin e përdorimit të komponentëve amerikanë në makineri, në kufizimin e shitjes së çipave të destinuar për superkompjuterët kinezë, si dhe në pengimin e punësimit të qytetarëve amerikanë. Por, sikurse me caktimin e taksave për automjetet elektrike të prodhuara nga Amerika e Veriut – përmes Aktit të Bidenit për Reduktimin e Inflacionit (IRA) – BE-ja dhe aleatët tjerë të prekur kërkojnë sqarime dhe përjashtime, në vend se të kërcënojnë me çështje gjyqësore në Organizatën Botërore të Tregtisë ose me diçka më të fortë.

Është mirë të kesh bashkëbisedues relativisht konstruktiv në administratën e Bidenit, sidomos pas kapriçove të ashpra të Shtëpisë së Bardhë të kohës së Trumpit. Pas ankesave, ShBA-ja në mënyrë të përkohshme hoqi dorë nga ndikimet në operacionet e kompanive të gjysmëpërçuesve me bazë në Kinë, te kompanitë koreane SK Hynix dhe Samsung. ASML, një xhevahir në kurorën e BE-së, tha dje se nuk është shumë i prekur nga kontrollet e reja.

Megjithatë, nuk ka gjithmonë koordinim midis aleatëve. Në një fjalim shumë të diskutuar të kohëve të fundit, Chrystia Freeland, ministrja kanadeze e Financave, deklaroi se është adhuruese e rrjeteve të furnizimit me aleatë, ose të ndërtimit të rrjeteve të furnizimit me vendet që kanë të njëjtin mendim.

Freeland lavdëroi zgjerimin e kreditit tatimor të IRA-s, për komponentët e baterive të automjeteve elektrike me secilin vend me të cilin ShBA-ja ka marrëveshje tregtare. Por, kreditë për montimin e makinave janë vetëm për makinat e ndërtuara në Amerikën e Veriut. Ulja e taksave, e rezervuar fillimisht për prodhimin amerikan, u shtri në Kanada dhe në Meksikë, pas lobimit përcaktues nga Otava. BE-ja, Japonia dhe Koreja e Jugut, të cilat mbeten të përjashtuara nga rrethi tërheqës i preferencave tatimore, mund të reflektojnë se disa miq janë (në këtë rast) më të afërt se të tjerët.

Natyrisht, ballafaqimi me Evropën për tregtinë dhe sigurinë kombëtare mund të jetë acarues. Gjermania për dekada të tëra i injoroi paralajmërimet për varësinë nga gazi rus. BE-ja duhet me mirëbesim t’i qaset çështjes së Kinës, jo e nxitur nga grupi ndikues i eksporteve të saja.

Bashkëpunimi do të jetë i mirë për të dy palët. Sa më kompleks të jetë ekosistemi i furnizimit që bazohet brenda aleancës së koordinuar të sigurisë kombëtare, aq më shumë do të jetë elastik ndaj pengesave të qeverive armiqësore të vendeve të treta ose të goditjeve nga pandemitë apo forcat tjera të natyrës. ShBA-ja ka marrë përsipër një rrezik të madh. Është më mirë të mos e marrë këtë vetëm. /Telegrafi/