LAJMI I FUNDIT:

BIBLIOTEKA

BIBLIOTEKA
Jacques Sternberg (Foto: Sophie Bassouls/Sygma/Corbis)

Nga: Jacques Sternberg
Përktheu: Salajdin Salihu

Asgjë s’është më e mbrojtur prej zhurmës sesa biblioteka. Lejohet hyrja vetëm e shurdhmemecëve, nëse nuk janë me tuberkuloz ose me ftohje, por ama vetëm me sandale të lehta, pa unaza, orë dore, ose sende që mund ta prishin qetësinë.


Në çdo dy metër të korridoreve janë rojet e armatosura, që kujdesen për zbatimin e rregullave. Thelbi i tyre shprehet me mbishkrime në pllaka çeliku.

“Ecni ngadalë”, mund të lexohet në to. “Mos merrni frymë me hundë”, “Mos i prekni muret”, “Ecni majë gishtash”.

Urdhrat saktësohen dhe bëhen më të rreptë në pragun e leximores. Aty janë dy mbishkrime të mëdha, ku janë shënuar dy ndalesat më kryesore.

E para: “Ndalohet shfletimi i librave”.

E dyta: “Ndalohet leximi”. /Revista “Akademia”/