LAJMI I FUNDIT:

“Besimi Politik në Kosovë”, në këndvështrimin e krijueses Ermira Babamusta

“Besimi Politik në Kosovë”, në këndvështrimin e krijueses Ermira Babamusta

Libri është një studim shkencor 10-vjeçar dhe trajton pyetjen: “Cilët janë faktorët që ndikojnë besimin politik në një demokraci tranzicionale?” duke trajtuar Kosovën si rast-studimi

Dr. Babamusta ka kryer dy hulumtime në Kosovë, ku ka marrë të dhëna origjinale me pyetësorë enkas për ekspertët. Në vitin 2012-13 kanë marrë pjesë 220 pjesëmarrës, dhe 40 të tjerë në vitin 2017-18 për të bërë krahasimet e ndryshimit të perceptimeve të publikut mbi nivelin e besimit politik në Kosovë.

Pjesëmarrësit në pyetësorët janë zyrtarë dhe ekspertë nga 10 fusha kryesore, përkatësisht: Asambleja e Kosovës, qeveria e Kosovës, Forcat e Sigurisë, Ministria e Diasporës, Ministria e Kulturës, Sportit dhe Rinisë, OKB-ja, BE-ja, NATO, media/TV dhe profesorë nga Universiteti i Prishtinës dhe Instituti Albanologjik.


Libri i kushton vëmendje periudhës para pavarësisë dhe pas pavarësisë së Kosovës, duke analizuar besimin politik nacional dhe internacional në shtatë fusha të besimit politik: (1) besimi në qeveri, (2) besimi në politikanë (liderët në Kosovë si Presidenti dhe Kryeministri ), (3) në sistemin ligjor (gjykata lokale dhe Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë – KSC), (4) besimi në polici (policia e Kosovës, KFOR), (5) besimi në organizata ndërkombëtare (BE, OKB), (6) besimi në shtete të tjera/ambasada (Ambasada e Amerikës, lidhjet diplomatike me jashtë) dhe (7) besimi në media/TV.

Rezultatet tregojnë një ndryshim të dukshëm midis besimit politik në institucionet vendore nga ato ndërkombëtare. Saktësisht, vetëm 30% kanë besim në gjykatat vendore në Kosovë, duke e krahasuar me 70% besim në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë për vitin 2018. Ndërsa shqiptarët si në vend dhe ato me vendbanim jashtë shtetit kishin të njëjtin nivel të mosbesimit në qeverinë e Kosovës. Kurse të huajt treguan një nivel më të lartë të besimit në qeverinë e Kosovës në krahasim me shqiptarët.

Edhe pse raporti i studimit tregon një nivel të ulët në qeverinë e Kosovës, studimi zbulon se Ambasada Amerikane (70%) dhe Policia e Kosovës gëzojnë besimin më të lartë. Nga institucionet e huaja NATO mori përqindjen më të lartë të besimit politik me 84%, vijuar nga BE-ja me 77% dhe OKB-ja vetëm me 51%.

“Besimi Politik në Kosovë” (Political Trust in Kosovo), është në shitje në Sh.B.A., Angli, Gjermani, Francë, Spanjë, Itali, Japoni, dhe Kanada.

Libri akademiko-shkencor, është edhe në dispozicion të lexuesve dhe mund të porositet në Amazon si botim shtypi dhe Kindle. Ndërsa versioni dixhital “eBook “(formati PDF) mund të shkarkohet direkt nga uebfaqja www.nyelitepress.com.

Autorja planifikon që së shpejti ta botojë edhe në shqip për organizatat, studentët dhe akademikët në Tiranë, Prishtinë, dhe Shkup.

Rreth autores:

Para pozitës si drejtoreshë e fushatës presidenciale për Presidentin Obama, Dr. Babamusta filloi karrierën e saj në punët e jashtme në Kongresin Amerikan. Ermira fillimisht erdhi në Capitol Hill për të punuar për Senatorin Tom Harkin dhe më vonë për Kongresmenin Mark Kennedy. Gjithashtu ka punuar për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, departamenti i paqes në Nju Jork.

Ermira u diplomua me doktoraturë (Ph.D.) në Shkenca Politike dhe Administrim Publik, si dhe ka fituar dy grada Master po në të njëjtat degë. Ka kryer dy programe të tjera, “Siguria e Mbrojtjes Kombëtare” nga Harvardi dhe Diplomacia e OKB-së. Si dhe ka ndjekur një studim jashtë shtetit, programi i Strasburgut, “Institucionet dhe Ligjet e BE-së” në Francë.

Ermira Babamusta është fituese e disa çmimeve si, Çmimi i Artë i Presidentit Obama nga Shtëpia e Bardhë, Çmimi i Shquar Humanitar nga Kongresi Amerikan, Udhëheqësi i mazhorancës Senatori Harry Reid, Çmimi Inaugural “10 Under 10 Award,” Gruaja e Vitit, Gruaja e Kurajos, Ekselencë në Lidership, etj.

Ermira Babamusta është autorja e “Besimi Politik në Kosovë: Dinamikat Kulturore dhe Institucionale,” (Political Trust in Kosovo: Exploring Cultural and Institutional Dynamics), “Udhëtimi Legjislativ i Diskriminimit në Punësim” (#1 në Botimet e Reja në Amazon, “The Legislative Journey of Employment Discrimination”) dhe “Diplomacia dhe Shtetformimi i Kosovës” (Diplomacy and Nation Building in Kosovo). /Telegrafi/