Bashkëpunimi mes rapsodit dhe shkrimtarit është i dobishëm


Bashkëpunim mes rapsodit dhe shkrimtarit është i dobishëm, jo vetëm për këta të dy, por për gjithë shoqërinë.
Të gjithë nuk mund të bëhemi rapsodë e këngëtarë. Të gjithë nuk mund të bëhemi as shkrimtarë as artistë. Rrëmuja që është krijuar tek ne në lëmin e kulturës, lidhje nuk ka me kulturë.
Po që se dikush kërkon far rendi, ajo moria që nuk njeh rend as vlerë, e masakron menjëherë. Ka rapsod që ka arritur nivelin e artistit meritor. Në një shëtitje të gjatë nëpër rapsodi hasim vargje të përkryera artistike. Ama menjëherë duhet shtuar vlerësimin tjetër tepër kritik se: në këtë shëtitje nëpër rapsodi hasim edhe vargje pa pikë kuptimi. Mund të thuhet lirisht se gjithkush nuk di të këndojë. Çka është edhe ma keq, ka plot të vetëquajtur këngëtarë që këndojnë, por nuk e dinë as kuptimin e fjalëve që i kanë mësuar përmendësh.
Të dy këto vlerësime domosdo shtrojnë nevojën e bashkëpunimit mes atyre që vërtetë kanë zë për këngë, dha atyre që ja kanë anën kalemit për të shkruar. Nuk është marre as nënçmim bashkëpunimi mes këtyre dy kategorive të artit dhe kulturës.
Kemi parë kur dikush ka bashkëpunuar mirë, tash shikon nga lart rrëmujën që po ndodhë poshtë.
Shtrohet pyetja tjetër; pse mungon bashkëpunimi mes rapsodit popullor dhe shkrimtarit?
Mos vallë në kohen e re shumëkush mendoi se mund të shkruante edhe të këndonte pa problem. Edhe më herët kur njeriu ynë nuk dinte fare shkrim lexim, thurte e këndonte këngë me pak a shumë sukses. Me kohë dalloheshin talentet brenda rrethit të tyre shoqëror. Rapsodi talent dallohej shumë shpejt jo vetëm me zë por edhe me vargjet që thurte plot kuptim. Rrethi i tij shoqëror ishte kritiku më i mirë për të. Rapsodi i talentuar i merrte kritikat si mësim dhe përmirësonte tekstin e këngës në vazhdimësi. Me shekuj, duke mos ditur shkrim lexim ata duhej mbanin mend shumë vargje. Kishte këngë të gjata kreshnikësh të cilat nuk mund ti këndonte gjithkush. Madje rapsodët e këngëve kreshnike ishin shumë të rrallë dhe ata sajonin vargje duke kënduar.
Për shumë shekuj, nuk këndohej me pagesë si tash. Këndonte ai që ishte i lindur talent. Dhe këtë talent e përkrahte me dëshirë edhe rrethi i tij shoqeror. Madje një rapsod i mirë behej njeri për mburrje të gjithë një fshati apo krahine.
Ka dëshmi se kur rapsodi nuk përfillte faktet për një ngjarje me rendësi merrte kritika serioze. Dhe herën tjetër duhej ta kishte përmirësuar tekstin e këngës.
Po të analizojmë rapsoditë e mëhershme shohim se kujdesi për vargun artistik dhe kuptimor ishte më i madh se sot.
Që kur rapsodët filluan të këndojnë me pagesë, ata nuk përmirësuan vargun artistik, por përkundrazi harruan krejt bukurinë dhe përmbajtjen e vargut.
Ju që akoma doni folklorin, vetëm kujtoni këngën e duetit Sali e Feriz Krasniqi kur këndonin këngën “Lulëzoi fusha, lulëzoi mali”! Shumë rapsodë deri sot janë përpjekur të arrijnë atë nivel këndimi, por pa sukses.
Ka fakte të mjaftueshme që dëshmojnë se rapsodi që ka filluar të dallohet është ftuar më tepër në ndeja rasti apo më vonë nëpër dasma e ahengje të kohës.
Janë thurë e kënduar këngë për ngjarje e heroizma të ndryshëm.
Me kohë është kuptuar edhe ana tjetër e këngës, ana e ndikimit pozitiv apo negativ tek masa.
Nuk ka kaluar shumë kohë për dallimin e më të mirëve. Ata që ishin talent kanë shfaqur më shumë prirje për bashkëpunim dhe kjo u ka sjell sukses më të madh. Jo pak here, një rapsod duke mos qenë i aftë ta mësoi tekstin e një kënge, ka shtuar fjalë e vargje pa asnjë kriter, shpeshherë duke ja prishur edhe përmbajtjen e një rapsodie të caktuar.
Nuk është i madh numri i rapsodive, tekstet e të cilave janë ruajtur e kënduar me besnikëri për më shumë se një shekull.
Ka rapsod kokëfortë që edhe kur nuk e kupton fjalën që këndon, me vite e këndon gabimisht.
Për shembull në vargun e parë të këngës që ka kënduar Dervish Shaqa thuhet: Pyet Kosova për një çikë, veç muranën me ja ditë?
Jo pak këngëtarë të tjerë që këndojnë këtë këngë, nuk e kuptuan drejt fjalën muranë, por e këndojnë akoma gabimisht. Murana e morali kanë kuptime thellësisht të ndryshme
“Pyet Kosova për një çikë, veç moralin me ja ditë”.
Rapsodët kokëfortë, as vërejtët e rastit nuk i përfillin. Ose të rapsodia për Selman Kadrinë.
Kënga nisë me vargun;
Rrehi teli i Shqipnisë, me i këndue hatme Selman Kadrisë .
Nga ana figurative ka dallim të madh mes telit të Shqipnisë dhe telit të sharkisë.
Dihet se për shumë vite, disa rapsodi janë kënduar fshehtas jo vetëm nga pushteti por edhe nga një pjesë e rrethit shoqëror. Në njërën anë nga pushteti, por në anën tjetër edhe nga një pjesë e rrethit të cilit me siguri nuk i pëlqente.
Në vazhdim disa shembuj nga disa rapsodi të njohura
“Ndalma kalin se du me zhdrypë
“Njanën këmbë në tokë e ka qitë.
Tjetra në praçe ju koçit
Daja i zi i ra sakicë
Krah e krye po ja llomitë”! (kënga e Selman Kadrisë)
Kritiku do ta vlerësonte përshkrimin e këtij aktit të rëndë. në aspektin artistik, por jo ma tepër. Ka këtu fjalë fjalë tepër të rënda që autori anonim i përdorë me qellim...
Kur Selmani e mbushë pushkën dhe e provon, largohet njëzetë hapa dhe e thërret Kerstiqin
Kthehu knena he tradhtar!
Shumë e nënën ke lanë pa djalë
Shumë e motrat pa vllazni
Ke vra gjin tu shku në mulli
O në djepa ke pre sabi(foshnje)
Si në Kosovë e në Boshnjaki
Vrojtuesi i mirë i folklorit nuk ka hasur rapsod që ka kuptuar se Kerstiqi nuk është tradhtar, por barbar. Thjeshtë Kerstiqi nuk kishte lidhë kurrfarë bese me shqiptarë që t’i tradhtonte.
Rapsodi është kokëfortë. Edhe kur dikush i tregon gabimin, ai nuk e ndreq.
Gabon rapsodi edhe të kënga e Danit.
Derisa në një varg më lart, rapsodi e quan mikun e Danit të parod, në vargun tjetër duket sikur harron çka ka thënë më lartë dhe thotë:
“Nusja e Danit sojnike ish kanë”. Nëse familja e nuses kishte qenë pa rod, (logjikisht, nusja zor do të kishte dal sojnike(rod).
Nuk janë të gjithë rapsodët kokëfortë. Ka të tillë që janë përmirësuar vazhdimisht. Ka rapsodë që këndojnë, por as që kanë menduar ndonjëherë për përmbajtjen e rapsodisë që kanë kënduar.
Rapsodët, kohë të gjatë ishin analfabet, por këngët i mësonin e këndonin përmendesh duke mos ua humbur kuptimin qendror. Ata kujdeseshin edhe çka po këndojnë. Së paku fjalët nuk i këndonin gabimisht, pasi e dinin se rrethi shoqëror mund ti përqeshte menjëherë. Shtrohet pyetja; pasi rapsodët me shekuj ishin kryesisht analfabet dhe nuk mund të kritikoheshin pse nuk bashkëpunonin mes tyre, po përse atëherë nuk bashkëpunojnë tash? Pse shkrimtarët e sotëm, megjithëse janë shkolluar, nuk bashkëpunojnë mes tyre?
Lëvdatat nuk mund të quhen kritikë. Kritika në secilën fushë të artit duhet ta thoshte fjalën e saj meritore. Nuk mund të quhet kritikë një tekst i gjatë me shumë lavde, krejt pa kuptim.
Rapsodët tanë janë shumë më të vjetër se shkrimtarët.
Edhe rapsodët edhe shkrimtarët duhet të gjejnë rrugë bashkëpunimi. Nga bashkëpunimi fitojnë të gjithë. Madje bashkëpunimi i tyre nxitë edhe bashkëpunimet tjera në fushën e kulturës e cila sot ka aq shumë nevojë.






































