Atletico Madrid po shtyn fort për transferimin e Bernardo Silva, me mesfushorin portugez që po shihet si një nga emrat më të mëdhenj të afatit kalimtar veror.

Sipas raportimeve të mediave italiane, lojtari i Manchester City ka refuzuar mundësinë për t’iu bashkuar Juventusit, duke i dhënë përparësi një kalimi të mundshëm në kryeqytetin spanjoll.


Klubi madrilen është në kërkim të një lojtari me eksperiencë dhe personalitet të madh, sidomos në rast të largimit të mundshëm të Antoine Griezmann.

Në këtë kontekst, Bernardo Silva konsiderohet profili ideal për skuadrën e drejtuar nga Diego Simeone, falë inteligjencës në lojë, fleksibilitetit taktik dhe eksperiencës së fituar në elitën evropiane.

Portugezi ka kontratë me Manchester Cityn deri më 30 qershor 2026, çka e bën situatën e tij shumë interesante për klubet e mëdha evropiane.

Pas nëntë sezonesh të suksesshme në Angli, aventura e Bernardo Silvës te Manchester City duket se po i afrohet fundit.

Që nga transferimi nga AS Monaco në vitin 2017, ai është shndërruar në një nga figurat kyçe të epokës së Pep Guardiola, duke fituar tituj të shumtë në Ligën Premier, kupa vendore dhe Ligën e Kampionëve.

Bernardo Silva mbetet një mesfushor kreativ, i sigurt me topin dhe shumë i vlefshëm në skema taktike kërkuese.

La Liga shihet si një destinacion ideal për stilin e tij të lojës, ndërsa Atletico beson se ai mund t’i japë skuadrës më shumë kreativitet dhe zgjidhje në fazën sulmuese.

Portugezi është përmendur edhe si opsion për Real Madridin, por klubi madrilen nuk duket i interesuar të futet në garë për shërbimet e tij.

Megjithëse marrëveshja nuk konsiderohet ende e mbyllur, sinjalet e fundit favorizojnë Atleticon. Nëse lojtari vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim dhe klubet arrijnë marrëveshje financiare, transferimi mund të marrë hov shumë shpejt gjatë javëve të ardhshme. /Telegrafi/

telegrafi sport app