LAJMI I FUNDIT:

Beqaj në CEDx: Kosova ka potencial njerëzor superkreativ (Foto)

Beqaj në CEDx: Kosova ka potencial njerëzor superkreativ (Foto)

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj ka vizituar Qendrën për Inovacion CEDx në Pejë.

Ai gjatë kësaj vizite ka mbetur i mahnitur me potencialin dhe resurset që i ka Kosova  për zhvillim në fushën e teknologjisë. Ministri Beqaj ka thënë se arritjet aktuale teknologjike në Kosovë, nëse do t’i mendonim më herët do të ishin të pabesueshme.


“Me resurset më të çmuara të vendit tonë, ne sot në Qendrën për Inovacion CEDx, jemi duke diskutuar që si mund të kthejmë ekonominë e Kosovës në një shoqëri të re me #robotët, për të mundësuar automatizimin e çdo pune të mundshme me qëllim të thjeshtimit dhe rritjes së efikasitetit në punë. Kjo është arsyeja pse ne duhet të festojmë për këtë potencial njerëzor super kreativ që e kemi”, ka shtuar Beqaj.

Njëri nga themeluesit e CEDx, Edon Zeqiri ka thënë se vizita nga ministri Beqaj është motiv për të vazhduar tutje punën të cilën e kanë filluar para tre muajve.

Sipas tij, mbështetja institucionale është shumë e rëndësishme në rritjen dhe zhvillimin e hapësirave të tilla.

“Ne jemi qendër që merremi më fusha si robotika, elektronika, dizajni, zhvillimi i ueb faqeve, drejtime të cilat për t’i shtyrë përpara nevojitet edhe investime financiare”, ka shtuar Zeqiri.

Ndryshe, Beqaj tash e një kohë ka nisur vizitat nëpër hapësirat krijuese në fushën e teknologjisë, ku ka premtuar mbështetje nga dikasteri të cilin ai e drejton. /Telegrafi/