LAJMI I FUNDIT:

Beqaj: Bashkëpunimi i ndërmarrësve nga diaspora dhe Kosova mund të shndërrohet në fuqi ekonomike

Beqaj: Bashkëpunimi i ndërmarrësve nga diaspora dhe Kosova mund të shndërrohet në fuqi ekonomike

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj ka marrë pjesë në Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “Migracioni, Diaspora dhe Zhvillimi Ekonomik” organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Fakulteti Ekonomik, mbështetur nga UNDP.

Në hapje të kësaj konference ministri Beqaj ka folur për shkaqet e migracionit gjatë periudhave të ndryshme, kontributin e Diasporës së Kosovës dhe për mundësitë e zhvillimit ekonomik të Kosovës.


“Bashkëpunimi i ndërmarrësve nga diaspora me ata të Kosovës mund të shndërrohet në fuqi ekonomike. Qytetarët e Kosovës që janë rezidentë në disa vende të BE-së janë të gatshëm për ta sjellë një pjesë të kapitalit në Kosovë”, theksoi ai.
Beqaj tha se Kosova ka resurse të mëdha brenda dhe jashtë Kosovës, të cilat nuk i kanë vendet tjera dhe mbi të cilat duhet të bazohet fuqia ekonomike e shtetit.

Po ashtu Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj ka folur edhe për rëndësinë që ka ndryshimi i qasjes në edukim në shërbim të tregut të punës, duke theksuar edhe propozimin e tij që do t’ia bëjë Kryeministrit për futjen në shkolla të lëndëve të ndërmarrësisë dhe kodimit, më qëllim që të rinjtë të përgatiten me njohuri dhe shkathtësi që po i kërkon avancimi teknologjik në botë.

Ai ka përmendur edhe aktivitete dhe rezultatet konkrete të punës së Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë që nga themelimi, me qëllim të përkrahjes së ndërmarrësve dhe inovatorëve. /Telegrafi/