Edhe pse Benny Blanco dhe Selena Gomez mund të jenë duke mbajtur të fshehta planet për martesë, producenti muzikor nuk e fsheh dëshirën e tij për të krijuar një familje. Në një intervistë të fundit për InStyle, Benny tregoi hapur se ka filluar të mendojë për prindërimin: “I dua fëmijët, më pëlqen të jem dajë. Dua të bëhem baba, nëse është e shkruar. Ëndërroj dhe lutem çdo ditë për këtë”, tha ai.

Nga ana tjetër, Selena Gomez ka folur më herët për vështirësitë që ka për të pasur fëmijë biologjikë për shkak të problemeve shëndetësore. Në një intervistë për Vanity Fair, ajo u shpreh:
“Kurrë nuk e kam thënë publikisht, por fatkeqësisht nuk mund të kem fëmijë vetë. Kam shumë komplikime shëndetësore që do të rrezikonin jetën time dhe të bebit. Kam kaluar një proces të vështirë për ta pranuar këtë”.


Selena jeton me lupus, një sëmundje autoimune për të cilën në vitin 2017 iu nënshtrua një transplantimi të veshkës, dhe gjithashtu vuan nga çrregullimi bipolar, të cilin e menaxhon me medikamente. Në vitin 2022, ajo tregoi për Rolling Stone se mjekimet e saj mund ta bëjnë shtatzëninë të rrezikshme, por kjo nuk ia ka zbehur dëshirën për t’u bërë nënë:
“Unë jam një nga ato persona”, tha ajo, duke iu referuar atyre që ëndërrojnë të kenë fëmijë.

“Jam e emocionuar kur mendoj për atë rrugëtim, edhe pse do të jetë pak më ndryshe. Por në fund të ditës, nuk më intereson. Do të jetë fëmija im. Do të jetë bebja ime,” shtoi Selena. Ajo ka konsideruar edhe birësimin dhe nënën surrogate si opsione – nëna e saj është birësuar, dhe këtë e konsideron një bekim për familjen e saj.

Çfarëdo që të ndodhë, çifti tashmë ka një vend ideal për të nisur jetën familjare. Në fillim të këtij viti, ata blenë një shtëpi luksoze në stil spanjoll në Beverly Hills, me vlerë 35 milionë dollarë, të cilën Benny e ka shndërruar në një vend plot kreativitet dhe shpirt. “E dua ndjesinë që një shtëpi të jetë personale”, tha ai. “E urrej kur hyn diku dhe mendon: ‘Duket sikur askush nuk jeton këtu!’ Nuk dua të kem frikë të ulem në ndonjë vend”.

Në të njëjtën intervistë, Blanco falënderoi nënën e tij që e ndihmoi të bëhet një partner që kupton emocionet e grave: “Mamaja ime gjithmonë gjente kohë të më shpjegonte si funksionon mendja e një gruaje, sepse ajo vetë kishte kaluar shumë trauma në takime ndërsa unë rritesha”, tha ai.

Duke qenë fëmijë i prindërve të divorcuar, ai tregoi se inteligjencën emocionale e ka mësuar vetë, pasi asnjë burrë nuk i ka shërbyer si shembull. Ka mësuar edhe duke parë shokët e tij: “Shumica e burrave janë shumë të këqij me gratë – nuk i dëgjojnë. Gruaja do të të thotë saktësisht çfarë ka nevojë. Gjithmonë duhet ta pyesësh gruan çfarë dëshiron të bëjë,” tha ai.

Duke folur për lidhjet e kaluara, Blanco pranoi se gjithçka ka qenë provë dhe gabim: “Mos fol gjithmonë për veten. Aplikoje këtë... dhe prapë e bën rrëmujë, o Zot,” tha ai me humor, duke shtuar se ka puthur shumë ‘bretkosa të bukura’ përpara se të gjente Selenën. Mesazh që ai ka për gratë? “Mos pranoni kompromise”. /Telegrafi/