Ben Qimja, i forti i Fierit me makinë të blinduar kur u vu në pranga

Ai dyshohet të ketë trafikuar sasi të mëdha droge në kuadër të një organizate të fuqishme që vepronte në vendin përtej Adriatikut dhe ishte dënuar me 30 vite burg. Emri i tij është skeduar që herët në dosjet e policisë italiane, pasi Antimafia ka përgjuar për një kohë të gjatë personat e përfshirë në aktivitetin kriminal. Më herët, Arben Isufaj ka 'fituar' një përballje me gjykatat shqiptare, pasi dyshohej për vrasje me paramendim, por u la i lirë për mungesë provash.
Biznesmeni Isufaj së bashku me dy miq të tij ishte duke udhëtuar drejt Fierit me një makinë të blinduar, kur forcat speciale të Policisë së Shtetit dhe FNSH-ja e Fierit, i kanë zënë 'pritë' duke i vënë prangat. Zyrtarë të Policisë së Shtetit i thanë "GSH" se Isufaj, rezultonte të ishte person në kërkim ndërkombëtar, pasi është dënuar me 30 vite burg për trafik drogash të forta në Itali dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Në momentin e ndalimit, Isufaj nuk ka bërë asnjë rezistencë, por me qetësi ka ndjekur pas specialët e shumtë. Ai është dërguar në ambientet e komisariatit të Fierit, ku ka qëndruar vetëm pak minuta. Më pas, nën masa super të rrepta sigurie është transferuar për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku do të qëndrojë të paktën derisa gjykata të vendosë për fatin e tij. Autoritetet italiane pritet që brenda afatit 40-ditor të sjellin kërkesën për ekstradim për të fortin e Fierit, i cili, nëse dorëzohet në shtetin fqinj, shumë vite të jetës do t'i duhet t'i kalojë prapa hekurave.
I cilësuar si i forti i Fierit, ka pasur më herët një përballje të gjatë me drejtësinë shqiptare, ku mundi të sfidojë prokurorinë. Ai dyshohej për vrasjen e Piro Koçiut, më 12 gusht 2002, në një pallat në rrugën "Him Kolli" në Tiranë.
Në dosje thuhet se Koçiu ka dalë me vrap nga shkallët e pallatit, dhe në oborrin e tij është penguar nga një person. Në këto momente, Koçiu është rrëzuar dhe është qëlluar me shqelma dhe me grushta nga dy persona, ku njëri nga ata e ka qëlluar në distancë fare të afërt në kokë me pistoletë, ku për pasojë ka gjetur vdekjen në vend. Në një rrugicë qorre që të nxirrte në rrugën "Myslim Shyri" në Tiranë, janë gjetur dy armë zjarri, njëra pistoletë tip 'Zastava' dhe tjetra 'Mauser', të cilat dyshohet se ishin përdorur në vrasjen e Koçiut.
Dyshimet për vrasjen ranë mbi Arben Isufajn, pasi një gjurmë e pjesshme gishti e gjetur në një krehër pistoletë, rezultonte të ishte lënë nga i pandehuri. Duke qenë se ekspertët dilnin në përfundime të ndryshme lidhur me provën më kryesore që vendoste për fatin e Isufajt, prokuroria vendosi të pushojë hetimet ndaj tij. Më 1 tetor 2007, hetimet ndaj të njohurit si Ben Qimja u hapën dhe ai u vu nën akuzën e "vrasjes me paramendim", në bashkëpunim.
I dyshuari kërkoi pushimin e çështjes, duke pretenduar se aktet e prokurorisë ishin absolutisht të pavlefshme. Kërkesa e të pandehurit Arben Isufaj u pranua nga Gjykata e Tiranës, e cila vendosi të pushojë çështjen penale ndaj tij dhe të lirojë nga qelitë biznesmenin./Gazeta Shqiptare/

















































