Bella Hadid rikthehet në pasarelë për Saint Laurent pas trajtimit të sëmundjes Lyme

Bella Hadid është rikthyer fuqishëm në botën e modës. Modelja 28-vjeçare, pas një periudhe trajtimi për sëmundjen Lyme, sfiloi në Javën e Modës në Paris për shtëpinë prestigjioze Saint Laurent.
Ngjarja u zhvillua më 29 shtator, në një skenë madhështore në kopshtet pranë Kullës Eiffel, ku Bella u shfaq me një pallto të tejdukshme të koleksionit pranverë/verë 2026 të dizajnerit Anthony Vaccarello, të kombinuar me vathë të mëdhenj dhe syze dielli elegante.
Dalja e saj në pistë erdhi vetëm disa ditë pas shtrimit në spital për shkak të komplikimeve nga sëmundja Lyme, me të cilën ajo jeton prej moshës 16-vjeçare, shkruan People.

Vetë Hadid, nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale, tregoi se po “rifiton qëndrueshmërinë” dhe po rikthehet gradualisht në aktivitet pas një periudhe të gjatë pushimi.
Gjendja e saj shëndetësore ka prekur shumë edhe nënën, Yolanda Hadid, e cila gjithashtu vuan nga e njëjta sëmundje.

Në një mesazh prekës, ajo e quajti vajzën e saj një “luftëtare të paepur” që ka përballuar dhimbje të mëdha dhe një “ferr të panjohur” për vite me radhë.
Pavarësisht betejës së vështirë, Bella Hadid mbetet një nga modelet më të kërkuara të kohës. Ajo ka qenë pjesë e disa sfilatave të rëndësishme vitin e fundit, përfshirë rikthimin e Victoria’s Secret dhe një tjetër paraqitje për Saint Laurent në mars.
Rikthimi i saj në pistë në Paris u prit me duartrokitje, duke konfirmuar se edhe pas sfidave shëndetësore, ajo vazhdon të mbetet një ikonë e fuqishme e modës ndërkombëtare. /Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com




























































