LAJMI I FUNDIT:

Bej-harbut

Bej-harbut

Uran Butka

Mos pandehë këndonjësi se po i përdor këto dy fjalë, ngaqë më pëlqejnë. Jo. I përdor me pahir. Se në Shqipëri s’ka “harbut”, në qoftë se e marrim këtë fjalë me kuptimin “njeri prej fisi të ulët”. Shqiptari është fisnik, makar bujk, makar malok, makar edhe shërbëtor qoftë. Sedra dhe krenaria e shqiptarit janë cilësi e vlefshme, një karakteristikë e racës sonë.


Për fat të keq, këto dy fjalë janë bërë hobé në zënka, për më tepër akoma këto dy vitet e fundit. Në zgjedhjet e motit 1923, “bej” dhe “harbut” u bënë dy shenja politike, gjë që s’i ndaloi do “bej” të venë me grupin e “harbutëve” dhe do “harbutë” të përzihen me “bejtë”.

Them, pra, se është çelur një plagë e tillë në trupin tonë dhe, si çdo plagë tjetër, duhet shikuar dhe shëruar edhe ajo. Një trup i vogël si yni, një Shqipëri, që ka nevojë për bashkim dhe bashkëpunim, ku fuqitë e çdokujt duhen puqur, nuk mban dot plagë dhe përçarje të reja. Mjaft gjer më sot qarkrrethimet politike dhe historike na kanë çarë dhe dobësuar. Tani është koha e shëndetit.

Pse kjo luftë midis dy klasash? Thamë se nuk mund të ketë shqiptar harbut në kuptimin e vërtetë të fjalës, dhe më ngjan se nuk ekzagjeroj gjë, duke thënë se askush në Shqipëri s’e merr përsipër harbutërinë. Kjo është për t’u gëzuar, se na jep shpresë që populli ynë, duke pasur ndërgjegjen e dinjitetit dhe të fisnikërisë së tij, do të bëjë përpjekje për të fituar gjithë cilësitë morale dhe intelektuale, që ta bëjnë të denjë për shkallën fisnike të tij.

Nga ana tjetër pyesim: ç’shkak të fortë mund të ketë populli, që ta bëjë një flamur zihjeje dhe grindjeje fjalën “bej”? Ky titull u hoq qysh në të parën mbledhje të parlamentit tonë[2] dhe tani qeveria më nuk e njeh zyrtarisht. Shumë prej tyre, që edhe sot quhen “bej”, janë prej prindësh, që gjer më dje ose pardje s’e kanë bartur këtë titull. Me fjalë të tjera, s’kemi në Shqipëri një trap midis klasave, një ndarje ndërmjet popullit, plebenjve dhe fisnikëve.

Mbase do ta shpjegojmë këtë luftë të shurdhër, në e këqyrshim si një rivalitet, si një zili të klasës së varfër për palën e begatshme e të pasur të kombit, një zihje e të vobektëve me kapitalistët.

Është e vërtetë se në çdo kohë, në çdo shekull, në çdo vend dhe në çdo komb, të varfrit janë ngrënë me të pasurit, kanë dashur ta rrëzojnë fuqinë dhe despotizmin, që i jep njeriut kapitali, kamja e madhe e grumbulluar në një dorë. Këto zihje kanë qenë qysh se u krijua bota; sot u kanë dhënë emrin socializmë, marksizmë, komunizmë, të gjitha manifestime të proletariatit kundër kapitalit.

Mund të thuhet se edhe Shqipëria nuk do të shpëtojë nga kjo sëmundje e përgjithshme dhe e përbotshme. Vetëm do të përgjigjem se, në vendin tonë, kjo luftë është fiktive, e krijuar me dashje, që nuk vjen prej nevojës, prej natyre ngaqë ashtu e do puna. Jam i sigurt se po e shpikim me pahir, kundër natyrës. Dhe kjo për shkakun fort të thjeshtë se në Shqipëri s’kemi kapital, ashtu si ekziston gjetkë, se nuk gjenden as njerëz vërtet të pasur, as fabrika dhe ndërmarrje të tjera, ku argjendi të japë një prodhim të madh, të sjellë një të ardhur të fortë. Përkundrazi: vendi ynë vuan prej varfërie, prej mungimit të kamjeve të mëdha. Do të ishim të lumtur, sikur të gjendeshin edhe në Shqipëri kamës të mëdhenj, që të mundnim edhe ne të krijonim shoqëri me kapital, të themelonim banka dhe të mundte edhe vendi, edhe populli bashkë me të, të fitonte e të pasurohej. Shqipëria mjerisht është një vend ku i pasuri është më i varfër se i varfri.

Nuk shohim dot, pra, sesi mund që të ketë lindur ndarja faktike midis dy klasave, ku e ka origjinën. Mbase për kapitalistë, disa duan të kuptojnë pronarë toke, latifondistë, pronarë të mëdhenj.

Këtu çështja komplikohet me problemin agrar. Do kujtuar që në krye se, edhe zihja ndërmjet atyre që kanë toka dhe atyre që s’kanë, nuk është e sotme, është gjë e vjetër: historia njeh një tok eksperimentesh të bëra për copëtimin e tokës; po kjo s’e ka ndaluar dheun, si edhe kapitalin, që të venë prapë tek ai, që është më i zoti, më i zgjuari dhe më punëtori.

Çështja agrare, pa dyshim, do studiuar dhe do zgjidhur edhe në Shqipëri. Prej disa vjetësh po fryn një erë për shpronësim: të copëtohet toka dhe të jepet tek ata që e punojnë ose do ta punojnë. Rumania, Serbia, tani afër Greqia aplikoi këtë sistem; Rusia deshi ta suprimojë fare kamjen, bolshevikët nuk njohën asnjë prioritet, asnjë të drejtë të ndokujt mbi tokën. Hungaria dhe Anglia s’e kanë hequr sistemin e pronave të mëdha, as çifligjet s’janë shpronësuar, as pasurisë nuk i është vënë ndonjë kufi.

Them se te ne çështja do studiuar, duke medituar mirë zgjidhjen e problemit, duke e pjekur projektin; edhe kjo për interesin e gjithë shqiptarëve, të pronarit, si edhe të bujkut, me një frymë drejtësie të paanshme, për interesin e bashkët si qytetas baras që jemi dhe bij të kësaj Shqipërie. Nuk do bërë ndonjë paragjykim, se e drejta nuk mund të peshojë me pahir vetëm më një anë, në dëm të tjetrës.

Shumë pandehin se në Shqipëri i dëmtuari është vetëm bujku. Ata që dinë, pretendojnë se ai që dëmtohet më tepër është pronari, i cili më të rrallë merr më tepër nga tre për qind prej kapitalit të tij; disa venë gjer atje sa të thonë se i vobektë i vërtetë në Shqipëri është pronari i tokës, që është dhe shumë herë skllavi i bujkut dhe i metodave prapanike të tij. Kështu që toka nuk bën të pasur as të zotin, as atë që e punon, as shtetin.

Çështja është më tepër e komplikuar nga ç’duket, se shpronësimi lyp një tok kondita: duhen njerëz të mjaftë për të punuar dheun; duhet që çdo pronar i vogël të ketë kapital të mjaftë (farë, qe, parmendë, vegla të tjera…) dhe duhet zhdëmtuar pronari i sotëm, se begatia dhe drejtësia nuk mund të ngrihen mbi një padrejtësi dhe një shkatërrim.