Drejtori i “Plug and Play Tech Center” për Evropën Juglindore, Uranik Begu, ka folur për sfidat dhe mundësitë që sjell inteligjenca artificiale (AI), duke theksuar se Kosova duhet të pozicionohet si krijuese, e jo vetëm si konsumator i këtyre teknologjive të reja.




Në një diskutim për zhvillimet e fundit teknologjike në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, i cili podcast mbështetet nga kompania e derivateve EXFIS, Begu tha se përkundër përparimeve të mëdha në nivel global, shoqëria kosovare ende nuk është e përgatitur mjaftueshëm për t’u përshtatur me shpejtësinë e këtyre ndryshimeve.

“Si duket, prapë na gjen pak të papërgatitur në disa drejtime. Është momenti i fundit që si komunitet, shoqëri dhe institucione të kemi të qartë rrugëtimin tonë përballë këtyre trendeve, që të mos mbetemi vetëm vëzhgues e konsumatorë, por të jemi edhe bashkëkrijues”, u shpreh Begu.

Ai vuri në pah se Kosova ka disa përparësi të rëndësishme, si një rini aktive, penetrim të mirë të internetit dhe një diasporë të fuqishme që mund të kontribuojë drejtpërdrejt në zhvillimin e sektorit të teknologjisë.

Mund të lexoni: Kosova, AI dhe e ardhmja digjitale- cila është rruga sipas Uranik Begut? - Telegrafi

“Kemi një diasporë me shumë vullnet dhe dije, e cila përmes rrjetëzimit mund të ndihmojë që sektori i teknologjisë, veçanërisht ai i inteligjencës artificiale, të bëhet konkurrues në nivel rajonal e global”, shtoi ai.

Megjithatë, Begu theksoi se për të arritur këtë synim nevojiten investime të mëdha në aftësim, riaftësim dhe kapital, në mënyrë që Kosova të mund të krijojë produkte dhe shërbime që sjellin mirëqenie për kompanitë dhe qytetarët.

“Jemi në rrugën e duhur, por ende duhet shumë punë”, përfundoi ai./Telegrafi/

- YouTube youtu.be