LAJMI I FUNDIT:

Befasitë e zgjedhjeve lokale

Befasitë e zgjedhjeve lokale

Ditë më parë, saktësisht më 1 dhjetor 2013, përfunduan zgjedhjet lokale 2013 në Kosovë, me mbajtjen e balotazhit për kryetarë në 25 komunat e Kosovës. Sikurse rundi i parë i votimit me 3 nëntor, balotazhi me 1 dhjetor 2013 solli disa veçori të paparashikueshme gjer tani, që me të vërtet ishin befasi pas gjashtë palë zgjedhjesh të mbajtura në Kosovën e pas luftës së vitit 1999.

Do të veçoja dy momente të veçanta në nivel të vendit, të cilët e karakterizuan këto zgjedhje të sapopërfunduara në Kosovë. E para, këto zgjedhje u mbajtën në një atmosferë jashtëzakonisht të qetë, me më pak parregullsi, me më pak anomali, me më pak vjedhje, me më pak kontestime rezultatesh, si dhe me një nivel më të vetëdijesuar të votuesve në krahasim me zgjedhjet e fundit të mbajtura në Kosovë, në vitin 2010. E dyta, befasia më e madhe ishte se që nga viti 2000, në këto zgjedhjet e shtata me radhë, sovrani (populli) për herë të parë e tregoi forcën e vërtet me të cilën i dridhi në themel subjektet politike në Kosovë.


Tri partitë kryesore të Kosovës, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, përballuan çaste më të vështira në historinë e ekzistimit të tyre, që nga viti 2000, pasi përjetuan shok të vërtetë që as në ëndërr nuk do të kishin mundur të parashikojnë se do t’ju kishte ndodh. Në rast se do të shprehem me terminologjinë apo zhargonin e boksit, të tri subjekte kryesore përjetuan befasi të pakëndshme. AAK-ja përjetoi nokaut klasik, PDK-ja përjetoi nokdaun klasik, ndërsa LDK-ja përjetoi një aperkat klasik në Prishtinë, dhe atë kush tjetër, pos vet lideri aktual i LDK-së, Isa Mustafa.

Edhe pse gati në të gjitha komunat në Kosovë ndodhi ndryshimi, përveç Prizrenit, befasi më të madhe për çastin aktual ndodhi në gjashtë qendrat kryesore të Kosovës, Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Gjilan e Ferizaj, por edhe në disa komuna tjera më të vogla, si në Suharekë, Rahovec, Malishevë, Kamenicë, Viti e Lipjan.

AAK-ja përjetoi humbjen më të madhe në Kosovë, pasi që humbi katër komunat që gjer tani i ka pas nën pushtet: Pejën, Gjakovën, Rahovecin dhe Suharekën. Edhe pse deri diku është pritur që Gjakovën dhe Suharekën ta humbas, Pejën edhe Rahovecin nuk është pritur dhe ka qenë befasi dhe debakël i vërtet të cilën AAK-ja do të duhej të analizojë, sidomos shkaqet që e kanë bërë që të katandiset në një gjendje të tillë. Për AAK-në ndoshta një satisfaksion moral mund të jetë një rritje të numrit të votave të fituara në nivel Kosovës, pasi që kanë fituar më shumë vota në krahasim me zgjedhjet e fundit, të vitit 2010, duke mos llogaritur këtu votat e LDD-së që ishin së bashku në koalicion të përbashkët.

PDK-ja, njashtu, përjetoi një humbje relative, pasi që i ka humbur gjashtë komuna që i ka pas gjer tani, por humbje të papritur që askush nuk ka mund të parashikoj është humbja e pushtetit lokal në Mitrovicë dhe Ferizaj. I mbetet tani të analizojë mirë e mirë PDK-ja se ç’ndodhi me të, se cilat janë shkaqet që i paraprinë kësaj humbjeje. Do të ishte shumë me vend të merren me këto dobësi të brendshme të tyre, se sa të merren me satisfaksion moral të humbjes së LDK-së dhe liderit të saj politik, Isa Mustafës në Prishtinë, edhe pse atë e fitoi Vetëvendosja e jo PDK-ja.

Nga shtatë qendrat kryesore në Kosovë, PDK-ja mezi ka arrit të mbaj pushtetin në Prizren, dhe atë në saje të humbjes së Eqrem Kryeziut dhe të LDK-së në Prizren. Por, edhe këtu loja zgjedhore nuk ka përfunduar akoma, pasi që ndaj kryetarit aktual dhe kryetarit të rizgjedhur Ramadan Mujës, është duke vazhduar procesi gjyqësor për akuzat lidhur me qeverisjen lokale dhe, nëse eventualisht shpallet fajtor dhe dënohet me gjashtë muaj heqje lirie, atëherë automatikisht Prizreni shkon në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune dhe me gjasa reale PDK-ja do të humb edhe këtë qytet. Atëherë, do të mbetet pa pushtet lokal në asnjërin prej 7 qyteteve më të mëdha të Kosovës.

PDK-ja ceku se në nivel vendi doli e para në Kosovë, me rreth 200 mijë vota të fituara dhe 10 komuna të fituara. Kjo fare nuk çon peshë, pasi që në krahasim me zgjedhjet e fundit në Kosovë në vitin 2010, ka një humbje prej rreth 20 mijë votash në nivel vendi dhe pesë komuna më pak të fituara në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2009 në Kosovë.

LDK-ja përjetoi një humbje të paparë në kryeqendrën e Kosovës, në Prishtinë, në të cilin pushtetin e ka mbajtur plot 13 vite, por është edhe më tragjike humbja e liderit të saj Isa Mustafës, ish kryetar i gjertanishëm i Prishtinës, në ballafaqim me Shpend Ahmetin të Vetëvendosjes. I mbetet LDK-së që të analizojë këtë humbje të madhe e cila është llogaritur si bastion më i fortë i LDK-së në Kosovës. As në ëndërr PDK-ja s’do të kishte mundur ta marr pushtetin këtu, e ja që arriti këtë ta bëjë Shpend Ahmetit i Lëvizjes Vetëvendosje.

LDK-ja satisfikacion moral mund të ketë se në nivel vendi ka rritje votash me rreth 20 mijë nga zgjedhjet e fundit në vitin 2010 në Kosovë, dhe rritje të pushtetit lokal të komunave apo rikthim të komunave që i ka pasë më parë, sikurse Gjilani, Peja, Ferizaj, Suhareka, Lipjani.

Lëvizja Vetëvendosje për herë të parë ka garuar në zgjedhjet lokale në Kosovë dhe ka arritur të fitojë të vetmen komunë në Kosovë, por me peshë të madhe kryeqendrën e saj, në Prishtinë, në saje të figurës së Shpend Ahmetit, kryetarit të porsazgjedhur të Prishtinës Tani i mbetet Shpendit të tregojë në vepër që të udhëheqë dhe menaxhojë si është më së miri komunën e Prishtinës. Porse në nivel vendi VV ka humbje prej rreth 30 mijë votash, që është një ulje për 1/3 e votave (nga rreth 90 mijë që i ka pas në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010, në 60 mijë votat e fituara në zgjedhjet lokale më 2013, që paraqet një gjendje shqetësuese dhe alarmuese për Lëvizjen Vetëvendosje).

AKR-ja me të vërtet befasoi për të mirë në këto zgjedhjet lokale. Edhe pse pritej që Mimoza Kusari-Lila të fitojë në Gjakovë, fitorja e AKR-së edhe në komunën e Mitrovicës me të vërtet ishte e befasishme dhe e papritur edhe nga analistët më të mëdhenj. Debakli më i thellë i PDK-së që ka përjetuar në Kosovë është pikërisht në Mitrovicë, humbjes së bastionit të saj. Me këto dy fitore AKR-ja ka gjasa tani që të tregojë në praktikë qeverisjen dhe zhvillimin ekonomik të dy komunave me ngecje më të madhe në zhvillim ekonomik të tyre në Kosovë, përkundër kohës së dikurshme kur këto dy komuna kanë qenë më të zhvilluara dhe më të përparuara ekonomikisht në Kosovë.

Në përmbyllje të kësaj analize mund të konkludoj se pas zgjedhjeve lokale, të sapo kryera të vitit 2013, të gjitha subjektet politike në Kosovë duhet të kenë të qartë se ka kaluar koha se do të mund të fitojnë vota në bazë të premtimeve megalomane, të paqëndrueshme, boshe, të thata, të parealizueshme, dhe se gafat dhe veprimet e pamatura të liderëve politikë tani e tuje do të ndëshkohen. Më 1 dhjetor 2013 sovrani (populli) e tregoi veten në mënyrë më të shkëlqyer të tij, pasi që u vetëdijesua dhe u ngrit në një masë të duhur, që di të vlerësojë, të shpërblejë apo edhe të ndëshkojë të gjithë ata që kanë qenë gjer tani në pushtet. Me këtë seriozisht duhet të merren subjektet politike, pasi që vitin e ardhshëm, herët a vonë do të mbahen zgjedhjet e rregullta apo të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë.