LAJMI I FUNDIT:

Beethoveni – evropian, humanist dhe kozmopolit

Beethoveni – evropian, humanist dhe kozmopolit

250 vjet më parë lindi, në Bon, lindi kompozitori Ludwig van Beethoven. Në qytetin e tij të lindjes Beethoveni, jetoi deri në moshën 22-vjeçare përpara se të zhvendosej në Vjenë.

Sipas kryeministrit të landit së Renanisë Veriore-Vestfalisë (NRW), Armin Laschet, Beethoveni është pjesë e ADN-së së këtij landi. Ai theksoi se ishte jo vetëm kompozitor, por edhe një humanist dhe kozmopolit. Me “Odën e Gëzimit” nga Simfonia e 9-të ai është bërë një evropian i madh.

Ministrja e shtetit për Kulturën, Monika Grütters, e quajti kompozitorin si “gjermanin më të njohur”. Muzika e tij entuziazmon dhe bashkon njerëzit nga çdo anë e botës: “Beethoveni me një radikalizëm të padëgjuar e ka revolucionarizuar muzikën e kohës së tij. Ne kemi nevojë edhe sot sërish për forcën vizionare, me të cilën Beethoveni pozicionohej politikisht e në radhë të parë artistikisht. Vepra e tij është një simbol për arritjet demokratike të një Evrope të bashkuar dhe kundër forcimit të thirrjeve populiste për izolim dhe përjashtim.”

Duke reflektuar për mënyrën se si ndikoi Beethoveni në histori, edhe përtej fushës së ngushtë të muzikës klasike, dirigjenti i mirënjohur, Kent Nagano, drejtor i Përgjithshëm i Muzikës në Operën Shtetërore të Hamburgut, shprehet se “Jeta koncertore sot do të ishte krejt ndryshe pa Beethovenin. Simfonitë dhe koncertet e tij solistike, në veçanti, kanë ndihmuar në institucionalizimin e gjërave, që ne i konsiderojmë si të natyrshme sot: sistemin e orkestrës, ​​seritë e koncerteve, ditët përkujtimore muzikore dhe festivalet.”

Shprehja e thellë e humanizmit që ngërthen muzika e Beethovenit pasqyron idealet e iluminizmit: të drejtën për liri dhe drejtësi, për vetëvendosje, individualizmin dhe përparimin njerëzor. Koha e Beethovenit ishte një kohë trazirash, lufte dhe nacionalizmi, por edhe një kohë në të cilën lindën koncepte të reja të individit, shoqërisë dhe botës. Në këtë kohë të ndryshimeve rrënjësore, njerëzit duhet të luftonin për dinjitetin e tyre, për lumturinë e tyre dhe të merrnin edhe përgjegjësinë për këtë. Për këtë mënyrë të re të menduari, Beethoveni kompozoi muzikën përgjegjëse duke komunikuar në të idealin e një bote më të mirë, më humane.

Beethoveni shkroi muzikë që flet për humanizmin dhe për përvojën njerëzore. Shpesh, p.sh. në një koncert live, mund të dallosh në të tensionin midis individit dhe shoqërisë. Veprat pasqyrojnë edhe vlerat e shoqërisë borgjeze që po shfaqeshin në kohën e Beethovenit. Këtu bën pjesë vlera e punës, e ideve, e ndjeshmërisë dhe e emocionalitetit. Por, muzika e Beethovenit ndonjëherë ka edhe përmbajtje politike, shprehet Kent Nagano.

Në muzikën e Beethovenit dëgjon përparim dhe zhvillim të mëtejshëm. Shpesh ajo duket se flet për të ardhmen ose proceset e ndryshimit. Kemi të bëjmë me një muzikë të guximit dhe optimizmit, gjallërisë dhe energjisë, plotërisë e lëvizjes dhe ajo shkakton në të dëgjuar një përjetim sensual, shpirtëror. Ndonjëherë në të tingëllojnë edhe shqetësime, dyshime për idenë e përparimit ose për aftësinë e njeriut për t’u zhvilluar në mënyrë cilësore. Mbi të gjitha, vepra e viteve të vona rrezaton ndonjëherë edhe skepticizëm, ose mund ta perceptosh si diçka medituese ose si vetëreflektim, thotë Kent Nagano që është pjesë integrale e jetës muzikore në Gjermani prej dekadash.

Muzika e Beethovenit të shtyn përpara, ajo vazhdon, shpërthen kufijtë e së dhënës, të të paracaktuarës ose të asaj që tashmë ekziston. Ajo vë në dyshim rëndësinë e së transmetuarës dhe nënkupton idenë e përparimit përmes iluminizmit. Muzika e Beethovenit është universale. Ajo komunikon jo vetëm me një pjesë të zgjedhur të shoqërisë, por dëshiron të arrijë tek të gjithë. Arti i tij i përjetshëm është i vendosur përtej kufijve të të gjitha tendencave të modave. Ai pasqyron të vërteta të caktuara – dhe njerëzit kanë nevojë për këtë të vërtetë. /DW/