LAJMI I FUNDIT:

Bedri Prishtina: Bizneset përballen me shumë burokraci administrative

Bedri Prishtina: Bizneset përballen me shumë burokraci administrative

Biznesmeni i njohur Bedri Prishtina thotë se “nuk ka ndodhur asnjëherë që punëtorët me e marrë rrogën më datë 2, gjithmonë e marrin më datën 1 të cilit muaj”.

Në emisionin “Histori Suksesi” të së premtës mbrëma në RTV Dukagjini, biznesmeni i suksesshëm Bedri Prishtina, pronar i Ndërmarrjes Tregtare Ndërtimore “Tregtia” dhe Fabrikës Farmaceutike “TrePharm”, ka rrëfyer gjithë rrugëtimin e tij në biznes dhe jetën personale e të familjes së tij.

Bedriu tregoi se si e nisi me një kapital krejt të  paktë ndërkohë që përvojën e kishte marrë në ndërmarrjet shoqërore të ish sistemit jugosllav, kun ë fillim punonte si kerraxhi (transportonte material ndërtimor).

Në pyetjen se sa shpenzon, Bedriu thotë se është krijues i të ardhurave prandaj nuk e kufizon vetën në shpenzimet që bën dhe një gjë të tillë nuk ja ndalon asnjërit nga familja. Më rëndësi sipas tij është të punohet ndershëm dhe të ardhurat nuk do mungojnë.

Ai tregoi edhe për rastet e shumta ku i duhet të përballet me burokracinë e administratave publike në vend, gjë që i shkakton vonesa dhe humbje materiale në biznes.

E veçanta që ata kanë bërë në biznesin ndërtimor është se u kanë mundësuar shumë familjeve që vetëm me dy paga mesatare të arrijnë ta kenë banesën e tyre.

Bizneset e Bedriut nuk janë vetëm të tij. Bashkëpronar janë edhe familjarët e tij: bashkëshortja Xheva, djemtë Durimi e Mërgimi dhe vajzat Pranvera e Vjendita.

Bedri Prishtina ka qenë i burgosur nga ish regjimi serb ngase ka qenë i përfshirë në çështjen kombëtare, në organizimin e protestave gjithpopullore të asaj kohe dhe ndihmave tjera që ka dhënë. Për këtë dhe gjithë jetën e tij personale, biznesore dhe humanitare, ka dalë në dritë libri biografik “Bedri Prishtina” me autor prof.dr Jusuf Osmani.

Bedriu sot edhe pse rreth të 70-ave, nuk ndalet së punuari, ndonëse me më pak orë në ditë, por siç shprehet vet ai, 6 orë në ditë mjaftojnë që me këshillat e tij dhe angazhimin e familjarëve dhe bashkëpunëtorëve, kompanitë të funksionojnë siç duhet. /Telegrafi/