LAJMI I FUNDIT:

Bashkimi i Mitrovicës përmes urës së mbyllur të Ibrit?! (Video)

Bashkimi i Mitrovicës përmes urës së mbyllur të Ibrit?! (Video)
u

Në shenjë solidarizimi me protestat e banorëve serbë të veriut dhe me kryetarët  serbe të dorëhequr të katër komunave serbe në veri të Kosovës është çrregulluar edhe funksionimi i institucioneve të drejtësisë në veri të Mitrovicës.

Zhvillimet e ditëve të fundit të veri të Mitrovicës, ku është protestuar kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja, ka bërë që në Gjykatën Themelore në Mitrovicë disa seanca gjyqësore të shtyhen. Ndërkaq secili qytetar e ndjen veten të shqetësuar për zhvillimet e fundit, kurse forma më e mirë e bashkimit të Mitrovicës është hapja e urës së Ibrit.


Avokati Musa Damati tha për Telegrafin se si pasojë e zhvillimeve të fundit në veri të vendit disa seanca gjyqësore edhe janë shtyrë.

Ai, si avokat u shpreh se, në kontekstin e ligjshmërisë një gjë e tillë është e papranueshme, dramatike dhe nuk duhet të ndodh.

“Imagjinojeni frazën se në një shtet ligjorë një ditë hapen gjykatat ndërsa në ditën tjetër mbyllen ato. Ky është trishtimi më i madh që mund t’i ndodh shtetit juridik dhe shtetit të së drejtës në një vend. Dhe si pasojë e zhvillimeve të fundit në vend disa seanca gjyqësore edhe janë shtyrë. Për mua si avokat, në kontekstin e ligjshmërisë, një gjë e tillë është e papranueshme, dramatike dhe nuk duhet e nuk mund të ndodh”, ka thënë Damati.

Ndërsa, asambliste e PDK-së në Kuvendin e Komunës së veriut të Mitrovicës, Gonxhe Çaushi theksoi se situata e krijuar ka reflektuar tek qytetarët në veri të vendit.

Sipas saj, secili qytetar e ndjen veten të shqetësuar për ndryshimet e fundit.

E, sa i përket Rezolutës të Kuvendit Komunal të Mitrovicës, ajo e cilësoi se populliste.

Çaushi tha se kryetari Bahtiri do duhej që këtë iniciativë ta ndërmerrte më seriozisht duke u bazuar në ligjet e Kosovës.

“Po e shoh si një iniciativë të mirë, por më shumë si populliste. Por nëse do të bëhej atëherë duhet të bëhet më ligjin ‘Ligji për inicimin e ndryshimit të ligjit’, e ku këtë të drejtë e ka Qeveria në bashkëpunim me gjashtë deputetë, apo me mbledhjen e 10,000 nënshkrimeve të qytetarëve. Pra ai nuk u thirr në këtë ligj dhe  kjo e tregon jo seriozitetin e tij. Jam pak skeptike sa i përket kësaj thirrje, por mbetet të shihet. Ky ligj duhet të miratohet me  2/3 e votave dhe votat e komuniteteve”, tha ajo.

Politologu Musa Preteni, vlerësoi se marrëveshjet që janë arritur në Bruksel, janë shfrytëzuar nga Serbia për favoret e veta politike.

Preteni theksoi se forma më e mirë e bashkimit të Mitrovicës është hapja e urë së Ibrit që njerëzit të lëvizin lirshëm

“Tash është një moment tjetër, ku merren disa iniciativa për të cilat nuk jam kundër, mirëpo konsideroj që janë iniciativa ku nuk mund të ju dilet në krye, për faktin se tash atje është krijuar një momentum tjetër politik dhe konsideroj që forma më e mirë që të bashkohet është që të hapet ura  e Ibrit, qytetarët të lëvizin lirshëm. Ne mund ta vendosim në një kontekst administrativ ku qytetarët e pjesës veriore t’i kryejnë shërbimet e tyre administrative në jug si dhe anasjelltas. Forma më  e mirë e bashkimit të qytetit. Kjo iniciativë më duket pak e rrezikshme pasi është tentativë për të krijuar një realitet më ndryshe politik,  që korrespondon më marrëveshjen në Bruksel.

Ndryshe, pas situatës së krijuar në veri të vendit, Kuvendi Komunal i Mitrovicës të premten me vota unanime ka votuar pro-rezolutës me të cilën i kërkon Qeverisë së Kosovës që t’i ndryshojnë disa nene të ligjit me të cilin bashkohet Mitrovica.

Votimi ndodhi në një seancë të jashtëzakonshme për inicimin e ndryshimit të Ligjit për kufijtë administrativë të komunave me qëllim të bashkimit të Mitrovicës.

E gjithë kjo erdhi pas dorëheqjes së kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.

E serbët e veriut të vendit, pakënaqësitë e tyre për vendimet dhe veprimet e institucioneve vendore janë duke i shprehur me anë të protestave të qeta, të cilat deri më tani janë mbajtur në veri të Mitrovicës. Siç kanë thënë ata, nuk do të ndalojnë së protestuari deri në tërheqjen e këtyre vendimeve nga institucionet e Kosovës. /Telegrafi/