LAJMI I FUNDIT:

Bashkë, kundër së keqes

U bënë shumë vite që qytetarët e Kosovës ballafaqohen me probleme të shumta. Numri i madh i të papunëve, korrupsioni i lartë dhe pasurimi brenda natës i elitës politike janë duke ndikuar negativisht në përmirësimin e jetës së shoqërisë sonë.

Tash e sa vjet qytetarët mundohen t’u bëjnë ballë këtyre problemeve. Por, kot. Gjithë kjo parregullsi dhe gjendje e rëndë ekonomike po i detyron qytetarët që zgjidhjen e tyre ta kërkojnë duke emigruar jashtë Kosove. Ngase, te kjo politikë nuk kanë besim që mund të zgjedh problemet e tyre.


Njeriu si qenie politike është pjesë e qytetarisë aktive të një vendi, ku jeton e vepron. Prandaj, ne si qytetarë është e nevojshme dhe e domosdoshme të mendojmë dhe të mbajmë përgjegjësi etike dhe morale se për kënd vendosim në udhëheqjen e shtetit, në mënyrë që të kemi një udhëheqësi e cila do t’i përfaqësojë interesat dhe vullnetin e përgjithshëm të të gjithë qytetarëve, për një mirëqenie ekonomike, standard më të mirë, si politik ashtu edhe ekonomik.

Ne, si një shoqëri, udhëheqësit i zgjodhëm për të mirën e përgjithshme, por duket se kjo përzgjedhje politike nuk është zgjedhja e problemeve, e halleve dhe brengave me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës: numër i lartë i papunësisë, që kap shifrat rreth 44 për qind, e vendos Kosovën në indeksin e vendeve të varfra në botë, e nga ana tjetër kemi pasurimin milionësh të zyrtarëve shtetërorë që u zgjodhën nga populli.

Këto dhe probleme të tjera tregojnë qartë se diçka nuk është ka funksionon si duhet dhe na bënë të mendojmë se për kënd është ngritur shteti e në shërbim të kujt funksionon sot?

Shteti është në shërbim të popullit dhe si i tillë shërben për nevojat e kërkesat e popullit. Qytetari paguan taksat e të gjitha shërbimet e tjera brenda mundësive ekonomike që kanë, ndërsa shteti as që përmbush nevojat elementare të tyre. Kjo tregon se qytetari për shtetin, në këtë rast tonin, është skllav. Skllav modern.

Është për të ardhur keq nga spektri politik i Kosovës, se si vazhdon të manipulojë me paranë e popullit, e nuk po plotëson kërkesat e tyre minimale. Kjo na shtyn të pyesim: pse ne ia paguajmë taksat këtij shteti?

Qytetarët tanë taksat i paguajnë që shteti t’i menaxhojë dhe t’i shpenzojë për të përmirësuar gjendjen ekonomike e sociale të tyre; t’i ofrojë qytetarit siguri e drejtësi; si dhe në luftimin e krimeve, në përputhje me rregullat që janë të parapara me ligjet e shtetit.

Megjithatë, ky përmirësim i standardit jetësor ende s’po ndodh. Kjo mos përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe manipulimi që shteti ua bënë qytetarëve të saj, duke i shfrytëzuar si mjet për përfitim personal, po ndikon që qytetarët e Kosovës të ndihen të pafuqishëm kundër kësaj elite politike e cila ka shtrirë ndikimin në çdo cep dhe ka politizuar pothuaj çdo gjë për të mbetur ende në pushtet.

Ky kaos dhe kjo gjendje e rënd ekonomike në Kosovë ka shtyrë shumë qytetarë të mos shohin zgjidhje në vendlindjen e tyre, por në vendet evropiane që posedojnë një mirëqenie ekonomike.

Shpresoj që një ditë të gjithë qytetarët së bashku të mobilizohen kundër së keqes.