Barcelona raportohet se ka hapur bisedime me Atletico Madridin për një transferim të mundshëm të Julian Alvarez gjatë verës.

Sipas raportimeve, sulmuesi argjentinas – fitues i Kupës së Botës – është parë si zëvendësuesi ideal i Robert Lewandowskit, i cili pritet të largohet nga klubi si lojtar i lirë.


Flick kërkon “numrin 9” të ri

Sipas ESPN, 26-vjeçari ka qenë prej kohësh në radarin e Barcelonës. Skautët e klubit e kanë ndjekur që nga koha e tij te River Plate, para se të transferohej te Manchester City, dhe tani Barça i është afruar Atléticos për të testuar mundësinë e një marrëveshjeje verore.

Megjithatë, transferimi konsiderohet shumë i vështirë. Alvarez u transferua te Atletico në vitin 2024 për një shumë që mund të arrijë deri në 95 milionë euro, ndërsa në kontratën e tij ka një klauzolë largimi prej 500 milionë eurosh.

Barcelona shpreson që dëshira personale e lojtarit për një lëvizje të re mund ta lehtësojë procesin, në një skenar të ngjashëm me kalimet e mëparshme mes dy klubeve (si rasti i Antoine Griezmann). Sidoqoftë, raportohet se Atletico e vlerëson Alvarez rreth 120 milionë euro, shifër që paraqet një pengesë të madhe financiare për presidentin Joan Laporta.

Lewandowski drejt largimit

Interesimi për Álvarez lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e Lewandowskit. Sulmuesi polak do të jetë 38 vjeç kur të nisë sezoni i ardhshëm dhe, ndonëse mbetet shumë efikas para porte, Barcelona po përgatitet për “ndërrimin e brezave”.

Raportet thonë se Juventusi dhe Milani janë aktualisht favoritët për ta marrë Lewandowskin si lojtar të lirë, duke i ofruar rol titullari – diçka që ai ende e dëshiron në nivelet më të larta të futbollit evropian.

Barcelona, sipas po të njëjtave burime, ka qenë e gatshme t’i propozojë rinovim, por me ulje të ndjeshme të pagës dhe rol më pak qendror në ekip. Duke qenë se Lewandowski dëshiron ta ruajë statusin e tij elitar, largimi shihet si skenari më i mundshëm. Një dalje e tij do t’i lironte Barcelonës hapësirë të rëndësishme në buxhetin e pagave për të investuar te një sulmues më i ri.

Agjenti i Alvarez mohon thashethemet

Ndërsa interesimi i Barcelonës përshkruhet si real, kampi i Alvarez ka mohuar zërat për një lëvizje të afërt. Ditët e fundit u përhapën thashetheme se familjarët e tij ishin parë duke kërkuar shtëpi në Katalonjë, por përfaqësuesi i lojtarit, Fernando Hidalgo, i hodhi poshtë këto pretendime.

“1000% e pavërtetë. Askush nga familja nuk ka qenë në Barcelonë. Hera e fundit ishte për ndeshjen kundër Atléticos dhe u kthyen në Madrid ditën tjetër”, deklaroi Hidalgo. /Telegrafi/

telegrafi sport app