Barcelona e ka prioritet Bastonin, por do të hasë në konkurrencën e gjigantit anglez

Barcelona po e konsideron Alessandro Bastonin si objektivin kryesor për afatin kalimtar të verës 2026, raportojnë mediat italiane, por në garë mbetet edhe gjiganti anglez, Arsenal.
Mbrojtësi i Interit dhe Italisë shihet si përforcimi ideal për repartin defensiv të kampionëve në fuqi të La Ligës.
Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick ka hasur vështirësi në mbrojtje këtë sezon, sidomos pas largimit të Inigo Martinez drejt Al-Nassr verën e kaluar. Aktualisht, dyshja Pau Cubarsí – Eric García ka mbajtur peshën në qendër të mbrojtjes, por klubi katalanas po kërkon një mbrojtës natyral të majtë për më shumë stabilitet dhe thellësi në skuadër.

Edhe pse në listë janë përmendur emra si Nico Schlotterbeck dhe Gonçalo Inácio, Bastoni mbetet profili më i dëshiruar për shkak të cilësisë së lartë, sigurisë në duele dhe aftësisë për të ndërtuar lojën nga prapavija – elemente që i përshtaten stilit të Flick.
Megjithatë, transferimi i tij pritet të jetë shumë i vështirë. Sipas raportimeve nga Calciomercato, Interi nuk ka ndërmend ta shesë mbrojtësin dhe e konsideron atë pjesë kyçe të projektit.
Situata komplikohet edhe më shumë nga interesi i Arsenalit, që gjithashtu e ka në radar 26-vjeçarin.

Nëse Barcelona vendos të avancojë me ofertë konkrete, do të përballet me konkurrencë të fortë për një nga mbrojtësit më të vlerësuar në Serie A. /Telegrafi/




















































