Barcelona do të ‘trazojë’ afatin kalimtar të verës: Tri blerjet që po planifikon t’i bëjë Laporta

Barcelona po përjeton një periudhë tejet kritike pas humbjes ndaj Chelseat, një rezultat që ka ngritur seriozisht alarmin brenda klubit.
Paraqitja e dobët u shtua listës së sinjaleve se skuadra ka humbur konkurrueshmërinë, duke detyruar presidentin Joan Laporta të mendojë për një reagim të fortë dhe të menjëhershëm.
Brenda klubit ka bindje të plotë se ekipi aktual nuk është në gjendje të garojë me garanci në Ligën e Kampionëve, sidomos pasi nuk ka arritur të imponojë lojën kundër kundërshtarëve të mëdhenj si Paris Saint-Germain dhe Real Madrid.
Ndaj, Barcelona e konsideron të domosdoshme të ndërhyjë fuqishëm në merkaton e verës për t’i dhënë projektit një drejtim të ri.
Me Decon në krye, klubi ka përcaktuar tre përforcime kyçe për verën.
Së pari, klubi synon të nënshkruajë me një qendërmbrojtës të majtë të nivelit të lartë, për shkak se largimi i Inigo Martinez ka krijuar një boshllëk të madh në mbrojtje.

Kandidatët kryesorë për këtë pozicion janë Alessandro Bastoni dhe Nico Schlotterbeck. Ky i fundit shihet si opsioni më i favorshëm financiarisht, pasi në kontratën e tij figuron një klauzolë rreth 60 milionë euro, ndërsa transferimi i Bastonit do të kërkonte negociata të ndërlikuara me Interin.
Pozicioni i dytë që kërkon përforcim urgjent është ai i mbrojtësit të djathtë. Paraqitjet e paqëndrueshme të Jules Kounde kanë bërë që Barcelona të kërkojë konkurrencë të vërtetë në këtë rol.

Të preferuarit e Decos janë Vanderson dhe Andrei Rațiu, dy profile të forta fizikisht, energjike dhe të afta të mbulojnë hapësira të mëdha në mbrojtje.
Së treti, Barcelona kërkon patjetër një qendërsulmues të ri, duke qenë se kontrata e Robert Lewandowskit skadon në qershor dhe polaku nuk mund të mbajë më barrën e sulmit siç ka bërë në të kaluarën.
Objektiv kryesor për këtë pozitë mbetet Julian Alvarez, ndonëse do të jetë e vështirë të arrihet një marrëveshje me Atletico Madridin./Telegrafi/



































