LAJMI I FUNDIT:

Banka Botërore: Rreth 2.4 miliardë gra nuk kanë të njëjtat të drejta ekonomike si burrat

Banka Botërore: Rreth 2.4 miliardë gra nuk kanë të njëjtat të drejta ekonomike si burrat

Rreth 2.4 miliardë grave në moshë pune nuk u ofrohen mundësi të barabarta ekonomike,dhe 178 shtete mbajnë barriera ligjore që pengojnë pjesëmarrjen e tyre të plotë ekonomike.

Kështu thuhet në raportin “Gratë, Biznesi dhe Ligji”, prezantuar nga Banka Botërore duke shtuar se në 86 shtete gratë përballen me një formë të kufizimit të punës, kurse 95 shtete nuk garantojnë pagë të barabartë për punë të barabartë.


“Në nivel botëror, gratë kanë ende vetëm tre të katërtat e të drejtave ligjore që u jepen burrave, një rezultat i përgjithshëm prej 76.5 pikë nga 100 pikë të mundshme në rast të barazisë së plotë ligjore. Megjithatë, përkundër efektit të shpërpjesëtuar të pandemisë botërore në jetën dhe mjetet e jetesës së grave, gjatë vitin 2021, 23 shtete i reformuan ligjet e tyre për të ndërmarrë hapa shumë të nevojshëm drejt avancimit të përfshirjes ekonomike të grave”, thuhet në raport.

Numri më i madh i reformave është bërë në treguesit për prindërimin, pagën dhe vendin e punës. Shumë reforma u fokusuan në mbrojtjen kundër ngacmimeve seksuale në punësim, ndalimin e diskriminimit gjinor, shtimin e pushimit të paguar për prindërit e rinj, si dhe heqjen e kufizimeve të punës për gratë.

“Treguesit për pagat dhe prindërimin kanë rezultatet mesatare më të ulëta në indeks, por janë rritur vitin e fundit, duke u shtuar përkatësisht me 0.9 dhe 0.7 pikë, me rezultate mesatare prej 68.7 dhe 55.6. Rritjet në treguesin për prindërimin janë të lidhura kryesisht me pushimin e atësisë dhe pushimin e përbashkët prindëror, por rezultati i ulët thekson nevojën për t’i përshpejtuar reformat në këtë fushë”, vijon raporti.

Në mbarë botën, 118 ekonomi garantojnë 14 javë pushim të paguar për nënat. Më shumë se gjysma apo 114 e ekonomive të matura e kanë në ligj pushimin e paguar për baballarët, por kohëzgjatja mediane është vetëm një javë. /Telegrafi/