LAJMI I FUNDIT:

Ballkani pushtohet nga ajri i ndotur

Ballkani pushtohet nga ajri i ndotur

Kur afrohet dimri e ndjen kudo ajrin e rëndë në Ballkan. Smogu ka pushtuar kryeqytetet si Beogradi, Zagrebi e Sarajeva, por në vend që të veprojë, politika përpiqet ta zbusë problemin.

Më 26 tetor doli lajmi “Beogradi u shpall zyrtarisht qyteti me ndotjen më të lartë të ajrit në botë, i pasuar nga Sarajeva”. Që më parë dy qytetet kishin zënë vendet e para në portalin online AirVisual. Në një kohë që ato nuk bëjnë përjashtim. Autoritetet thonë, se e me ardhjen e dimrit mjaft qytete në Ballkan fillojnë të marrin “frymë rëndë”. Por këto deklarata kanë funksion qetësues, sinjali është që të mos ketë panik, se nuk është diçka e jashtëzakonshme, por më shumë “një ndotje tipike për këtë periudhë të vitit”.


Ndërkohë që autoritetet në të tre këto vende nuk është, se ndërmarrin aq sa duhet për t’i dalë zot këtij problemi.

Radomir Lazoviq nga iniciativa qytetare “Mos e mbysni Beogradin”, kritikon se autoritetet veprojnë nganjëherë edhe kundër fakteve.

“Në Vincë, pranë Beogradit po ndërtohet një impiant i djegies së mbetjeve, megjithëse Banka Evropiane e Investimeve e ka refuzuar financimin e saj së fundmi, sepse nuk plotësonte standardet, që Serbia ka pranuar si kandidate për anëtarësim”, thotë Lazoviq.

Uljen e rëndësisë së ndotjes së ajrit nga autoritetet, ai e sheh si përpjekje të tyre për të qetësuar qytetarët.

“Kjo do të thotë arrati nga realiteti. Ndotja nuk ndodh pa arsye, ka një burim ndotjeje”, kritikon ai.

Smogu në Sarajevë

Gaz në vend të qymyrit

“Ndërkohë që në shumë qytete ballkanike ajri është më shumë i ndotur në dimër, në disa qytete boshnjake, Zenica , Tuzla, Lukavac ajri është gjatë gjithë vitit i ndotur. Pronarët e fabrikave nuk i kanë ose nuk investojnë në teknologji të reja, që do ulnin emetimet. Investimet e dikurshme në teknologji të përparuara u ndërprenë nga lufta në vitet 90-ta, dhe privatizimi pas luftës nuk solli ndryshime që do të ulnin ndjeshëm emetimin e dyoksidit të squfurit”, thotë për Deutsche Welle, Samir Lemes nga shoqata “Eco Forum Zenica”.

Në Zenica, një qendër e industrisë së metalit në Bosnje e Hercegovinë në vitin 2018 përqendrimi i squfurit u tejkalua në 252 ditë. Me ligj kjo lejohet vetëm tre ditë.

Edhe Sarajava është një nga qytetet evropiane me ndotjen më të madhe edhe për shkak të pozicionit gjeografik, që e bën të vështirë qarkullimin e ajrit. Ndërkohë shumë shtëpi ngrohin me qymyr, megjithëse që në vitet 70-ta, bashkia shtroi gjerësisht linjat për tubacionet e gazit. Një masë me efekt, thotë Lemes, përqendrimi në ajër i blozës dhe dyoksidit të squfurit ra ndjeshëm.

Por vetëm pak kohë mundën të merrnin frymë lirisht banorët e Sarajevës.

“Trafiku i automjeteve është shtuar, po ashtu edhe përdorimi i lëndëve djegëse të forta, sepse çmimi i gazit është shumë i shtrenjtë. Kështu efektet pozitive të viteve 80-ta u zhbënë. Situata përkeqësohet edhe nga ndërtimet e paplanifikuara të grataçielave, që e reduktojnë lëvizjen e rrymave të ajrit, dhe shtëpive që nuk kanë ngrohje qendrore me gaz. Qytetarët janë ‘të mallkuar’ të thithin një ajër të tillë”, kritikon Lemes.

Pamje nga ajri i ndotur në Sarajevë

E njëri është Nenadi nga Sarajeva, që vuan astma.

“Për ne të sëmurët kronikë periudha e dimrit është periudha e mbytjes nga ajri. Më e keqja është se me këtë smog nuk lëvizim dot të lirë. Por duhet të gjejmë një mënyrë të shkojmë në punë. Apo tek mjeku. Mirë do ishte të shkonim në mal, por edhe kjo nuk është gjithmonë e mundur”, thotë ai.

Drejtori i Spitalit të Zagrebit për sëmundjet e mushkërive, Boro Nogalo thotë se, brenda 15 vitesh shumë vetë do të vuajnë nga rrugët e frymëmarrjes. Alergjitë në vendet me ndotje të lartë të ajrit janë shumë më të shpeshta.

“Ndotja e ajrit dëmton mukozën e rrugëve të frymëmarrjes dhe shkakton në kombinim me alergjenë të tjerë inflamacione të ndryshme”, thotë Nogalo.

Shkencë në vend të politikës

Ndërkohë edhe në Kroaci, vend që prej pesë vitesh është anëtar i BE-së, nuk ka ajër më të pastër. Vërtet qytetet bregdetare për shkak të pozicionit gjeografik kanë të dhëna më të ulëta të ndotjes, por në brendësi të vendit, vlerat e ndotjes tejkalohen rregullisht edhe në kryeqytetin Zagreb.

“Nuk ka një zgjidhje të thjeshtë të problemit. Më shumë kemi nevojë për një paketë masash, që trajtojnë disa probleme. Qendrat industriale kanë nevojë për filtra dhe teknologji për reduktimin e emetimeve, trafiku rrugor duhet të përmirësohet, duhet punuar që të përmirësohet termoizolimi i apartamenteve, për të reduktuar përdorimin e energjisë nga sistemet e ngrohjes me djegie”, e pranon Lemes.

Ai kërkon edhe largimin nga qarkullimi të automjeteve me ndotje të lartë. Aktivisti është i mendimit, se duhet dëgjuar më shumë shkenca në këtë drejtim dhe jo politika, që më në fund të veprohet. /Deutsche Welle/