Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, në një intervistë për Telegrafin ka thënë se, kriza ekonomike e shkaktuar nga COVID-19 nuk do ta rrezikojë sistemin bankar të vendit.

Balija thotë se kjo situatë emergjente është duke paraqitur vështirësi në operimin e bankave në Kosovës.

Sipas tij, bankat janë duke ofruar ndihmë si për ekonomitë familjare ashtu edhe për bizneset, të cilat kanë pësuar humbje në të ardhurat e tyre apo edhe mbyllje të tërësishme si rezultat i pandemisë.

Telegrafi: Zotëri Balija, cila janë masat e marra nga Shoqata e Bankave të Kosovës, pas paraqitjes së pandemisë COVID-19?

Petrit Balija: Krahas shërbimeve tjera esenciale si barnatoret, furrat dhe maketet, edhe sektori i shërbimeve bankare është një ndër sektorët e rrallë që ka vazhduar të ofroj shërbime edhe në këtë kohë të emergjencës shëndetësore.

Megjithatë, duke pas parasysh rëndësinë e shërbimeve bankare si për ekonomitë familjare ashtu edhe për bizneset, bankat kanë arritur të tejkalojnë këto vështirësi dhe të ofrojnë shërbimet duke mundësuar qasje në para të gatshme dhe në pagesa në çdo kohë. Në këtë drejtim bankat kanë marrë një sërë masash përfshirë këtu respektimin e masave mbrojtës dhe ruajtjen e distancës gjatë ofrimit të shërbimeve bankare. Dezinfektimin e rregullt të degëve bankare, bankomateve dhe pajisjeve tjera.

Gjithashtu, janë marrë masa edhe në rritjen e limiteve për pagesa me kartela bankare pa kontakt dhe janë avancuar komunikimet digjitale me klientët që të mos ketë nevojë për vizita në degë por të kryhen pothuajse të gjitha shërbimet nga distanca në mënyrë elektronike.

Telegrafi: A ka vështirësi nga ana e bankave në operimin e tyre gjatë kësaj periudhe?

Petrit Balija: Primare për bankat ka qenë dhe mbetet mbrojtja e shëndetit të stafit dhe klientëve të shërbimeve bankare duke ndërmarrë te gjitha masat e rekomanduara nga instituti kombëtar shëndetësor dhe organizata botërore e shëndetësisë.

Kjo ka paraqitur një vështirësi të madhe operative duke ditur shtrirjen e rrjetit të shërbimeve bankare në tërë territorin e Kosovës me mbi 220 dege bankare dhe 3,200 punëtorë që janë risistemuar sipas udhëzimeve shëndetësore dhe masave te qeverise.

Telegrafi: Sa janë likuide bankat komerciale në Kosovë, a ka vend për panik?

Petrit Balija: Sektori i shërbimeve bankare ka ndërtuar një qëndrueshmëri të lartë ndër vite dhe ka likuiditet të mjaftueshëm dhe është i kapitalizuar mirë. Kjo falë një kujdesi të sektorit bankar ndër vite që të menaxhoj mirë me rrezikun kreditor dhe një qeverisje të mirë korporative dhe një bashkëpunimi të mirë në mes të bankave, rregullatorit dhe qeverisë. Bankat do të vazhdojnë të ruajnë me kujdes të veçante likuiditetin dhe stabilitetin e tyre ne mënyrë që të mos ketë asnjë problem gjatë kësaj pandemie.

Ne kemi krijuar edhe komitetin e përbashkët për vazhdimësinë e punës në mes të Shoqatës së Bankave, Bankës Qendrore dhe Ministrisë së Financave ku monitorohet likuiditeti në baza ditore dhe çdo gjë është duke shkuar mirë dhe nuk parashihet të ketë ndonjë problem në këtë drejtim.

Telegrafi: A pritni të ndikoj kjo pandemi në sektorin bankar të Kosovës?

Petrit Balija: Kjo situatë paraqet një krizë shëndetësore prandaj dallon nga situata e vitit 2008 ku kishin një krizë financiare botërore. Prandaj nuk pritet të ketë ndonjë ndikim që do të rrezikonte sektorin bankar.

Megjithatë, në aspektin operacional paraqiten vështirësi për shkak të restrikcioneve të vendosura për parandalimin e shpërndarjes së pandemisë si dhe ka një ngadalësim në aktivitetet kredituese e cila mund të ketë ndikim negative në profitabilitetin e sektorit bankar, varësisht edhe nga kohëzgjatja e pandemisë.

Telegrafi: BQK-ja ka marr vendim që të shtyhet afati i pagesave të kësteve, për ata që kanë vështirësi financiare, gjatë kësaj periudhe, si po zbatohet kjo nga bankat komerciale?

Petrit Balija: Bankat janë duke ofruar ndihmë shumë konkrete dhe praktike në këtë kohë si për ekonomitë familjare ashtu edhe për bizneset mikro, te vogla dhe të mesme të cilat kanë pësuar humbje në të ardhurat e tyre apo edhe mbyllje të tërësishme si rezultat i pandemisë. Kjo asistencë nga bankat po vjen në mënyra konkrete si ristrukturimi i kredive, shtyrja e pagesave të kredive për një periudhë të caktuar, mos aplikimi i kamatëvonesave dhe disa tarifave tjera administrative, dhe ruajtja e klasifikimit kreditor për klientët e tyre. Kështu që bankat i janë përgjigjur situatës pandemike me masa te rëndësishme lehtësuese dhe janë mundësuar lehtësime për dhjetëra mijëra klientë bankar.

Telegrafi: Ministri i Financave, Besnik Bislimi ka thënë se, “disa [banka] kanë vendosur që të hyjnë nëpër ujëra të turbullta”, duke mos e zbatuar këtë vendim. Cili është komenti i SHBK-së?

Petrit Balija: Ne nuk do t’i komentojmë deklaratat politike, por për sqarim mund të themi se në çdo program apo masë ka hapësirë për kritika në veçanti kur bëhet fjalë për një iniciative kaq të shpejtë dhe që përfshinë dhjetëra mijëra aplikacione, por se në këtë rast kemi pritur që sektorit bankar t’i njihen meritat pasi që është një ndër sektorët e rrallë që ka vazhduar të funksionoj gjatë tërë kësaj periudhe me një punë të palodhshme të stafit të bankave të cilët kanë shërbyer me dhjetëra mijëra klientë në degët e bankave në këtë kohë pandemie vetëm e vetëm që qytetarët të mos kenë vështirësi në furnizim me para të gatshme dhe me shërbimet tjera të domosdoshme.

Për më shumë, bankat janë ndër sektorët e rrallë që nuk kanë kërkuar asnjë ndihmë nga shteti as tash e as gjatë krizës së vitit 2008 për dallim nga shumë vende tjera të cilat kanë ndihmuar bankat për të tejkaluar krizat. Prandaj, nëse ndonjë sektor i ka ndihmuar këtij vendi në këtë kohë përveç furrave, maketeve, barnatoreve janë edhe bankat të cilat me resurset e tyre vetanake kanë respektuar të gjitha masat e parapara për parandalimin e shpërndarjes së virusit dhe kanë vazhduar të ofrojnë shërbimet esenciale për vendit pa ndërprerje dhe njëkohësisht duke ofruar donacione të ndryshme për institucionet shëndetësore.

Ne si sektor bankar nuk jemi duke i përcjell deklaratat politike por kemi orientuar tërë energjinë për të tejkaluar shumë ngarkesa që kemi në mirëmbajtjen e shërbimeve bankar në këtë kohë me masa kufizuese si në zonat e karantinuara ashtu edhe në pjesët tjera të Kosovës dhe qëllim primar është që të mos rrezikojmë në asnjë formë stafin bankar, klientët e bankave por edhe sistemin bankar dhe likuiditetin e sistemit financiar dhe njëkohësisht të ruajmë kapacitetet e mjaftueshme për të kredituar ekonominë gjatë fazës së rimëkëmbjes ekonomike dhe e tërë kjo pa e ngarkuar buxhetin shtetëror me ndonjë kërkesë për shpëtimin e sektorit bankar si po ndodhë në shumë vende të botës. /Telegrafi/