LAJMI I FUNDIT:

Audi tërheq nga shitja në Britaninë të Madhe modelet S4 dhe S5 me naftë

Audi tërheq nga shitja në Britaninë të Madhe modelet S4 dhe S5 me naftë

Audi ka tërhequr nga shitja në Mbretërinë e Bashkuar modelet S4 dhe S5, duke cituar nevojën e përmbushjes të porosive ekzistuese për shkak të kërkesës së madhe për këto modele, por nuk ka dhënë asnjë shenjë se kur do kthehen në shitje.

Veturat sportive me naftë janë larguar nga ueb-faqja e markës gjermane, dhe janë në dispozicion për blerje vetëm nga magazinat.


Linjat e modeleve, si të A4, po ashtu edhe të A5, pritet që të zëvendësohen vitin tjetër, me prototipet e modeleve të reja të cilat së fundmi janë parë duke u testuar me fenerë më të hollë, grilë të përparme të riformuar dhe doreza të rrafshuara në mesin e ndryshimeve të dukura, raporton Autocar, përcjell Telegrafi.

Mbetet e paqartë se nëse veturat e gjeneratës aktuale do kthehen në shitje përpara se të caktohet prezantimi i veturave të reja.

Popullariteti i veturave me naftë ka rënë ndjeshëm vitet e fundit. Ajo përbënte 47 për qind të të gjitha shitjeve të veturave të reja në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2016, por ra me 37.8 për qind në 2017, duke filluar një spirale nga e cila nuk është rikuperuar.

Në vitin 2022, veturat me naftë përbënin vetëm 5.1 për qind të të gjitha shitjeve të veturave të reja në Mbretërinë e Bashkuar, krahasuar me 6.3 për qind për hibridet plug-in dhe 16.6 për qind për veturat elektrike. /Telegrafi/