LAJMI I FUNDIT:

Aty mungon gjithçka, lagja pa infrastrukturë e fshatit Bukosh të Vushtrrisë (Video)

Aty mungon gjithçka, lagja pa infrastrukturë e fshatit Bukosh të Vushtrrisë (Video)

Banorët e lagjes së re në fshatin Bukosh të Vushtrrisë po përballën me një varg mungesash në infrastrukturë, ndërsa Komuna nuk i kthen sytë nga ta.

Përveç se mungon rrjeti i kanalizimit dhe ujësjellësit aty edhe rruga është e paasfaltuar, ndërsa rrjeti elektrik është shtrirë nga vetë banorët e lagjes.


Feriz Jashari, ka një vit që ka ndërtuar shtëpinë në lagjen e re në fshatin Bukosh. Por, në vend shtëpia e sapo ndërtuar t’i sjell gëzim dhe emocion, jetesa këtu i është vështirësuar.

Sipas tij, është mungesa e infrastrukturës po u hap telashe të shumta.

“Rrugë s’kemi, rrymë s’kemi, kanalizim s’kemi. Këtu është tmerr. Ujin duhet me pru nga Vushtrria këtu me dorë. Për shkak të këtyre probleme nuk po mundem me ardhur këtu. Në Komunë na thonë se s’ka buxhet”, shprehet Feriz Jashari.

Banori Fehmi Hajrizi në mesin e gjithë këtyre problematikave, thotë se hallin më të madh e kanë me kanalizim.

“Më së keqi jemi për ujë të pijshëm, sepse duhet me pru këtu nga Vushtrria, paguajmë taksi, sepse mjete tona nuk kemi. Por problemi më i madh është se nuk kemi kanalizim. Bunarët i kemi qelë, por të gjithë janë turbulluar nga kanalizimet”, shprehet banori Fehmi Hajrizi për RTV Dukagjinin, i cili po ashtu thotë se Komunës disa herë i janë drejtuar, por nuk u është bërë zgjidhje.

E, sipas Drejtorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Vushtrrisë, Sedat Rashica, është mungesa e buxhetit, ajo që ka bërë të pamundur trajtimin e problemeve infrastrukturore në afat rekord në lagjet e fshatit.

“Në fshatin Bukosh rrjeti primar i kanalizimit është në përfundim e sipër si dhe rrjeti primar i ujësjellësit është i përfunduar. Po ashtu një pjese të lagjes së lartcekur është furnizuar me gypa, vendosjen e të cilëve e ka bërë vetë komuniteti. Ka mbetur edhe pjesa tjetër, banorët e së cilës kanë bërë kërkesë para dy-tri ditësh. Deri më tani komuna ka qenë e përkushtuar për vendosjen e rrjetit primar dhe në pamundësi financiare nuk ka qenë e mundur të trajtohen të gjitha probleme. Me krijimin e mundësive buxhetore do të shqyrtohen mundësitë për realizimin e këtyre kërkesave”, ka përfunduar Rashica. /Telegrafi/