LAJMI I FUNDIT:

Atomistja Era Syla fiton medalje te Bronztë në Olimpiadën Matematike Evropiane për Vajza –EGMO 2020

Atomistja Era Syla fiton medalje te Bronztë në Olimpiadën Matematike Evropiane për Vajza –EGMO 2020

Atomistja Era Syla ka fituar medalje te Bronztë në Olimpiadën Matematike Evropiane për Vajza –EGMO 2020, ku Republika e Kosovës u paraqit për herë të parë në këtë garë të formatit të ngjashëm me Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës, dhe konsiderohet gara më e rëndësishme e matematikës për vajza.

Në këtë garë marrin pjesë thuajse të gjitha shtetet e Evropës, ku përfaqësohen nga nxënëset më të mira të matematikës.


“Inteligjenca në vetvete është vetëm një mjet. Vlera e saj vjen në shprehje vetëm përmes orientimit pozitiv për të cilin përdoret”, janë fjalët e William Stern, njërit prej pionierëve të psikologjisë diferenciale, i cili po ashtu është i pari që përdori termin IQ (Koeficient i Inteligjencës). Era Syla, kjo vajzë me inteligjencë të jashtëzakonshme, me përkushtim e punë të palodhshme dhe dashuri për matematikën ka bërë pikërisht këtë!”, thuhet në njoftim.

Instituti Atomi ka uruar Era Sylën për suksesin e arritur në këtë garë, ndërsa tha se ajo ka qenë edhe në Garën Ndërkombëtare të Matematikës “Kangaroo”, ku për tri vite radhazi ka qenë në mesin e nxënësve me rezultatet më të larta në Kosovë.

“Me këtë rast një falënderim i takon Valmir Krasniqit, i cili në vazhdimësi ka përkrahur profesionalisht Erën, qoftë në kuadër të Institutit ATOMI por edhe në kuadër të Garës Ndërkombëtare të Matematikës ‘Kangaroo’, në të cilën Era për 3 vite radhazi ka qenë në mesin e nxënësve që kanë arritur rezultatet më të larta në Kosovë. Instituti ATOMI përgëzon Erën për këtë sukses të jashtëzakonshëm dhe i uron suksese edhe në të ardhmen”, thuhet më tej.

Era Syla është atomistja e tretë me radhë që fiton çmim në një garë ndërkombëtare të matematikës pas Shend Zhjeqit dhe Doruntina Sylejmanit. /Telegrafi/