Afati kalimtar i verës po nxehet me Mason Greenwood që është kthyer në një nga emrat më të kërkuar në futbollin evropian.

Sulmuesi britanik po kalon formën më të mirë të karrierës së tij te Marseille, ku është bërë lojtari kryesor i repartit ofensiv.


Në moshën 24-vjeçare, Greenwood po zhvillon një sezon shumë të mirë, me 25 gola dhe 10 asistime deri tani.

Këto shifra e vendosin atë mes lojtarëve më vendimtarë në Evropë dhe kanë rritur ndjeshëm interesin e klubeve të mëdha për të.

Një nga klubet më të interesuara është Atletico Madrid, skuadra spanjolle po kërkon të forcojë sulmin me një lojtar me ndikim të menjëhershëm dhe e sheh Greenwood si një profil të përshtatshëm për projektin e Diego Simeone.

Klubi madrilen po përgatit një ofertë rreth 60 milionë euro për të testuar qëndrimin e Marseille.

Megjithatë, Atletico nuk është i vetëm në këtë garë, Paris Saint-Germain po e ndjek gjithashtu situatën nga afër dhe, me kërkesë të trajnerit Luis Enrique, është gati të hyjë në konkurrencë për transferimin e tij.

Marseille, nga ana tjetër, nuk ka ndërmend ta lërë të largohet lehtë, klubi francez është i vetëdijshëm për rëndësinë e Greenwood dhe për interesin e madh që ai ka në treg, ndaj çdo largim do të varet nga një ofertë shumë e lartë.

Në këto kushte, pritet që gara për nënshkrimin e tij të bëhet më e fortë gjatë verës, ndërsa shuma e transferimit mund të tejkalojë ndjeshëm 60 milionë euro.

Greenwood mbetet i përqendruar te paraqitjet e tij me Marseille, duke vazhduar të rrisë vlerën e tij në çdo ndeshje.

E ardhmja e tij pritet të jetë një nga çështjet kryesore të afatit kalimtar të verës në futbollin evropian. /Telegrafi/

telegrafi sport app