LAJMI I FUNDIT:

ATK paralajmëron kontroll gjithëpërfshirës për sektorin e ndërtimit

ATK paralajmëron kontroll gjithëpërfshirës për sektorin e ndërtimit

Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se ATK-ja së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar me anë të “Planit për Përmirësimin e Përmbushjes në Sektorin e Ndërtimtarisë 2019-2021”, do të fillojnë që të monitorojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse sektorin e ndërtimit, në mënyrë që të shmanget evazioni fiskal.

“Ne si Administratë Tatimore në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar, jemi të përkushtuar që të përmirësojmë qasjen e vet institucionit tonë në menaxhimin e përmbushjes tatimore. Për të siguruar një përmbushje të tillë jemi duke tentuar t’i adresojmë rreziqet kryesore që përbëjnë pjesën më të madhe të hendekut tatimor. Në këtë drejtim kemi filluar me një pilotprojekt sektorial në pjesën e sektorit të ndërtimit”.


“Plani për sektorin e ndërtimtarisë ka të bëjë për vitet 2019-2021 dhe ka filluar si fazë informuese për opinionin. Pastaj kemi fazën e detajuar të veprimit. Qëllimi i këtij plani është që të adresohet i tërë investigimi apo verifikimi i të gjithë shtresave të tatimpaguesve që ndërlidhën me këtë sektor për të verifikuar shmangiet eventuale tatimore nga individë apo biznese të ndërlidhura. Objektivi ynë është që të kemi një shtrirje sa më të gjerë të bazës tatimore. Në të kaluarën nuk kemi pasur një shtrirje të tillë, pasi siç dihet sektori i ndërtimtarisë është i ndërlidhur me shumë nënkontraktorë. Pra, do të kemi një shtrirje vertikale dhe horizontale në tërë territorin e Kosovës, gjegjësisht edhe të tatimpaguesit mikro”.

Ai ka bërë të ditur se në të ardhmen parashihet që edhe në sektorët e tjerë të implementohet një projekt i tillë me synim të luftimit të evazionit fiskal dhe dukurive tjera negative.

Po ashtu, Murtezaj ka bërë me dije se bazuar në këtë plan, kontrollet e para do të fillojnë në muajin shtator.