LAJMI I FUNDIT:

Astrit Panxha shpjegon në detaje efektet e taksës për prodhimet e Serbisë e Bosnjës, si dhe shkeljet e Serbisë drejtë Kosovës

Astrit Panxha shpjegon në detaje efektet e taksës për prodhimet e Serbisë e Bosnjës, si dhe shkeljet e Serbisë drejtë Kosovës

Drejtori Ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha ka shpjeguar në detaje vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës për 10 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Panxha tregon se a ka shkelur Kosova marrëveshjen e CEFTA-s, si dhe për çështjet e tjera të cilat kanë të bëjnë me bizneset vendore.


Shkrimi i Plotë i Panxhës.

Vendimi i futjes së taksës prej 10 për qind për produktet e Bosnjës dhe Serbisë ka shkaktuar reagime të shumta. BE-ja ka kërkuar sqarime urgjente në lidhje me vendimin e ‘papritur’ nga Qeveria e Kosovës për të imponuar një rritje prej 10% të taksave të importit për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Sipas BE-së kjo është një shkelje e qartë e obligimeve të Kosovës sipas CEFTA-s. Po ashtu BE-ja pret që Kosova, e cila aktualisht mban kryesimin e CEFTA-s, të përmbushë plotësisht detyrimet e CEFTA-s dhe të revokojë masën.

Çka mund të pritet nga BE-ja nëse Kosova nuk e revokon masën e miratuar ndaj Serbisë dhe Bosnjës? Në bazë të dialogut në mes të dy palëve nëse njëra palë shkel marrëveshjet ekzistuese, BE-ja do të pezulloj ndërmjetësimin dhe do te caktoj fajësinë. Në këtë rast BE-ja pa marrë shpjegime nga Kosova vetëm se e ka përcaktuar fajësinë e Kosovës. Cili mund te jete veprimi i radhës i BE-së? BE-ja mund te kushtëzoj fondet nëpërmjet Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA). IPA fondet nuk do të pezullohen sa i përket fushave të qeverisjes dhe zbatimit të ligjit, por do të mund të suspendoheshin në këto fusha: sektorin e transportit, energjisë, bujqësish si dhe financimit te konkurrencës. Do të thotë ne fushat qe ndërlidhen me ekonominë.

Por pse nuk reagon BE kur Kosova paraqet dhe ankohet vazhdimisht për shkeljet që është duke i bërë Serbia në vazhdimësi si ne CEFTA ashtu edhe në marrëveshjet e Brukselit. Këto shkelje po e dëmtojnë Kosovën pikërisht në transport, energji, bujqësi dhe konkurrueshmëri. Ironike, BE-ja përmes fondeve të IPA-s financon këto sektorë ndërsa në anën tjetër Serbia bën të pamundurën që të na dëmton mu në këta sektorë.

Panxha: Taksa për mallrat jo e mjaftueshme, duhet 'embargo totale' ndaj Serbisë (Video)
Lexo po ashtu Panxha: Taksa për mallrat jo e mjaftueshme, duhet 'embargo totale' ndaj Serbisë (Video)

Më poshtë është një listë ku paraqiten shkeljet e Serbisë dhe Bosnjës ndaj Kosovës.

Rregullat e origjinës dhe bashkëpunimit në administrimin doganor.

Sipas CEFTA-ës, Kapitulli 5 (neni 14), ‘Përveç se kur parashikohet ndryshe në këtë marrëveshje, aneksi 4 përcakton rregullat e origjinës për zbatimin e dispozitave të kësaj Marrëveshjeje dhe metodave për bashkëpunimin administrativ në çështjet e doganave. Komiteti i Përbashkët mund të vendosë të ndryshojë dispozitat e aneksit 4.’ Përmes këtyre anekseve përcaktohen dokumentet e nevojshme që dëshmojnë origjinën e produktit. Origjina e produktit ndërlidhet drejtpërdrejt me simbolet shtetërore të vendit nënshkrues të CEFTA-ës. Sipas raportimit të MTI-s, barrierat më të shpeshta të raportuara me Serbinë janë në fushën e procedurave doganore për import (nga vendet e treta përmes Serbisë në Kosovë) dhe eksport. ‘Procedurat doganore i referohen të gjitha fazave që lidhen me lëvizjen ndërkufitare të mallrave në tregtinë e eksportit dhe importit. Çështjet që lidhen ngushtë me procedurën përfshijnë kodin e sjelljes, kategoritë e doganave, dokumentacionin e kërkuar dhe masat e tjera të veçanta.’ Në këtë pikë, administrate shtetërore e Serbisë paraqet pengesat më të mëdha ndaj kompanive kosovare. Edhe pse është arritur një marrëveshje në mes dy palëve për vulat doganore, autoritet serbe ende përdorin vulat paralele doganore në kundërshtim me rregullat e vendosura nga CEFTA. Këto vula ilegale përdoren me mbishkrimet “Carinarnica Priština” nën degën e Doganës së Niš në Serbi. Kjo fushë, përveç marrëveshjes së CEFTA-ës rregullohet edhe me Marrëveshjen e Brukselit. Po ashtu, Serbia ende nuk ka rishpërndare staf të mjaftueshëm doganorë në pikat kufitare me Kosovën, duke vështirësuar sidomos eksportin e Kosovës drejtë Serbisë edhe pse për këtë është zotuar në Bruksel.

Mos-njohja e origjinës së mallrave të Kosovës nga ana e Serbisë shtrihet në shumë sektorë të ekonomisë, sidomos në sektorë kur kërkohen licenca shtesë për të eksportuar në Serbi (licenca për të importuar në Serbi), p.sh. nëse një kompani e Kosovës dëshiron të eksporton produkte në sektorin e materialeve të ricikluara ku kërkohet leje nga Ministria e Ambientit të Serbisë kjo është thuajse e pamundur. Leja e importit lëshohet në emër të kompanisë nga Kosova ku duhet të specifikohet se malli është nga Kosova. Për shkak që institucionet e Serbisë nuk e njohin Kosovën leja refuzohet. Njëjtë ndodhe edhe ne sektorin e produkteve farmaceutike. Në bazë të marrëveshjeve të Brukselit, palët janë akorduar që për regjistrim të ndërsjellët të barnave do të lëshohen certifikata status-neutrale të produkteve farmaceutike. Kjo marrëveshje do ti jepte mundësi kompanive nga dy vendet të regjistrojnë ilaçet dhe pajisje medicinale. Sot, në Kosovë janë regjistruar një numër i madh i produkteve farmaceutike nga Serbia, ndërsa në Serbi, prodhuesit e Kosovës e kanë të pamundur të regjistrohen edhe përkundër marrëveshjes së arritur.

Në një pikë ku Serbia ka dështuar plotësisht të implementon marrëveshjet e Brukselit dhe shkel marrëveshjen e CEFTA-ës është në fushën e Menaxhimit të Integruar të Kufijve. Serbia është obliguar të ndërtojë objekte të përhershme në pikat kufitare me Kosovën. Si rrjedhojë, nuk ka vendosur kontroll efektiv mbi qarkullimin e mallrave dhe njerëzve. Kjo ka ndikuar në shfrytëzimin e rrugëve alternative nga kontrabantuesit e mallrave serbe. Nuk ka shifra te sakta sa është shuma e këtyre mallrave por supozohet që arrijnë në qindra miliona euro. Këto produkte futen në Kosovë pa paguar tarifat doganore si dhe TVSH-n duke ndikuar që çmimi i tyre në treg të jetë substancialisht më i ulët se produktet e Kosovës. Kjo ndikon mjaft shumë në prishjen e konkurrencës ne tregun e brendshëm të Kosovës, ku prodhimet e Kosovës kanë vështirësi të konkurrojnë me produktet serbe. Në vitin 2017, Komisioni Evropian u tregua shumë i ‘ashpër’ duke ‘rikujtuar’ Serbinë për mos-implementimin e kësaj pike të marrëveshjeve me Kosovën. Ky ‘rikujtim’ është harruar edhe pse ndikimi i mos-zbatimit të kësaj marrëveshje në ekonomin e Kosovës është tejet negativ.

Paramendoni nëse gjatë CEFTA-ës së viteve 90-ta të njëjtat politika doganore të zbatoheshin nga Bulgaria në drejtim të Rumanisë. Si do te reagonte Brukseli?

Kush është duke i shkelur marrëveshjet?

Certifikatat sanitare dhe fitosanitare

Sipas CEFTA-ës, Kapitulli 3 (neni 12), ‘Palët do të bashkëpunojnë në fushën e masave sanitare dhe fitosanitare, duke përfshirë çështjet veterinare, me qëllim zbatimin e rregulloreve përkatëse në një mënyrë jo-diskriminuese. Secila palë, me kërkesë të një palë tjetër, jep informacion për masat sanitare dhe fitosanitare.’ Kjo është një pikë ku po ashtu paraqiten praktikat e zbatimit te barrierave jo-tarifore nga ana e Serbisë.

Aplikimi i barrierave jo-tarifore nga ana e Serbisë në drejtim të prodhuesve të Kosovës e dëmton rrjedhën normale te tregtisë, sepse qëllimi parësor është të vështirësohet në masë të madhe eksporti i Kosovës ndaj Serbisë, e në disa raste të bllokohet tërësisht. Sot një prodhues i lëngjeve nga Kosova, me lehtë eksporton në Suedi se sa në Serbi. Pse? Sepse nga 100 maune që eksportohen në Suedi vetëm 3 deri 5 maunave ju kërkohet që të bëjnë analiza shtesë. Ndërsa, për në Serbi çdo maune që kalon me lëngje detyrohet të jap mostrën e produktit dhe ti bën analizat. Çka nënkupton kjo? Kur bëhet analiza e produkti në terminalet doganore, kosto bartet nga prodhuesi i Kosovës. Prodhuesit duhet të paguan për analizat laboratorike, për koston e qëndrimit në terminal dhe koston e vonesës së produktit për të dalë në treg. Rritja e kostos zvogëlon në masë të madhe profitin e kompanisë kosovare e në raste të shpeshta i shkaktohet edhe humbje. Arsyetimi i autoriteteve serbe është se analizat duhet të bëhen për shkak të mbrojtjes së konsumatorit. Por shtrohet pyetja, a janë autoritetet suedeze më pak të kujdesshëm në mbrojtje të konsumatorëve se sa autoritete serbe? Sjellja e autoriteteve serbe karshi prodhuesve kosovar ka ndikuar qe këta të fundit te dekurajohen për të eksportuar ne Serbi. Kjo politikë e ‘dekurajimit’ ndikon që shumë prodhues mos të tentojnë fare të depërtojnë në tregun e Serbisë.

Paramendoni nëse gjatë CEFTA-ës se viteve 90-ta të njëjtat praktika të zbatoheshin nga institucionet Rumune për kompanitë Bullgar? Si do te reagonte Brukseli?
Kush është duke i shkelur marrëveshjet?

Energjia

Në këtë pikë shpesh është proklamuar se palët kanë arritur progres substancial si në arritjen e marrëveshjeve, po ashtu edhe në zbatimin e tyre. Por realiteti në terren është krejtësisht ndryshe. Humbjet direkt të Kosovës nga mos-zbatimi i këtyre marrëveshjeve arrijnë mbi 30 milionë euro. Energjia elektrike në veri vazhdon të mos paguhet, duke ndikuar në rritjen e kostos së energjisë për qytetarët dhe prodhuesit e Kosovës. Sistemi i energjisë së Kosovës ende nuk e ka fleksibilitetin e nevojshëm për të importuar energjinë nga vendet e rajonit sidomos nga Shqipëria. Kjo ndodhë për shkak te bllokimit të futjes në funksion të linjës së interkoneksionit prej 400 KË në mes Kosovës dhe Shqipërisë nga ana e Serbisë. Prandaj, Kosova importon energji me çmim shumë të lartë dhe kjo shkakton probleme në furnizim të rregullt për prodhuesit e Kosovës. Sipas një raporti të USAID humbjet vjetore të prodhuesve si rrjedhoje e mungesës se energjisë elektrike arrijnë në rreth 300 milionë euro. Nëse bëjmë një analiza krahasimore, eksportet e Kosovës arrijnë në 300 milionë euro, atëherë çdo euro e fituar në eksport nga prodhuesit kosovar duhet të shpenzohet për mbulimin e humbjeve nga furnizimi i dobët me energji elektrike. Ky furnizim do te përmirësohej dukshëm sikur Kosova mund te shkëmbente energji me Shqipërinë duke shfrytëzuar rrjetin prej 400 KË, e jo ti drejtoj tregjeve rajonale (ku dominojnë kompanitë serbe) për të blerë energji.

Paramendoni nëse gjatë CEFTA-ës se viteve 90-ta Republika Çeke të pengohej nga Slovakia për tu lidhur me transmision elektrik me Hungarinë. Si do te reagonte Brukseli?

Kush është duke i shkelur marrëveshjet?

Ndihma shtetërore

Sipas CEFTA-ës, Kapitulli 5, në seksionin B (neni 21), ‘Çdo ndihmë e dhënë nga një palë ose nëpërmjet burimeve shtetërore në çfarëdo lloj forme që deformon ose kërcënon të deformojë konkurrencën duke favorizuar mallra të caktuara, në masën që kjo mund të ndikojë në tregtinë ndërmjet palës së interesuar dhe palëve të tjera në këtë marrëveshje, është në kundërshtim me funksionimin e rregullt të kësaj marrëveshjeje’.

Në punimin nga Dr Dusan Janic ‘ Tejkalimi i barrierave të bërit biznes dhe normalizimi’ (viti 2017) prezantohet skema e shtetit serb për përkrahjen e projekteve dhe ndërmarrjeve serbe që operojnë në Kosovë. Aty shpjegohet se si pjesë e reformave, qeveria serbe po përpiqet të ndryshojë qasjen dhe të mbështesë vetëm ato projekte, institucione dhe kompani që mund të jenë të vetë-qëndrueshme financiarisht. Kjo qasje u prezantua në tryezën e rrumbullakët “Suksesi i Regjionit”, mbajtur më 29 maj 2015, organizuar nga Zyra e Qeverisë së Serbisë për ‘Kosovën dhe Metohinë’. Sipas Janic ‘Ideja themelore e kësaj qasjeje është përshtatja me rrethanat e reja. Për shembull, krijimi i të ashtuquajturave kompanive simotra që do të regjistroheshin në Kosovë, sipas ligjeve të Kosovës, dhe operacionet e tyre do të mbështetën nga shteti i Serbisë.’ Aty shpjegohet se mbështetja do jetë në këtë formë: për çdo të punësuar në Kosovë, kompania serbe do të lirohet nga kontributet për një punonjës në Serbi ose për çdo 1 euro të shitur në Kosovë do të rimbursohet 30 centë në Serbi.

Kjo është një skeme e bërë publike, por duhet të jemi të vetëdijshëm se ekzistojnë edhe shumë skema për të cilat publiku i gjerë nuk është i informuar. Atëherë, faktet e mësipërme vërtetojnë edhe konkluzionet e Klubit të Prodhuesve të Kosovës dhe MTI-s se produktet e Serbisë shiten në Kosovë nën-koston e prodhimit dhe janë vazhdimisht të subvencionuara nga shteti. Kjo formë e përkrahjes së shtetit serb për produktet serbe që shiten në Kosovë është shkelje flagrante e të gjitha iniciativave dhe marrëveshjeve për normalizim në mes dy vendeve. Kjo ndikon direkt në uljen e konkureshmëris së sektorit të prodhimit në Kosovë dhe varfërimin e popullatës së Kosovës. Mirëpo, është në favor të tregtarëve të prodhimeve nga Serbia.

Paramendoni nëse gjatë CEFTA-ës së viteve 90-ta të njëjtat subvencionime ti aplikonin institucionet Polake për tregun e Sllovenisë? Si do te reagonte Brukseli?

Kush është duke i shkelur marrëveshjet?

Investimet

Sipas CEFTA-ës Kapitulli 6 ne seksionin B (neni 30 deri ne nenin 32), palët nënshkruese duhet te bashkëpunojnë në aspektin e investimeve, po ashtu edhe në bazë të procesit të Berlin ku edhe është themeluar Forumi i Odave për Investime në Ballkanin perëndimor, palët janë zotëruar qe do te bashkëpunojnë për te paraqitur rajonin e Ballkanit si rajon atraktivë për investime dhe nuk do te sabotojnë njëra tjetrën. Është nënshkruar marrëveshje në mes dy Odave për të rritur aktivitetet ekonomike në mes dy vendeve. Janë përfshi shume pika në të cilat do të punojnë bashkërisht. Njëra nga sferat e bashkëpunimit është edhe promovimi i dy vendeve para investitorëve te huaj. Investitorët e huaj interesohen për të investuar në vende te cilat janë stabile dhe ne marrëdhënie të mira fqinjësore. Por si ndikojnë deklaratat raciste dhe te shfrenuara nga politikanet serbe në botë, në krijimin e një imazhi të deformuar për Kosovën. Si mund te flasim për tërheqje te investimeve të përbashkëta kur Ministri Vulin deklaron para përfaqësuesve të mbi 100 shteteve ‘se Kosova është qendër e karteleve më të fuqishme të drogës si dhe burim i ekstremizmit islamik ne Evropë.’ Kjo është vetëm njëra nga qindra deklaratat skandaloze të bëra nga establishmenti serb.
Këtu do shtoja edhe bllokadat e padrejta që i bën çdo procesi të privatizimit si p.sh të Trepçës dhe sektorëve tjera strategjike. Serbia në vazhdimësi ka bërë fushate kundër Kosovës se gjoja asetet që janë në proces të privatizimit janë me pronësi të kontestuar (gjatë procesit të privatizimit të PTK-s, shteti serb ka publikuar një faqe të plotë ne revistën ‘The Economist’ ku i bën thirrje investitorëve mos të privatizojnë PTK-n sepse është pronë e shtetit Serb).

Paramendoni nëse gjatë CEFTE-s së viteve 90 të njëjtën gjuhë të përdornin përfaqësuesit e shtetit të Sllovakisë kundër Republikës Çeke. Si do te reagonte Brukseli?

Kush është duke i shkelur marrëveshjet?
Prokurimi Publik

Sipas CEFTE-s Kapitulli 6 në seksionin C (neni 34 deri ne nenin 36), palët nënshkruese duhet zotohen ‘Secila palë që nga data e hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje do të sigurojë që prokurimet nga entet e veta do të zhvillohen në një mënyrë transparente dhe të arsyeshme, do të trajtojnë të gjithë furnitorët e palëve tjera me barazi, dhe bazohet në parimin e konkurrencës së hapur dhe të efektshme’. Sot furnitorëve nga Serbia nuk ju ndalohet të aplikojnë në tenderë publike (vetëm ne KEK i kemi mbi dhjetëra kompani fituese nga Serbia) ndërsa furnitorët e Kosovës nuk mund të aplikojnë ne Serbi sepse ky shtet nuk e njeh origjinën e kompanive kosovare dhe si rrjedhoje i diskualifikohen që në fillim. Sa humbje i shkaktohet ekonomisë se varfër të Kosovës?

Paramendoni nëse gjatë CEFTE-s se viteve 90-ta të njëjtat procedura ti aplikonin institucionet Hungareze ndaj kompanive Sllovake. Si do te reagonte Brukseli?

Kush është duke i shkelur marrëveshjet?

Transporti

Sa i përket transportit Kosova përballet me problemet e transitit ku në vazhdimësi kërkohen dokumente të ndryshme dhe të paarsyeshme. Po ashtu, Kosova nuk mund të përdor transportin hekurudhor përmes Serbisë. Kjo ndikon direkt në rritjen e kostos së transportit për shumë sektorë.
Paramendoni nëse gjatë CEFTE-s se viteve 90-ta të njëjtat praktika të zbatoheshin nga institucionet Rumune për kompanitë Bullgar? Si do te reagonte Brukseli?

Kush është duke i shkelur marrëveshjet?

Izolimi ekonomik rajonal që është duke iu bërë Kosovës nga Bosnja dhe Serbia si dhe mungesa e përparimit në këtë fushë është duke ndikuar negativisht në performancën ekonomike të Kosovës. Mos lejimi i integrimit në sistemin rajonal minon përpjekjet e prodhuesve kosovarë që të depërtojnë në tregjet e rajonit dhe vendet e BE-s. Kjo detyrimisht po reflektohet në shkallën e lartë të papunësisë, sidomos tek të rinjtë ku shifrat e papunësisë arrijnë mbi 50 përqind.

Me lartë u përmendën shkeljet e CEFTA-s dhe marrëveshjeve të Brukselit në aspektin ekonomikë nga ana e Serbisë dhe Bosnjës. Por sjellja politike dhe diplomatike e Serbisë ndaj Kosovës është tejet shqetësuese dhe do të duhej të detyronte Brukselin të reagon. Serbia është duke cenuar sigurinë kombëtare të Kosovës dhe në format e ndryshme është duke punuar intensivisht në zhbërjen e shtetësisë së Kosovës.

Sipas CEFTA-ës Kapitulli 5, seksioni A (neni 18 Përjashtimet e sigurisë) Asgjë në këtë marrëveshje nuk e pengon një palë nga marrja e një mase që ajo e konsideron të nevojshme për:
1. parandalimin e përhapjes së informacionit në kundërshtim me interesat e tij esenciale të sigurisë;
2. mbrojtjen e interesave ë tij esenciale të sigurisë ose për zbatimin e detyrimeve ndërkombëtare ose politikave të brendshme:

Prandaj si për arsyeje ekonomike ashtu edhe të sigurisë, vendimi i Kosovës për futjen e taksës prej 10 përqind nuk shkel marrëveshjen e CEFTA-s. Përkundrazi, duhet të merret si një sinjal i dërguar nga Kosova për ndihmë nga Brukseli.

Ndërsa ne duhet seriozisht te mendojmë për mekanizmat tjerë qe duhet ti përdorim për kushtëzimin e qasjes së Serbisë në tregun e Kosovës. A duhet të paguan kosto shtesë Serbia për të pasur qasje në tregun e Kosovës? Këtë do ta elaboroj në tekstin e radhës.

Më poshtë është linku i debatit të muajit maj, ku kam kundërshtuar qasjen e pakufiazuar të kompanive serbe në Kosovë. Atëherë jam konsideruar si pseudo-patriot dhe kundër principeve të BE-së?? /Telegrafi/