LAJMI I FUNDIT:

Asistenca sociale në Kosovë, sa për mbijetesë

Asistenca sociale në Kosovë, sa për mbijetesë

Numri i familjeve me gjendje të rëndë ekonomike, që marrin asistencë sociale nga buxheti i Kosovës, arrin në rreth 25 mijë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në raportin “Statistikat e Mirëqenies Sociale, tremujori i dytë 2019”, janë mbi 100 mijë anëtarë që vazhdojnë të jetojnë vetëm me paratë të marra nga ndihmat sociale. Numri më i madh i tyre është në Mitrovicë, pasuar nga Prishtina dhe Vushtrria.


Shuma mujore e ndihmës sociale e cila iu paguhet familjeve në varfëri ndryshon, duke filluar nga vlera prej 50 euro deri 150 euro.

Baza e politikave sociale në Kosovë përbëhet kryesisht nga skema e ndihmës sociale, skema e pensioneve, ku përfshihen pensionet e moshës dhe kontribut-dhënëse, pensionimet e parakohshme të disa ndërmarrjeve, beneficionet për veteranët e luftës, si dhe kategori tjera sociale.

“Nga skema e pensioneve bazë të moshës janë 129,267 përfitues, nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 46,513 përfitues, nga skema për pensionet familjare janë 3,932 përfitues, nga skema për pensionet invalidore janë 105 përfitues, nga skema për pensionet e Trepçës janë 2,752 përfitues, nga skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës janë 1,071 përfitues, nga skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës janë 541 përfitues, nga skema e kompensimeve për personat e verbër janë 1,924 përfitues, nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 17,323 përfitues dhe nga skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik janë 3,105 përfitues”, thuhet në raportin e ASK-së, përcjell Telegrafi.

Familjet sipas numrit të anëtarëve që pranojnë ndihma sociale | Burimi: ASK

Të gjitha këto skema, për vitin aktual vitin e kaluar, buxhetit të Kosovës i kanë kushtuar më shumë se 453 milionë euro, apo 20 për qind të shumës së përgjithshme.

“Lidhur me përfitimet të asistencës sociale pjesë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale kemi një rritje prej 15.3 për qind brenda vitit 2019, e cila përfshin financimin e skemave të përkrahjes për qytetarët e pa-aftësuar në vendin e punës, për pensionin familjar, për pagesën e mbështetjes financiare për qytetarët paraplegjik dhe kujdestarëve të tyre, si dhe për mbështetjen financiare për viktimat e dhunës seksuale të luftës. Për veteranët e luftës, është paraparë mbështetje adekuate sipas dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në Ligjin për Buxhetin, përcjell Telegrafi.

Nga të dhënat zyrtare, prezantuar nga Banka Botërore, shkalla e varfërisë në Kosovë vlerësohet të jetë rreth 2.5 për qind. Nga kjo shifër mbi 18 për qind llogaritet varfëria e përgjithshme – që njerëzit janë të varfër me atë që konsiderohet të jetë standard i kërkesave minimale, kurse mbi 5.1 për qind varfëria ekstreme – që tregon se njerëzit janë të varfër, pasi nuk mund t’i përmbushin nevojat themelore në ushqim.

“Shkalla e varfërisë është më e larta në mesin e ekonomive familjare, që burim kryesor të të ardhurave kanë ndihmat sociale. Megjithëse shumica e të varfërve janë të përqendruar në ekonomitë familjare te të cilat burimi kryesor i të ardhurave të tyre vjen nga rroga në sektorin privat, që është 34.7 për qind, rreth 11.8 për qind e të varfërve raportojnë të ardhura nga asistenca sociale si burimi kryesor i të ardhurave familjare”, thuhet në raportin e Bankës Botërore për varfërinë, përcjell Telegrafi.

Numri i përfituesve nga skemat sociale, tremujori i dytë 2019 | Burimi: ASK

Në Kosovë, konsumi i përgjithshëm për një ekonomi familjare – mesatarisht me pesë persona – është rreth 7,800 euro, që i bie 650 euro në muaj. Ndërsa, në raportin e konsumit për kokë banori, një kosovar konsumon jo më shumë se 1,500 euro në vit apo 125 euro në muaj.

Agjencia e Statistikave të Kosovës thotë se ekonomitë familjare shpesh nuk janë në gjendje të paguajnë në kohë pagesat.

“Ekonomitë familjare shpesh nuk janë në gjendje të paguajnë në kohë pagesat siç janë qiraja, kreditë, tatimet, shpenzimet komunale – faturat, mirëmbajtje të rregullta, etj. Te ekonomitë familjare që një herë nuk kanë mundur të përballojnë pagesat është vërejtur rritje prej rreth 8 për qind. 45 për qind e ekonomive familjare dy herë ose më shumë nuk kanë mundur të përballojnë pagesat”, thotë ASK në raportin “Rezultatet e Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare”, përcjell Telegrafi.

Në fund, hulumtimet e bëra nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, kanë theksuar se vlera e asistencës sociale për një muaj nuk përshtatet me nevojat e familjeve në bazë të madhësisë apo strukturës së tyre. /Telegrafi/