eksperti-banner

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka njoftuar se ka nisur asfaltimi i rrugës së Pleshinës në Ferizaj, një projekt që sipas tij po financohet kryesisht nga ministria që ai drejton.

Përmes një postimi në Facebook, Basha bëri të ditur se ka inspektuar nga afër punimet, ku ka filluar asfaltimi i segmentit rrugor nga fshati në drejtim të qytetit.


“Sot inspektova punimet në rrugën e Pleshinës, ku ka filluar asfaltimi i segmentit nga fshati drejt qytetit”, ka shkruar Basha.

Ai sqaroi se punimet do të vazhdojnë në drejtim të qytetit pasi Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” të vendosë gypin e ri të ujësjellësit, proces që sipas tij aktualisht ndodhet në fazën e prokurimit.

“Punimet do të vazhdojnë në drejtim të qytetit sapo ‘KRU Bifurkacioni’ ta vendosë gypin e ri të ujësjellësit, ku u njoftova se aktualisht janë në proces të prokurimit”, ka thënë ai.

Basha ka theksuar se projekti është hartuar nga Komuna e Ferizajt, e cila sipas tij mban edhe përgjegjësinë për mbikëqyrjen e punimeve, ndërsa Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit po siguron pjesën më të madhe të financimit.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit e financon projektin me 2 milionë euro, ndërsa Komuna e Ferizajt ka obligim të financojë rreth 900 mijë euro”, ka deklaruar ministri në detyrë.

Ai ka ngritur shqetësimin se, sipas informatave që posedon ministria, Komuna e Ferizajt ende nuk i ka ndarë mjetet e nevojshme për përmbushjen e obligimeve të saj financiare në këtë projekt.

“Edhe pse pjesëmarrja financiare e Komunës përbën më pak se një të tretën e vlerës së projektit, sipas informatave që kemi, ajo ende nuk i ka ndarë mjetet e nevojshme për përmbushjen e obligimeve të saj”, ka thënë Basha.

Ministri në detyrë paralajmëroi se mosrealizimi i obligimeve nga ana e komunës mund të ndikojë në përfundimin e projektit.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit mbetet e palëkundur në përmbushjen e zotimeve të saj dhe pret të njëjtin seriozitet edhe nga Komuna e Ferizajt. Në të kundërtën, ekziston rreziku që qytetarët të mbesin me një projekt të papërfunduar”, ka theksuar ai.

Në fund, Basha ka shprehur pritjen që të dy institucionet të përmbushin obligimet e tyre, në mënyrë që rruga e Pleshinës të përfundojë sipas planifikimeve.

“Ne do ta përmbushim plotësisht obligimin tonë dhe presim që edhe Komuna ta bëjë pjesën e saj. Vetëm kështu ky projekt do të përfundojë sipas planit dhe qytetarët e Pleshinës do ta kenë sa më shpejt një rrugë moderne dhe të sigurt”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/