LAJMI I FUNDIT:

Artistja e guximshme të cilën s’e do asnjë galeri në Rusi (Foto)

Artistja e guximshme të cilën s’e do asnjë galeri në Rusi (Foto)

Victoria Lomasko dokumenton atë anë të jetës ruse, të cilën autoritetet do të preferonin që askush të mos e vërente.

Lomasko fillimisht vizatonte për vete dhe për miqtë e saj. Kjo punë tash është e njohur botërisht. Libri i saj i parë, “Forbidden Art” (“Arti i ndaluar”), i shkruar me Anton Nikolaevin, fitoi çmimin prestigjoz “Kandinsky” të Rusisë. Por, vitin e kaluar u bë e njohur jashtë vendit, nga publikimi i “Rusëve tjerë”. Ky është një koleksion brutal e i çuditshëm i vizatimeve të punëtorëve të seksit në Nizhny Novgorod, i skllevërve të Moskës, nxënësve në fshatrat e shkretuara, aktivistëve LGBT dhe ultra-nacionalistëve. Kur shkoi në një turne SHBA, vitin e kaluar, New Yorker shkroi: “Të dëgjosh rusët e zakonshëm duke i vizatuar një nga një” – nga zonjat e vjetra që kanë frikë Perëndinë, e deri tek të rinjtë dhe shoferët e kamionëve.

Lomasko ka fluturuar nga Moska për një seri ngjarjesh në “Pushkin House” të Londrës, përfshirë një ekspozite të quajtur “On the Eve” (“sepse jemi në prag të rizgjedhjes së Putinit”). Ajo do të shfaq vizatimet e “Rusëve tjerë”, një mural të ri, si dhe punimet që nuk janë parë jashtë Rusisë e as brenda saj.

Puna e saj nuk është censuruar zyrtarisht në Rusi, por edhe kjo mund të ndodhë kjo.

“Artistët mendohet të jenë të heshtur”

“Është si në periudhën sovjetike”, thotë ajo. “Nuk arrestohesh apo nuk merresh në pyetje. Por, asnjë kurator ose pronar i galerisë nuk dëshiron të punojë me ju. Është një vdekje e vogël e llojit të veçantë – për çdo artist. Puna ime del në Rusi, por vetëm në faqet alternative të internetit që kanë një audiencë liberale në Shën Petërburg ose në Moskë. Çdo gjë që është më serioze, nuk është e mundur.”

Para zgjedhjeve në vitin 2012, gjërat ishin më të lehta, mendon ajo, duke shtuar se që atëherë ndjen ndryshimin.

Derisa Lomaskos i pëlqen të shikojë pamjen e madhe, është po aq e interesuar me shqetësimet e përditshme – një obsesion i tanishëm i krijuar nga gjendja e strehimit në Moskë, në veçanti kur 4,500 ndërtesa apartamentesh (përfshirë të sajën) janë caktuar për prishje, me planin për t’u zhvendosur deri në 1.6 milionë banorë.

“Ata duan të lëvizin njerëzit në zona më të këqija, në vendet pa infrastrukturë”, thotë ajo. “Është deportim i brendshëm. Është një luftë civile në miniaturë.”

Edhe pse jeton në Moskë, identifikohet me rusët jashtë kryeqytetit.

Victoria Lomasko

“Kam lindur në Serpukhov, një fshat i vogël, 100 kilometra në jug të Moskës. Nuk dija asgjë për artin modern apo për kinemanë. Çdo gjë na iku. Gjëja më e rëndësishme ishte se kush po martohej dhe kur.”

Tani si 39-vjeçare, gëzon lirinë e të qënit e vetmuar dhe pa fëmijë, duke marrë udhë të gjata nëpër ish-Bashkimin Sovjetik. Rruga e fundit e çoi në pjesët islamike të Dagestanit, për të dokumentuar qëndrimet e grave ndaj fesë. Vizatimet nga ky udhëtim janë goditëse, të thjeshta dhe të pazakonta për Lomaskon. Një vajzë e re me një shami koke të lulëzuar në të kaltër qëndron në një kafene, përpara një burri me rroba sportive ku është fjala Rusi.

“Ata përpiqen të martojnë vajzat me nxitim”, thotë ajo, “derisa ende nuk kanë mendim të tyre.”

Një grua tjetër, që ia ka kthyer shpinën besimit, ka flokët e pambuluara. “E vura një shami”, thotë ajo, “dhe u ndjeva sikur kisha vdekur.”

Lomasko gjithashtu rrëfen bisedat me gratë që duan që bijat e tyre të rrethpriten, si ato.

“Tani është një kohë e vështirë”, thotë njëra. “Ka shumë gra dhe pak burra.”

Lomasko e sheh punën e saj si vazhdim i një tradite familjare. Babai i saj, Valentini, ishte artist zyrtar në një bazë të fshehtë ushtarake. Puna e tij ishte të krijonte posterë që përshkruanin madhështinë e Bashkimit Sovjetik.

“Gjëja më e mërzitshme në botë: duke i shërbyer fuqisë. Ai bëri qindra portrete të Leninit. Thoshte se nuk besonte fare, se e bëri punën e tij për të fituar para, meqë nuk kishte asnjë mënyrë tjetër për të mbijetuar. Ai ëndërronte të ishte artist i vërtetë. Kështu, i vendosi të gjitha ambiciet e tij në mua. Ai është shumë krenar për mënyrën se si rrodhën gjërat.”

Në rrugë, gjithmonë me laps…

Ajo e quan stilin e saj “reportazh grafik” dhe skicon me lapsa.

“Më duhet ta bëj kur të ulem me dikë, përndryshe vizatimet humbin energjinë e tyre.”

Më vonë i plotëson me ngjyra. Shumica janë të ngjashme me karikaturat, me fjalime të ndryshme në flluska, por ajo gjithashtu shkruan një tekst shoqërues.

“Nuk jam gazetare,” thotë ajo. “Jam artiste. Kjo mund të duket e çuditshme, sepse artistët supozohet të jenë të heshtur. Por, kam dashur të flas me njerëzit dhe të mësoj se çfarë kanë për të thënë.”

Edhe pse shpesh përshkruhet si aktiviste artistike, vizatimet e Lomaskos nuk bëhen qëllimisht për protestë.

“Puna ime nuk është politika. Por, nëse nxjerr gjëra nga jeta, atëherë sigurisht që ka të bëjë me shoqërinë. Njerëzit më pyesin: ‘Pse zgjedh temat kontroverse? Skllavëria, punëtorët e seksit, aktivistët LGBT, njerëzit në kampet e paraburgimit – ku janë njerëzit normalë?’ Unë gjithmonë them: ‘Këta janë njerëz normalë. Kjo është esenca.’”

Një mik insistoi të përshkruante “Rusinë e zakonshme”, duke i kërkuar të dokumentonte “jetën e lumtur” në një shkollë, në një komunitet piktoresk rural në lindje të Moskës. Kur mbërriti, gjërat ishin aq të këqija saqë një klasë po mësonte në kuzhinë, sepse nuk kishin hapësirë tjetër.

“Nuk ka punë në ato vende. Askush nuk dëshiron të ketë fëmijë. Shikojeni këtë vizatim.”

Ajo e zgjedh një nga dhjetëra në dysheme, gati për t’u varur për ekspozitën.

“Ky është një djalë mësohet nga mësuesi i tij. Ai është djali i vetëm në klasën e tij. Mësuesi e pyet: ‘Moska është emër apo mbiemër?’ dhe ai i thotë: ‘Është një rrugë’. Ai madje nuk e di se Moska është qytet. Fjala nuk flet asgjë për të. Mësuesi thotë: ‘Dhe përse duhet ta dijë se çfarë është Moska? Nuk është duke shkuar atje. Askush nuk kujdeset për ne.'”

“Jam e shenjtë”, nga seria e “Rusëve…”

Lomasko thotë se puna e saj nuk është negative, por e saktë.

“Kur isha në turne në SHBA, audiencat nuk dinin asgjë për jetën e zakonshme në Rusi. Ata thjesht donin të më pyesnin: ‘A ndërhyri Putini në zgjedhjet tona? A do të ketë luftë? A është Trumpi kukull e Putinit?’ Ishte zbavitëse për mua. Në radio amerikane më pyetën: ‘Përse rusët votuan për Trumpin?’ Unë u thashë: ‘Djema, ju keni votuar për Trumpin. Unë nuk votova as për Putinin.'”

Ajo sheh shumë paralele midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, megjithatë: “Nacionalizmi në Rusi është racizëm në SHBA!”

Lomasko e bëri një seri vizatimesh në Pitsburg duke përshkruar “kufirin” midis zonave të varfra dhe të pasura.

“Njerëzit do të më pyesin: ‘Si mund të jetoni në një vend kaq të tmerrshëm si Rusia?’ Por, vizatimet e mia treguan se ka shumë ngjashmëri, veçanërisht kur bëhet fjalë për varfërinë. Në vendet evropiane ekziston një rrjet sigurie për njerëzit. Në SHBA dhe në Rusi nuk ka!” /Telegrafi/